Nata e Israsë dhe Miraxhit pretendohet se është nata e 27 e muajit Rexheb.
Disa njerëz e agjërojnë ditën pas saj ose e veçojnë atë me falje namazi apo me adhurime të tjera të ngjashme.
Israja dhe Miraxhi janë prej mrekullive më madhështore të Profetit Muhamed ﷺ.
Fjala Isra do të thotë udhëtim gjatë natës, dhe me të nënkuptohet udhëtimi i Profetit ﷺ nga Meka në Xhaminë Aksa, e cila gjendet në Kuds (Jeruzalem).
Ndërsa fjala Miraxh nënkupton ngjitjen dhe ngritjen, dhe me të synohet ngjitja e Profetit ﷺ nga Xhamia Aksa në qiejt e lartë, duke filluar nga qielli i parë e deri sa kaloi qiellin e shtatë.
Prej ndodhive madhore të këtij udhëtimi është fakti se gjatë tij u bë obligim falja e pesë namazeve për çdo musliman, gjatë ditës dhe natës.
Kjo ngjarje përmban nderim dhe nxjerr në pah gradën e lartë të Profetit ﷺ, si dhe nderim për pasuesit e tij.
Në të theksohet gjithashtu vlera e madhe që ka falja e namazit për çdo musliman.
Festimi i Natës së Miraxhit apo veçimi i saj me adhurime të caktuara është bidat; Profeti ﷺ nuk e ka festuar apo veçuar këtë natë me adhurime të posaçme, as shokët e tij dhe as ndonjë prej selefëve nuk e ka veçuar atë.
Sikur në festimin apo veçimin e kësaj nate të kishte ndonjë dobi, i pari që do ta festonte apo veçonte me adhurime do të ishte i Dërguari i Allahut ﷺ, e pas tij do ta pasonin shokët e tij.
Po të kishte ndonjë dobi në kremtimin apo veçimin e kësaj nate me adhurim – sado e vogël që të ishte – do ta dinim me saktësi datën ekzakte të Israsë dhe Miraxhit. Mirëpo, nuk ka argument të qartë që e përcakton saktësisht datën e kësaj ngjarjeje madhështore, dhe as dakordësi mes dijetarëve për caktimin e saj.
Më poshtë po sjellim disa nga fjalët e dijetarëve, të cilat tregojnë se veçimi i kësaj nate me adhurime të caktuara, apo agjërimi i ditës së 27-të, është prej bidateve dhe se për vlerën e kësaj nate nuk ka asnjë hadith të saktë:
Ibn Dihje (v. 633H) thotë:
“Disa kanë përmendur se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur në muajin Rexheb, dhe kjo sipas dijetarëve të xherhit dhe ta’dilit është gënjeshtër.”
(Edau ma Uexheb, fq. 54)
Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728H) thotë:
“Nuk ka argument që e cakton se në cilin muaj, dhjetëditësh apo në cilën natë ka ndodhur Israja dhe Miraxhi.
Burimet në të cilat përmendet koha ekzakte e kësaj nate janë të pasakta.”
(Zadul Mead, 1/36)
Imam Ibn Kethiri (v. 774H) thotë:
“Hadithi në të cilin përmendet se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur natën e 27 të të muajit Rexheb nuk është i saktë.”
(El Bidaje uen Nihaje, 4/270)
Ibn Haxher el Askalani (v. 851H) thotë:
“Nuk ka ardhur asnjë hadith i saktë që të vlejë si argument për vlerën e muajit Rexheb, as për agjërimin e tij, as për agjërimin e ndonjë pjese të caktuar të tij dhe as për faljen e ndonjë nate të veçantë në të.”
(Tebjinul Axheb, fq. 23)
Ibn Nekkash (v. 763H) thotë:
“Sa i përket Natës së Israsë, nuk ka ardhur asnjë hadith – as i saktë dhe as i dobët – që të tregojë ndonjë përparësi të veçantë të veprave në të. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ua ka veçuar atë shokëve të tij dhe as nuk është transmetuar që ndonjë prej sahabëve ta ketë caktuar atë.
Lidhur me të nuk ka asnjë hadith të saktë deri më sot, dhe kështu do të jetë deri në ditën e Kiametit.
Kushdo që ka thënë diçka rreth saj, e ka thënë nga mendja e vet, duke u mbështetur në ndonjë hamendësim që i është dukur i përshtatshëm.
Për këtë arsye, mendimet rreth saj janë përplasur dhe janë kontadiktore mes veti, pa u vërtetuar asgjë që mund të merret për bazë.
Sikur të kishte ndonjë dobi për umetin, qoftë edhe sa një grimcë, Profeti ﷺ do t’ua kishte sqaruar atë.”
(El Meuahib el Ledunnije, 2/431)
Detyra e muslimanit është që fenë e tij ta ndërtojë mbi argumente të sakta dhe pasim të sinqertë të Profetit ﷺ, e jo mbi zakone e hamendësime.
Dashuria për të Dërguarin e Allahut ﷺ nuk shprehet me shpikje në fe, por me pasimin e udhëzimit dhe rrugës së tij.
Ngjarja e Israsë dhe Miraxhit mbetet një mrekulli madhështore, plot mësime dhe urtësi, dhe vlera e saj nuk qëndron në veçimin e një nate apo agjërimin e një dite pa argument, por në bindjen ndaj Allahut dhe në pasimin e të Dërguarit të Tij ﷺ.
Lusim Allahun të jemi prej atyre që e adhurojnë Allahun me dituri, që e ruajnë fenë nga bidatet dhe që e kërkojnë shpëtimin përmes rrugës së qartë të Profetit ﷺ dhe shokëve të tij.
Dosje: nata e Miraxhit
Të Ngjashme
- A është e vërtetë se shejhul Islam Ibn Tejmije lejon festimin e mevludit? Udha e Besimtarëve
- Vlera e fjalës “nuk e di” në metodologjinë e dijes islame Shejh Meshhur Hasen
- Reflektim rreth ngjarjeve që ndodhin në vendet Islame Udha e Besimtarëve
- Dallimi mes metodolgjisë së Selefëve dhe atyre që erdhën më pas Udha e Besimtarëve
- Fanatizmi dhe ndjekja e verbër Shehul-Islam Ibn Tejmije