Vargu “Shenjat e kiametit”. Shenja 25: Shfaqja e lakmisë.

November 4, 2014

Shenja e njëzetepestë e afrimit të Orës së Fundit të dynjasë.

Ebu Hurejra – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Prej shenjave të afrimit të Orës së Fundit është shfaqja e lakmisë” e transmeton Taberani.

Në një transmetim tjetër Ebu Hurejra – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Do të shkurtohet koha, do të pakësohet dija, do të shfaqen (shtohen) sprovat, do të hidhet në zemra lakmia dhe do të shtohen vrasjet” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ibn Batal në komentimin e këtij hadithi thotë: “Të gjitha këto janë lajmërime (profeci) të Profetit – alejhis selam – për shenjat e Orës së Fundit dhe i kemi parë ato me sy. Është pakësuar dija, është shfaqur injoranca, është hedhur lakmia në zemra, janë përhapur sprovat dhe janë shtuar vrasjet.”
Abdullah bin Mesudi radiallahu anhu gjithashtu tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Po vjen ora e fundit, dhe njerëzit nuk po shtojnë ndaj dynjasë veçse lakminë dhe ndaj Allahut veçse largësinë”. E transmeton Hakimi dhe e saktëson sheikh Albani.
Ebu Thalebe El-Khushenij tregon se e ka dëgjuar Profetin – alejhis selam – duke thënë: “Kur t’i shohësh njerëzit pre të lakmisë, duke ndjekur epshet, duke iu dhënë përparësi dynjasë dhe (kur të shohësh që) çdo njeriu t’i pëlqejë mendimi i tij, atëherë kushtoju vetes tënde[1] dhe lëri njerëzit, sepse më pas do të vijnë ditë që kanë nevojë për durim. Ai që bën durim në atë kohë është si ai që mban në dorë prushin (thëngjillin që digjet), dhe ai që punon sipas fesë së Allahut do të ketë shpërblimin e pesëdhjetëve prej jush”. E transmeton Ebu Daudi dhe Termidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.

Kuptimi i lakmisë.
Fjala e përdorur ne hadith në gjuhën arabe është “Shuhh” dhe ka një lidhje me fjalën “Bukhl” që do të thotë koprraci.
Ibn El-Kajim thotë në lidhje me dallimin mes këtyre dy fjalëve: “Dallimi mes ‘Shuhh’ lakmisë dhe ‘Bukhl’ koprracisë është se ‘Shuh’ quhet dëshira e flaktë për diçka, përkushtimi në kërkimi i saj, këmbëngulja në arritjen e saj dhe pangopësia e shpirtit për të; kurse ‘Bukhl’ quhet mos-shpenzimi pas arritjes së saj, lidhja pas saj dhe mbajtja e saj. Pra, lakmia është e fshehtë në shpirt dhe fton për koprraci, dhe koprracia është fryti i lakmisë.”
Kjo që thotë Ibn El-Kajimi përkrahet nga një hadith i Profeti – alejhis selam -, siç tregon Abdullah bin Amr bin el As – radiallahu anhu – se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Ruajuni lakmisë sepse lakmia i ka shkatërruar ata që ishin para jush: i shtyu për koprraci dhe i shtrënguan duart, i shtyu për padrejtësi dhe bënë padrejtësi dhe i shtyu për prerje të lidhje farefisnore dhe i prenë” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Në këtë hadith duket qartë se lakmia është ajo që nxit për koprraci, dhe jo vetëm për të por edhe për vese të tjera të këqia si: padrejtësia dhe prerja e lidhjeve farefisnore.

Lakmia dhe natyra e njeriut.
Allahu i Madhëruar njofton në Librin e Tij se lakmia është në natyrën e njeriut, siç thuhet në ajetin ku përmendet ftohja e burrit ndaj gruas së tij dhe animi i tij nga ndarja: “Nëse një grua i frikësohet ftohjes së burrit të saj, nuk ka gjynah për ta që të bëjnë marrëveshje, sepse marrëveshja është më e mirë se ndarja, por shpirtrat lakmojnë. Nëse bëni bamirësi dhe tregoni devotshmëri, Allahu është i mirënjoftuar për atë që punoni” Suretu En-Nisa 128.
Fjala e Allahut “por shpirtrat lakmojnë” tregon se shpirtrat kanë prirje për të këmbëngulur gjithsecili prej tyre në hakun e tij: gruaja në të drejtën e saj për shtratin dhe shpenzimet, kurse burri në të drejtën e tij për ta ndarë, dhe për pasojë nuk arrihet marrëveshja.
Pastaj Allahu e përfundon ajetin me fjalën “Nëse bëni bamirësi dhe tregoni devotshmëri, Allahu është i mirënjoftuar për atë që punoni” gjë që do të thotë se: nëse njerëzit bëjnë mirësi duke lëshuar pak nga e drejta e tyre, atëherë mund të arrihet marrëveshja dhe shpëton martesa, dhe kjo është punë e mirë për të cilën Allahu shpërblen.
Mirëpo që të lëshosh prej të drejtave të tua dhe t’i japësh përparësi tjetrit – duke mposhtur kështu lakminë – kërkon besim dhe devotshmëri, çka do të thotë se nuk mund ta bëjë këtë gjë veçse besimtari. Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër tregon se si ensarët i jepnin përparësi vëllezërve të tyre muhaxhirë: “Ata të cilët banonin në vendin e tyre dhe pranuan besimin (ensarët banorët e Medines), i duan ata të cilët emigruan (muhaxhirët, banorët e Mekes), dhe nuk ndjejnë ngushti në kraharor kur u jepet diçka. Ata u japin përparësi të tjerëve edhe nëse vetë kanë nevojë, dhe kush ruhet prej lakmisë së shpirtit të tij ka shpëtuar” (Hashr: 9)
Në këtë ajet janë përmendur lakmia dhe e kundërta e saj që është dhënia përparësi tjetrit, dhe është përmendur gjithashtu edhe besimi, i cili kur pushton zemrën vë nën kontroll lakminë, siç ndodhi në marrëdhëniet mes ensarëve dhe muhaxhirëve.
Pra nëse njeriu ka në zemër bamirësi e devotshmëri – të cilat janë cilësi besimi -, ai e mposht lakminë, dhe kur nuk i ka ato, atëherë lakmia e mund atë, siç ndodh me munafikët të cilët nuk i japin asnjëherë përparësi tjetrit. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran “Ata lakmojnë vetet e tyre (nuk japin ndihmë në luftë as me pjesëmarrje dhe as me pasuri): kur vjen frika, të shohin ty (me mjerim) dhe u rrotullohen sytë si atyre që u ka ardhur vdekja dhe kur ikën frika, ju marrin nëpër gojë me gjuhët e tyre të mprehta, ata janë lakmues ndaj së mirës. Ata nuk kanë besuar dhe Allahu ua ka shkatërruar punët, dhe kjo për Allahun është e lehtë” (Ahzab: 19)
Pra shkaku se përse ata lakmojnë është se: nuk kanë besim në zemrat e tyre për të mposhtur natyrën lakmuese të shpirtit.

Mposhtja e lakmisë tek sahabët.
Enes bin Malik radiallahu anhu tregon: “Muhaxhirët i thanë Profetit – alejhis selam : O i Dërguari i Allahut, nuk kemi parë më të mirë se ky popull (dmth: ensarët) në ngushëllim kur kanë pak, dhe as (kemi parë si ata në) dorëdhënie kur kanë shumë! Ata na siguruan ushqim dhe na bënë vend në çdo gjë të rehatshme, aq sa druhemi se ata do ta marrin gjithë shpërblimin. Profeti – alejhis selam – u thotë: “Jo, përderisa t’i lavdëroni ata dhe t’i luteni Allahut për ta” e transmeton imam Ahmadi dhe e saktëson sheikh Albani.
Enes bin Malik radiallahu anhu tregon përsëri: “Profeti – alejhis selam – i ftoi ensarët për t’ju dhuruar atyre Bahrejnin (emër vendi që edhe sot njihet me të njëjtin emër: Shteti i Bahreinit). Ata i thanë: Jo, derisa tu japësh edhe vëllezërve tanë muhaxhirë aq sa ne. Atëherë Profeti – alejhis selam – u thotë: “Nëse jo, atëherë bëni durim derisa të takoheni me mua (në Botën Tjetër), sepse pas meje do t’ju prekë lakmia” e transmeton Buhariu.

Disa hadithe në lidhje me lakminë.
Kab bin Malik – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Nuk janë dy ujq të uritur për një kope, më shkatërrimtarë se lakmia e njeriut për pasuri dhe pozitë në fenë e tij” e transmeton Termidhiu dhe e saktëson sheikh Albani.
Ebu Hurejra – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Nuk bashkohet asnjëherë lakmia dhe besimi në zemrën e robit” e transmeton Nesai dhe e saktëson sheikh Albani.
Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Cilësitë më të këqia që mund të ketë burri janë: lakmia e madhe dhe frika e madhe”. E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Enes bin Malik, Abdullah bin Abas dhe Ebu Hurejra -radiallahu anhum- tregojnë se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Tre gjëra janë shkatërruese dhe tre të tjera janë shpëtuese” Pastaj tha: “Tre shkatërrueset janë: lakmia kur i nënshtrohesh, epshi kur pasohet dhe pëlqimi i vetes. Tre shpëtueset janë: Frika nga Allahu në vetmi dhe në publik, mesatarja në varfëri dhe pasuri, dhe drejtësia në zemërim dhe kënaqësi” e saktëson sheikh Albani nga një grup hadithesh.

Shfaqja e lakmisë si shenjë e Orës së Fundit të dynjasë.
Thamë që lakmia është në natyrën e njeriut, dhe njeriu me besim e vë atë nën kontroll, dhe shfaqja e saj si dukuri para Ditës së Kiametit mund të thotë dobësimi i besimit te njerëzit e asaj kohe, dhe për pasojë të saj shtimi i lakmisë ose i ndikimit të saj.
Mirëpo po ta shohim me vëmendje fjalën e Profetit – alejhis selam: “do të hidhet lakmia” na jep të kuptojmë se lakmia në Kohën e Fundit do të hidhet mbi atë që është në natyrën njerëzore 9 do të shtohet). Ibn Haxher thotë: “Nuk është për qëllim ajo që është në natyrën njerëzore, sepse ajo vazhdon të jetë me njerëzit.”
Ibn El-Kajimi –Allahu e mëshiroftë- shpjegon më tej dhe thotë: “Do të hidhet lakmia në zemrat e njerëzve të asaj kohe, secili sipas gjendjes së tij, derisa dijetari ta mbajë dijen e tij, zejtari zanatin e tij dhe i pasuri pasurinë e tij, dhe nuk është për qëllim se lakmia do të hidhet për herë të parë, sepse ajo vazhdon të jetë në natyrën njerëzore, përveç atyre që i ka ruajtur Allahu.”

(Lusim Allahun të na ruajë prej lakmisë)

 

 

[1] Shënim i redaktorit: Shejkh Mesh’hur Hasen – Allahu e ruajtë – e shpjegon këtë duke thënë: “Merru me rrethin tënd të afërt, këshilloi ata që ta dëgjojnë fjalën, tek të cilët ke ndikim: familjarët e tu, shokët e tu të afërt”

Loading...