Prej gjërave më të mira që mund  t’i jepet robit është jeta e gjatë me vepra të mira.

• September 29, 2026

Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Mos t’a dëshirojë askush prej jush vdekjen; nëse është vepërmirë, ndoshta do të shtojë të mirat, e nëse është keqbërës, ndoshta do të pendohet”.

(E transmeton Buhariu).

Dhe në një transmetim tjetër nga Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur me të gjithashtu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Mos e dëshironi vdekjen dhe mos luteni për të para se të vijë. Sepse kur ndonjëri prej jush vdes, vepra e tij ndërpritet. Dhe besimtarit nuk i shton mosha e tijë veçse të mira”.

(E transmeton Muslimi).

Abdullah ibn Busr Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se një beduin tha:

 “O i Dërguar i Allahut, kush janë njerëzit më të mirë? Ai ﷺ tha:

Ai të cilit i zgjatet jeta dhe i përmirësohen veprat”.

Hadith i saktë.

(E transmeton Tirmidhiu dhe Ahmedi).

Ubejd ibn Halid es-Sulemiu Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se:

 “I Dërguari i Allahut ﷺ vëllazëroi dy burra. Njëri prej tyre u vra ( ra shehid), ndërsa tjetri vdiq një javë pas tij, përafërsisht.

Ne i falëm namazin e xhenazes atij, dhe i Dërguari ﷺ tha: Çfarë thatë (në lutje)? Ne thamë: U lutëm për të dhe thamë: O Allah, fale atë dhe bashkoje me shokun e tij.

Atëherë i Dërguari ﷺ tha:

Po ku janë namazet e tij krahas namazeve të tij? Agjërimi i tij krahas agjërimit të tij?  dhe veprat e tij krahas veprave të tij? Mes tyre ka aq dallim sa ka mes qiellit dhe tokës”.

Hadith i saktë.

(E transmeton Ebu Davudi dhe Nesaiu).

Loading...