Përmendja e Allahut para gjumit

• September 2, 2026

◽️ Pyetje: A ka ndonjë sinjal në mësimin e dhikrit para gjumit që i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ia mësoi vajzës së tij Fatimes, kur i tha asaj se kjo është “më e mirë për ju të dy se një shërbëtor/e?” Se këto dhikre (lutje) ndihmojnë në kryerjen e punëve të përditshme?

◽️ Përgjigje: Po ju tregoj përvojën time të cilën e konsideroj një thesar për veten time. Një thesar që nuk shteron kurrë, një thesar i përhershëm!

Fatima ishte nga njerëzit më të dashur për të Dërguarin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ajo ishte një pjesë e tij. Ajo iu ankua për punët e shumta të shtëpisë. Burri i saj, Aliu, ishte një njeri bujar dhe dijetar i nderuar, prandaj shtëpinë e tij e vizitonin shumë njerëz të cilët i mikpriste. Fatima shpresonte që Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, t’i siguronte një shërbëtor ose shërbëtore për t’i ndihmuar me mysafirët.

Por Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i tha: “A t’ju udhëzoj për diçka më të mirë se një shërbëtor? Dhe tha: Para se të flini kur të jeni në shtrat — dëgjojeni mirë këtë porosi — thuaj ‘Elhamdulilah’ tridhjetë e tri herë, ‘SubhanAllah’ tridhjetë e tri herë, dhe ‘Allahu Ekber’ tridhjetë e katër herë, sepse kjo është më e mirë për ju sesa të keni një shërbëtor.”

Një grup dijetarësh kanë thënë: Kushdo që i praktikon rregullisht këto lutje para se të flerë; duke thënë ‘Elhamdulilah’ 33 herë, ‘SubhanAllah’ 33 herë, dhe ‘Allahu Ekber’ 34 herë, Allahu do t’i japë atij fuqi në jetë dhe do t’i kryhen punët në një mënyrë që askush tjetër nuk mund ta arrijë.

O vëllezër! Nga mirësia e Allahut mbi mua është se prej shumë vitesh unë e praktikoj rregullisht këtë dhikër dhe nuk ndiej as lodhje, as plogështi, as shqetësim e as ngushtim në punën time. Aq sa një grup nga miqtë e mi nga Jordania dhe jashtë saj, disa prej tyre erdhën nga jashtë dhe qëndruan një javë në shtëpinë time. Para se të largoheshin, njëri prej tyre më tha: “O Shejh, a e di pse erdha? Betohem se nuk erdha për ndonjë hall, por erdha për të parë programin tënd! Produktiviteti jot në punë është sa i një grupi të tërë njerëzish. Punët që bën ti nuk janë si të një personi të vetëm, as sa të dy apo tre personave, por sa të një grupi të tërë.”

I thashë: “Për Zotin, nuk bëj asgjë tjetër përveç kësaj! Prej vitesh para se të fle them: ‘Elhamdulilah’ 33 herë, ‘SubhanAllah’ 33 herë dhe ‘Allahu Ekber’ 34 herë. Pastaj gjatë ditës vazhdoj punën që nga mëngjesi, e ndonjëherë kur dita është e gjatë bëj një pushim shumë të shkurtër dhe i rikthehem punës.”

Allahu më ka dhënë bereqet në punën time, dhe i lutem Allahut t’ju japë bereqet juve dhe mua në jetët tona, në pasardhësit tanë dhe në pasuritë tona! I lutem Allahut të Madhëruar që të mos na i heqë bereqetin.

Ky dhikër është një sekret që Allahu i Madhëruar ia dhuron robit të Tij, duke e udhëzuar atë në realizimin e qëllimeve të tij në jetë. Ai arrin atë që dëshiron për shkak të këtij dhikri, ndaj kushtojini vëmendje kësaj para se të flini!

Kushdo që vazhdon të jetë i kujdesshëm për këtë dhikër para gjumit — e gjumi është “vdekja e vogël” — me lejen e Allahut do mësohet dhe do t’i bëhet pjesë e pandashme para se t’i vijë “vdekja e madhe”, dhe do të jetë nga ata që e përmendin Zotin. Nga mirësitë e kësaj është se; nëse njeriu është mësuar për ditë e vite me radhë ta përmendë Allahun para gjumit, kjo bëhet një nga shkaqet e një përfundimi të mirë të jetës me lejen e Allahut të Madhëruar.

 

Autor: Mesh’hur Hasen Al Selman

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...