Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728 H/1328 G) thotë:
Shumë njerëz duan ose urrejnë dikë për shkak të disa mendimeve që nuk bazohen në argumente fetare, pa e ditur kuptimin e as argumentin e tyre.
Madje ata miqësojnë ose armiqësojnë njerëzit për shkak të disa termave që nuk janë të transmetuara në mënyrë të saktë nga Profeti ﷺ apo nga gjeneratat e para të këtij umeti, e aq më tepër duke mos kuptuar domethënien e tyre, e as çfarë nënkuptohet nga to.
Kjo ndodh për shkak të kapjes pas disa termave që nuk janë përmendur në Kuran apo Sunet, duke i shndërruar ato në “medhhebe” në të cilat thërrasin e duke ndërtuar mbi to miqësinë dhe armiqësinë.
Ndërkohë, feja islame ndërtohet mbi tri shtylla të sigurta:
- Libri i Allahut (Kurani).
- Suneti i të Dërguarit të Tij ﷺ.
- Konsensusi (ixhmaja) i umetit.
Ndërsa në çështjet për të cilat ka mospajtim, detyra e besimtarëve është t’i kthehen Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij ﷺ.
Askush nuk ka të drejtë të caktojë ndonjë individ – përveç të Dërguarit të Allahut ﷺ – e t’i thërrasë njerëzit në ndjekjen e tij, duke ndërtuar miqësi apo armiqësi në emër të tij.
Po ashtu, askush nuk ka të drejtë të imponojë ndonjë fjalë apo mendim mbi muslimanët duke i miqësuar apo armiqësuar ata në bazë të saj, përveç fjalës së Allahut, fjalës së të Dërguarit të Tij ﷺ dhe asaj që është pranuar në mënyrë unanime nga umeti.
Kjo metodologji e ndërtuar mbi ndjekjen e ndonjë individi apo mendimi të caktuar, është rruga e pasuesve të bidatit të cilët e përçajnë umetin, duke u lidhur pas një mendimi apo individi dhe duke i ndarë të tjerët në miq dhe armiq në bazë të kësaj lidhjeje.
Marrë nga libri: “Mexhmu’ul fetaua” 20/163.
Përktheu: Dr. Fatmir Strumi
Dosje: #Ibn Tejmije #Bidati #Selefët
Të Ngjashme
- Komentimi i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 14 – Udha e Besimtarëve
- Fatkeqësia e vdekjes së dijetarëve Dr. Behar Hyseni
- Debati dhe polemika – sëmundja që privon nga bereqeti i dijes Dr. Fatmir Strumi
- Edukata e kërkuesit të dijes dhe kriza e sotme e moralit Dr. Fatmir Strumi
- Zëvendësit e djallit në tokë Dr. Fatmir Strumi