Përtej Llogarive Njerëzore

• November 25, 2026

Nga gjërat më të habitshme që i ndodhin njeriut është fakti se ai beson me bindje se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë, e megjithatë ndalet te pragu i duasë për të kërkuar aq sa i lejojnë llogaritë e tij njerëzore, dhe jo aq sa i takon gjerësisë së fuqisë hyjnore!
Duket sikur ka frikë se mos rëndon mbi thesaret (e Allahut) që nuk shterojnë kurrë, ose sikur e quan të tepërt për Atë që solli në jetë shkaqet, që t’i mundësojë atij një shkak që s’i kishte shkuar kurrë në mendje…
Meditoni në lutjen e Profetit Sulejman — alejhi selam:
O Zot, më fal mua dhe më jep një pushtet që nuk i takon askujt tjetër pas meje! Vërtet, Ti je Dhuruesi i madh. Sad: 35.
Ai nuk kërkoi thjesht një sundim të gjerë, por kërkoi një pushtet unik, që s’do ta kishte askush pas tij; kështu Allahu iu përgjigj, ia nënshtroi erën dhe xhindët, dhe i fali nga shkaqet e pushtetit aq sa kapërceu kufijtë e zakonshëm të fuqisë njerëzore…
Vini re se ai e nisi duamë me kërkimin e faljes para pushtetit; dhe duket qartē se madhështia e asaj që kërkonte nuk e hutoi nga madhështia e qëndrimit para Allahut.
Po ashtu shikoni Profetin Zekerija — alejhi selam —, i cili kishte mbërritur skajin e pleqërisë, ndërsa bashkëshortja e tij ishte sterile, e megjithatë ai u lut: O Zot, mos më lër të vetëm, se Ti je trashëgimtari më i mirë.” Enbija: 89.
Në tregimin e jetës së tij ishin ngërthyer të gjitha kufizimet e pafuqisë njerëzore, por ato nuk u shndërruan kurrë në zemrën e tij në kufij që mund të pengonin vullnetin hyjnor…
Kështu i mbërriti përgjigjja: Ne iu përgjigjëm atij, i dhuruam Jahjanë dhe ia bëmë të aftë bashkëshorten e tij.” Enbija: 90.
Dhe ja ku qendron ai kuptimi që duhet të ngulitet përgjithmonë në zemër:
Shkaqet mund ti kufizojnë llogaritë njerëzore, por ato kurrë nuk e kufizojnë fuqinë e Krijuesit të njerëzve.
Ne e matim të mundshmen me çfarë njohim, dhe e gjykojmë të ardhmen me çfarë kemi dëshmuar, por pastaj harrojmë se dija jonë është e brishtë dhe e kufizuar, dhe se Allahut — i Madhëruar — nuk i vështirësohet asgjë nga ajo para së cilës mendjet tona dorëzohen…
Megjithatë, besimi i vërtetë në lutje nuk është mendimi se Allahu (qoftë larg kësaj) është i detyruar të përmbushë në mënyrë skematike formën që ne kemi vizatuar për dëshirat tona, por është siguria e patundur se Ai dëgjon, di, vlerëson dhe zgjedh me urtësi e mëshirë të pakufishme.
Kështu, përgjigjja mund të jetë dhënie e drejtpërdrejtë e asaj që kërkon, mund të jetë largim i një rrebeshi (sprove) që të kanosej, ose një e mirë që mund t’a depozitojë e që mendja jote nuk e koncepton dot tani.
Prandaj, ngushtësinë e realitetit tënd të cilin po e jeton mos e bëj matës të shpresës tënde, ashtu sikurse vonimin e përgjigjes mos e bëj si dëshmi të shkëputjes së mëshirës…
Kërko prej Allahut atë para së cilës çalojnë mundësitë e tua, e mos kërko prej Tij atë që cënon urtësinë dhe ligjin e Tij; ushqe mendim të mirë për Të, pa u bërë mësues i mënyrës se si Ai duhet të të përgjigjet.
Kulmi i besimit nuk është të mendosh se Allahu do të japë çdo gjë që të dëshiron egoja, por të kesh siguri të plotë se thesaret e Tij nuk i shteron asnjë kërkesë, dhe se urtësia e Tij nuk gabon kurrë, qoftë kur jep, qoftë kur privon…
Lutu me një zemër që nuk e kufizon fuqinë e Allahut, dhe kënaqu me një shpirt që nuk guxon kurrë t’ia gjykojë urtësinë Allahut…
Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...