Prej Rregullave dhe Dispozitave të Kurbanit

May 17, 2026

Prej dispozitave të kurbanit, është që për çdo familje mjafton një kurban i vetëm.
Nëse një nga pjesëtarët e familjes e kryen, ai mjafton për të gjithë.

Gjithashtu, personi i cili vendos të therë kurban, nuk duhet të presë apo të heqë flokët, qimet e trupit apo thonjtë, duke filluar nga dita e parë e muajit Dhul-Hixhe (e cila këtë vit pritet të jetë të hënën, më 18 Maj).

Ummu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
Kur të hyjë muaji Dhul-Hixhe dhe ndonjëri prej jush dëshiron të bëjë kurban, le të mos heqë (presë) gjë prej flokëve dhe të mos i shkurtojë thonjtë.”
(Transmeton Muslimi)

Në këtë hadith sqarohet se heqja e flokëve dhe e qimeve nga cilado pjesë e trupit është e ndaluar për atë person që ka vendosur të presë kurban.
Ky gjykim vlen vetëm për kryefamiljarin (apo atë që vendos dhe paguan për kurbanin) dhe jo për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, e as për ata për të cilët theret kurbani.
Ky gjykim përfshin çdo person që ka marrë vendimin për të bërë kurban, edhe nëse nuk e ther atë vetë me duart e tij.

Gjithashtu, nëse dikush nuk e ka pasur në plan të bëjë kurban, por vendos për këtë pasi ka filluar muaji Dhul-Hixhe, nuk ka asnjë problem nëse i ka prerë flokët apo thonjtë më parë.
Megjithatë, nga momenti që merr vendimin për të bërë kurban, ai nuk duhet t’i prekë më flokët e as thonjtë, derisa kurbani të theret.

Shejh Ibn Uthejmini (v. 1421H /2001G) sqaron:
“Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë ndalim:
A është ai mekruh (i papëlqyer) apo është haram?
Mendimi më i saktë është se është haram, sepse ky është parimi për çdo ndalim në tekstet fetare, përveç nëse ka ndonjë argument që e tregon se nuk është për ndalim të prerë – dhe në këtë rast nuk ka një argument të tillë.
Sa i përket urtesisë së kësaj ndalese – dhe Allahu e di më së miri – është se personi që dëshiron të bëjë kurban merr pjesë në një vepër të ngjashme me veprat e haxhiut, që është afrimi te Allahu me therje të kurbanit, atëherë është nga urtësia që t’i jepen edhe disa nga rregullat e haxhiut, si ndalimi i prerjes së flokëve dhe thonjve gjatë kësaj periudhe”.
(Ahkamul Ud’hije, 2/255)

Dosje: ,

Loading...