Përgatitja para hyrjes së muajit të Ramazanit

February 10, 2026

Nga gjërat më të dobishme që mund të bëjë muslimani para ardhjes së muajit të Ramazanit është përgatitja në disa aspekte:
*Përgatitja me dije (aspekti teorik)
Besimtari përgatitet duke mësuar dispozitat e këtij muaji, duke ndjekur mësimet dhe ligjëratat fetare, sidomos ato që lidhen me rregullat e agjërimit.
Kërkimi i dijes fetare është obligim në vetvete dhe ndër veprat më të dashura te Allahu i Lartësuar.
Mjafton si tregues për vlerën e dijes fjala e Allahut:
﴿يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنْكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ﴾
“Allahu do t’i ngrejë në grada të larta ata që besuan prej jush dhe ata të cilëve u është dhënë dija.” (El-Muxhadele: 11)
Gjithashtu, Profeti ﷺ ka thënë:
من يرد الله به خيرًا يفقهه في الدين
Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson kuptimin e fesë.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Ky obligim bëhet akoma më i theksuar kur nevojitet praktikisht, si për shembull: mësimi i rregullave të agjërimit para hyrjes së Ramazanit, apo mësimi i rregullave të haxhit para kryerjes së tij, e kështu me radhë.
*Përgatitja shpirtërore dhe praktike
Muslimani përgatitet për këtë muaj para se ai të vijë.
Ai i paraprin ritualeve të Ramazanit duke shtuar agjërimin vullnetar, veçanërisht në muajin para tij, ashtu siç vepronte Profeti ﷺ. Gjithashtu, ai shpeshton leximin e Kuranit, shton namazet nafile, përmendjen e Allahut, dhënien sadaka, Istigfarin …, etj.
Përgatitja për Ramazan fillon para hyrjes së tij.
Besimtari fillimisht pastron zemrën e tij nga gjithçka që nuk i ka hije, e adhuron Allahun me sinqeritet dhe duke pasuar rrugën e Profetit ﷺ , i kërkon falje Allahut për gjynahet e tij, shkëputet dhe distancohet nga gjithçka që e hidhëron Allahun.
Gjithashtu prej veprave të pëlqyera është shtimi i agjërimit gjatë maujit Shaban, sikurse Profeti ﷺ vepronte.
Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se nuk e ka parë Profetin ﷺ të agjëronte në ndonjë muaj tjetër, përveç Ramazanit, aq shumë sa agjëronte në Shaban; madje ai e agjëronte Shabanin thuajse të gjithin.
(Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Shumë prej selefëve e quanin muajin Shaban (muaji para Ramazanit) “muaji i Hafizave”, pasi gjatë tij – sidomos imamët e xhamive – fillonin përsëritjen intensive të Kuranit, në mënyrë që të ishin të përgatitur për namazin e Teravive dhe namazin e natës në Ramazan.
Habib bin Ebi Thabit (v. 119H) dhe Seleme bin Kuhejl (v. 122H) tregojnë se njerëzit (në kohën e tabiinëve) e quanin muajin Shaban: Muaji i hafizave.
(Letaiful Mearif, fq. 242)
Ndaj, ai që dëshiron ta shfrytëzojë Ramazanin siç duhet, le ta nisë përgatitjen që para ardhjes së tij, me njohjen e dispozitave të tij, me adhurim të sinqertë dhe me pastrim të zemrës.
Lusim Allahun e Lartësuar të na mundësojë ta arrijmë Ramazanin të përgatitur, ta jetojmë me vepra të mira dhe ta përfundojmë me falje, mëshirë dhe shpëtim nga zjarri i Xhehenemit!
Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...