Vizatimet e qenieve me shpirt përmes inteligjencës artificiale

• November 2, 2026

Fetvaja nr: 1

Gjykimi për krijimin e imazheve që i ngjajnë njeriut përmes inteligjencës artificiale.

Pyetja:

Cili është gjykimi fetar për krijimin e imazheve që i ngjajnë njeriut përmes inteligjencës artificiale?

Përgjigjja:

Kjo përfshihet në kategorinë e imazheve të ndaluara, sepse (عِلَّة النهي = il-letun nehji) tek ajo gjendet shkaku për të cilin është ndaluar paraqitja (fotografimi etj) e krijesave, përkatësisht imitimi i krijimit të Allahut të Lartësuar. Paraqitja (fotografimi etj) e krijesave është ndaluar pikërisht për shkak të imitimit të krijimit të Allahut.

Në hadith thuhet:

“Kush është më i padrejtë se ai që përpiqet të krijojë si krijimi Im? Le të krijojnë një kokërr gruri! Le të krijojnë një kokërr elbi!”.

 (E transmeton Buhariu nr: 7559, dhe Muslimi nr: 2111).

Prandaj, imitimi i krijimit të njeriut përfshihet në kategorinë e imazheve të ndaluara. Nuk ka dallim në këtë mes vizatimeve të bëra me dorë dhe figurave tredimensionale. Kështu, nuk lejohet imitimi i krijimit të njeriut, as përmes vizatimeve, as përmes inteligjencës artificiale dhe as përmes statujave.

Përjashtim nga kjo bëjnë vetëm fotografitë dhe pamjet televizive, të cilat shumë prej dijetarëve bashkëkohorë i kanë veçuar (përjashtuar nga ndalesa), duke u nisur nga fakti se në to nuk ka në vetvete imitim të krijimit të Allahut të Madhërishëm. Ato janë si pamja e njeriut në pasqyrë: paraqesin njeriun ashtu siç e ka krijuar Allahu i Madhërishëm.

Për këtë arsye, disa njerëz madje nuk i quajnë fare fotografi, por vetëm pasqyrim. Dikur, në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ato quheshin “aks“=عكس (pasqyrim), e jo “surah”=صورة (figurë/imazh). Ky është edhe përshkrimi më i saktë për to.

Ndërsa çdo gjë tjetër që përmban imitimin dhe përngjasimin me krijimin e Allahut të Madhërishëm, përfshihet në kategorinë e imazheve të ndaluara. Në këtë kategori hyn edhe imitimi i krijimit të njeriut përmes inteligjencës artificiale.

Fetvaja nr: 2

Gjykimi për vizatimet e realizuara përmes inteligjencës artificiale.

Pyetja:

Cili është gjykimi fetar për vizatimet e realizuara përmes inteligjencës artificiale?

Përgjigjja:

Vizatimet ndahen në dy kategori:

  1. ose janë vizatime të gjërave pa shpirt,
  2. ose janë vizatime të qenieve me shpirt.

Nëse janë vizatime të gjërave pa shpirt, atëherë nuk ka ndonjë të keqe. Për shembull: mund t’i kërkosh inteligjencës artificiale: “Më vizato një mal, një pemë apo një makinë”. Kjo është e lejuar; nuk ka asgjë të keqe.

Ndërsa vizatimet e qenieve me shpirt nuk lejohen, sepse në to gjendet (عِلَّة النهي = il-letun nehji) shkaku për të cilin është ndaluar paraqitja (fotografimi etj) e krijesave, përkatësisht imitimi (المُضاهاة=el mudahatu) dhe përngjasimi me krijimin e Allahut. Shkaku i ndalimit të paraqitjes së krijesave, për të cilin dijetarët kanë heriatit, është imitimi dhe përngjasimi me krijimin e Allahut.

Në hadith thuhet:

“Kush është më i padrejtë se ai që përpiqet të krijojë si krijimi Im? …”.

 (E transmeton Buhariu nr: 5953, dhe Muslimi nr: 2111).

Gjithashtu, në një transmetim tjetër thuhet:

“… (Përpiqen)të imitojnë krijimin e Allahut …”.

(E transmeton Buhariu nr: 5954, dhe Muslimi nr: 2107).

Ky shkak gjendet, para së gjithash, te figurat tredimensionale të qenieve me shpirt: si një heria tredimensionale e njeriut apo e kafshës. Këto përfshihen në kategorinë e figurave të ndaluara, sipas konsensusit të dijetarëve.

Po kështu, edhe vizatimet e qenieve me shpirt janë të ndaluara. Për këtë kemi rastin e Aishes Allahu qoftë i kënaqur me të: kur Profeti ﷺ erdhi në shtëpi, ajo kishte vendosur një perde me figurën e kuajve, siç përmendet në njërin prej transmetimeve të Muslimit. Profetiﷺ  u zemërua dhe tha:

“O Aishe! Njerëzit që do të kenë dënimin më të rëndë Ditën e Kiametit janë ata që bëjnë figura.

Aishja Allahu qoftë i kënaqur me të tregon: Atëherë e morëm atë perde dhe prej saj bëmë një ose dy jastëkë”.

(E transmeton Buhariu nr: 5954, dhe Muslimi nr: 2107).

Pra, bëhej fjalë vetëm për një vizatim kuajsh, të cilin Aishja Allahu qoftë i kënaqur me të e kishte vendosur në mur.

 Profeti ﷺ  u zemërua dhe e kundërshtoi këtë veprim, duke thënë:

“Vërtet, njerëzit që do të kenë dënimin më të rëndë tek Allahu në Ditën e Kiametit janë ata që bëjnë figura (vizatime të qenieve me shpirt)”.

(E transmeton Buhariu nr: 5950, dhe Muslimi nr: 2109).

Gjithashtu, atyre do t’u thuhet:

“…Jepuni jetë atyre që i krijuat!”.

(E transmeton Buhariu nr: 5951, dhe Muslimi nr: 2108).

Prandaj, nuk lejohet imitimi dhe përngjasimi me krijimin e Allahut të Madhërishëm, pavarësisht se me çfarë mjeti realizohet, përfshirë edhe inteligjencën artificiale.

Mirëpo, nëse përmes inteligjencës artificiale merret një fotografi e zakonshme (fotografike) ose një videoxhirim, për shembull, kjo nuk përbën problem, sepse fotografitë dhe videot nuk përfshihen në kategorinë e imazheve të ndaluara. Kjo për arsye se në to nuk ka imitim të krijimit të Allahut, por vetëm paraqitje të njeriut ashtu siç e ka krijuar Allahu i Madhërishëm. Ato janë si pasqyrimi i njeriut në pasqyrë.

Ndërsa ajo që realizohet në formën e vizatimit të qenieve me shpirt, përfshihet në kategorinë e figurave të ndaluara.

Prandaj, ata që përdorin inteligjencën artificiale duhet të kenë kujdes nga kjo gjë dhe të ruhen nga vizatimi i qenieve me shpirt, qoftë përmes inteligjencës artificiale apo përmes mjeteve të tjera.

Fetvaja nr: 3

A janë të ndaluara vizatimet e qenieve me shpirt përmes inteligjencës artificiale?

Pyetja:

A janë të ndaluara vizatimet e qenieve me shpirt përmes inteligjencës artificiale?

Përgjigjja:

Vizatimet e qenieve me shpirt janë të ndaluara, qofshin ato të realizuara përmes inteligjencës artificiale apo nëpërmjet ndonjë mënyre tjetër.

Në dy Sahihët (Buhariu dhe Muslimi) është përcjellë ngjarja e Aishes Allahu qoftë i kënaqur me të, kur ajo e kishte mbuluar një qoshe të shtëpisë së saj me një perde të hollë. Ajo ishte si një dhomëz e vogël, të cilën e kishte mbuluar me një pëlhurë të hollë. Në njërën prej transmetimeve të Muslimit përmendet se në atë pëlhurë kishte figura kuajsh.

Kur hyri Pejgamberi ﷺ, fytyra e tij ndryshoi nga zemërimi. Ai e largoi perden dhe tha:

“O Aishe! Njerëzit që do të kenë dënimin më të rëndë tek Allahu në Ditën e Kiametit janë ata që imitojnë krijimin e Allahut.

Aishja Allahu qoftë i kënaqur me të tha: Atëherë ne e premë atë pëlhurë dhe prej saj bëmë një ose dy jastëkë”.

(E transmeton Buhariu nr: 5954, dhe Muslimi nr:  2107-92, ndërsa teksti i mësipërm është sipas versionit të Muslimit).

Pra, vizatimin e kuajve, Pejgamberiﷺ  e kundërshtoi me ashpërsi të madhe. Madje, fytyra e tij ndryshoi nga zemërimi dhe ai e largoi perden. Ai na tregoi se ata që veprojnë kështu do të jenë ndër njerëzit me dënimin më të rëndë në Ditën e Kiametit.

Gjithashtu, Pejgamberiﷺ  e sqaroi edhe arsyen e këtij ndalimi, e cila është imitimi i krijimit të Allahut të Madhëruar. Kjo do të thotë përngjasim dhe imitim i krijimit të Allahut.

Kjo dëshmon se arsyeja e ndalimit të paraqitjes së figurave është imitimi dhe përngjasimi me krijimin e Allahut të Lartësuar.

Prandaj, vizatimi i qenieve me shpirt nuk lejohet në asnjë mënyrë. Mirëpo, nëse dikush dëshiron të krijojë një figurë të një qenieje me shpirt përmes inteligjencës artificiale, mund t’i kërkojë inteligjencës artificiale që ta krijojë atë figurë duke i fshirë tiparet e fytyrës, në mënyrë që të mos duken sytë, hunda dhe goja. Sepse, kur fshihen tiparet e fytyrës, ne kete rast nuk ekziston më pengesa fetare.

Autori:

Shejh Dr. Sa’d ibn Turki el-Hathlan, ish anëtar i Këshillit të Dijetarëve të Mëdhenj, në Arabinë Saudite (Hej’etu Kibaril Ulema’)

https://saadalkhathlan.com/fatwas/48106
https://saadalkhathlan.com/fatwas/48780#f+131491+2+3
https://saadalkhathlan.com/fatwas/49302

Përktheu dhe pershtati: Dr. Behar Hyseni

Loading...