Rregulla të arta për kundërpërgjigjet ndaj të devijuarve

October 21, 2014

Një vëlla thotë: Domosdoshmëria e kërkon që t’i kundërpërgjigjemi të ashtuquajturit Adnan Ibrahim i cili ka çorientuar shumë prej të mençurve të këtij umeti, i ka devijuar ata nga metoda profetike dhe ka hedhur dyshime mbi sunetin. Ka mohuar dexhalin dhe zbritjen e Isait dhe ka ofenduar disa nga sahabët, si: Aishja, Ebu Hurejra dhe Muauije, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Ai thërret gjithashtu në pasimin e logjikës dhe dhënien përparësi asaj, lënien mënjanë të sunetit dhe mjaftimin me Kuranin, dhe të tjera devijime si këto. Shpresojmë prej jush t’i kundërpërgjigjeni atij gjerësisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

Përgjigje: Më ka ardhur lajmi se dikush prej vëllezërve tanë ka shkruar një libër të posaçëm si kundërpërgjigje ndaj tij dhe ka qenë i suksesshëm në këtë. Për këtë Allahut i takon falënderimi dhe prej Tij është mirësia!

Dije – më mësoftë Allahu mua dhe ty – se nuk ka të mirë apo të keqe që të mos ketë baza dhe rrënjë tek të parët. Njerëzit e hajrit në këtë kohë dhe në çdo kohë kanë baza që lidhen me Profetin, sal lall llahu alejhi ue sel lem, me sahabët dhe tabi’inët. Po kështu dhe njerëzit e sherrit askush nuk vjen me një të keqe të re. Mjetet janë të reja, d.m.th. mjetet si: mikrofoni, kanalet satelitore, mjetet e regjistrimit (të zërit dhe pamjes) etj. Këto janë mjete të reja ndërsa lënda e parë e së keqes është e njëjta. Nuk ka të keqe që nuk ka një të kaluar dhe nuk ka të mirë që mos të ketë të kaluar.

Për këtë burrë unë s’kam dëgjuar. Thuhet se është nga Gaza dhe banon në Australi dhe këto i kam dëgjuar nga disa prej vëllezërve tanë.

Unë rehatoj veten time, zemrën time, mendjen time, kohën time dhe nervat e mia nga e keqja e mjeteve të reja të komunikimit. Vëllezërit e mi, Allahu i shpërbleftë me të mira, regjistrojnë (mësimet) dhe i shpërndajnë dhe kjo është pjesëmarrja ime në atë që quhet ‘internet’.

Unë u kam thënë vëllezërve të mi: Kur ishim nxënës në vegjëli, në shkollën fillore shikonim sharjet me shprehje të shëmtuara dhe ofendimet që shkruheshin në dyert e banjave – Allahu ju nderoftë – , i shikonim këto gjëra, dhe të gjithë ne jetojmë pak a shumë në të njëjtin ambient. Banja e sotme ku shkruhen ato që shkruheshin dikur në dyert e banjave është ajo që quhet ‘internet’. Interneti i ngjason banjave të para.

Është e ndaluar fetarisht që të marrësh nga interneti, me përjashtim të ndonjë njeriu besnik. Kush e saktësoi këtë hadith? E saktësoi interneti!!! Dhe e dobësoi interneti! Mirë se vjen internet (ironike)! Hadithin e saktëson dhe e dobëson interneti! Kush është interneti?! Nuk e dimë kush është! Kjo është e ndaluar fetarisht! Marrja e fesë nga interneti është e ndaluar sepse në të gjendet i miri dhe i keqi, i ulëti dhe fisniku. Të gjithë marrin pjesë në të. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, na ka njoftuar se në “kohën e fundit do të pëlqejë çdokush mendjen e vet”, dhe ky pëlqimi shfaqet tani në internet. Prandaj fetarisht nuk të lejohet të dëgjosh (të ndjekësh) këta të humbur.

Një njeri si ky me këtë përshkrim a ka ardhur me ndonjë të keqe të re? A ka ardhur me ndonjë gjë të re? Nuk ka ardhur me ndonjë të re. Baza që përmendi vëllai: hedhja e dyshimeve për sahabët, dyshimet mbi hadithet, përdorimi i logjikës dhe hedhja poshtë e teksteve të shenjta (haditheve), bazat e kujt janë këto? Bazat e kujt janë këto o vëllezërit e mi? Këto janë bazat e mu’tezilive, hauarixhëve tekfirsa. Feja e mu’tezilive mbi çfarë bazohet? Mbi dhënien përparësi të logjikës ndaj teksteve të shenjta. E gjithë feja e tyre është e bazuar mbi dhënien përparësi logjikës para teksteve. Këto janë bazat e mu’tezilive, kështu që me lehtësinë më të madhe dikush që thërret për në i’tizal, çfarë i themi atij? I themi: I humbur, humbës, bidatçi, dhe u rehatuam. U rehatuam dhe mbaroi çështja.

Unë i pyes vëllezërit e mi që ndjekin këtë burrë dhe dëgjojnë prej tij: Përse merreni me të?! A nuk i njihni imamllarët e ehli sunetit? Përse nuk dëgjoni imamllarët e ehli sunetit? Përse i humbisni kohët tuaja dhe u shkaktoni dhimbje kokave dhe zemrave tuaja, dhe i mbushni kohët tuaja me gjëra të këqija?!

Pasha Allahun vëllezër! Disa dyshime që hidhen, për t’i hedhur poshtë dijetari ka nevojë për orë të tëra studimi dhe kërkimi. E si mund të jetë gjendja e njeriut kur në zemrën e tij vijnë dyshime pas dyshimesh?! Këto dyshime lënë ndikim tek njeriu dhe patjetër që pasojat e tyre do shfaqen qoftë edhe në çastet e vdekjes.

Thotë imam Ibën Kajimi: “Më këshilloi shejhu im Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, duke më thënë: O bir! Bëje zemrën tënde si pasqyra dhe mos e bëj si sfungjeri, sepse kur sprovat bien te pasqyra ajo i reflekton ato (i kthen mbrapsht) ndërsa kur bien te sfungjeri ai i përthith. Patjetër që pasojat e tyre do shfaqen qoftë dhe në shtratin e vdekjes!”

Ta takosh Allahun duke i urryer shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!!! Allahu na ruajt! Sa i keq është ky rob! Të takosh Allahun duke i urryer të dashurit e Allahut të Lartmadhëruar! Të urresh ata që ndihmuan Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të?!

O njerëz! Profeti salall-llahu alejhi ve sel-lem bëri krushqi me Muauijen dhe mori për grua motrën e Muauijes. Sikur Muauija të ishte njëri i keq dhe i prishur (a do ta kishte futur në shtëpi Profeti?!) Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk gjeti të lidhej veçse me njerëz të këqinj?!!! Këta njerëz a kanë logjikë?!

Dikush nga imamllarët e Ehli Sunetit thoshte: “Muauija është daja i besimtarëve”. O ti që shan Muauijen! Ti po shan dajën tënd. (Sh.p.: E nëse thotë se nuk e kam dajë kjo është më e keqja, sepse e ka nxjerrë veten nga rradhët e besimtarëve pa e kuptuar). Përse Muauija është daja ynë? Sepse motra e tij është nëna jonë. (Sh.p.: Sepse Allahu thotë: “Dhe gratë e tij (Profetit) janë nënat tuaja.” | Ahzab: 6 |

Njëri prej imamllarëve si (Abdullah) Ibën Mubareku thoshte: “Pluhuri që ka hyrë në hundën e kafshës së Muauijes është më i mirë se e gjithë toka e mbushur me njerëz si Umer ibën Abdulazizi (tabiin).”

Pasuesit e bidateve (janë dinakë) dhe kur duan të shajnë Muauijen thonë për Umer ibën Abdulazizin se është udhëheqësi i pestë i drejtë. Ai që thotë për Umer ibën Abdulazizin se është halifja i drejtë i pestë, çfarë ka për qëllim? Ka për qëllim të shajë Muauijen. Disa njerëz (sh.p. janë shumë të rafinuar), dhe kur duan të shajnë dikë lavdërojnë atë që është përballë tij (në pozitë). Synimi i tij me këtë lavdërim është të ofendojë tjetrin. Umer ibën Abdulazizi është prej të devotshmëve dhe prej të drejtëve, dhe është prej njerëzve që e duam. E lusim Allahun e Lartmadhëruar të na bashkojë me të dhe me Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në Xhenet. Ku krahasohet tabiini me sahabin?!

Dijetarët thonë: Sahabiu i cili ka parë fytyrën e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, edhe sikur të ketë qenë foshnje që nuk kupton gjë parja e fytyrës së Profetit ka një veçanti dhe ndikon në brendësinë e njeriut. Me të njeriu ngrihet në një gradë që nuk e arrin askush ndonjëherë. Sahabi i vogël i cili e ka parë Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk ka dëgjuar dhe as ka kuptuar gjë prej tij, ky ka një pozitë të veçantë. Për këtë dijetarët tanë thonë: “Sahabij sepse ka parë Profetin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe tabiin sepse nuk ka transmetuar direkt prej tij (por prej një sahabi apo tabiini).” Parja e Profetit ka ndikim tek ai, lë gjurmë në devotshmërinë e njeriut dhe në brendësinë e tij. E si është puna me atë që ka qenë krushk i Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka hyrë e ka dalë tek shtëpia e tij dhe Profeti ka hyrë tek ai?

Ata që hedhin dyshime mbi këta njerëz nuk i frikësohen Allahut. Ata hedhin dyshime në themelet e palëkundshme të këtij umeti. Në vend që të ruajmë gjërat e palëkundshme të fesë sonë dhe të ecim përpara që t’i shërbejmë fesë sonë dhe ta përhapim atë, po ndalojmë dhe po kthehemi pas. Duhet t’iu kundërpërgjigjemi atyre që hedhin dyshime në themelet e fesë për fat të keq!

Përktheu: Emin Bilali

Dosje:

Loading...