Artikulli i parë: Mësimi dhe edukimi i femrave (pjesa e parë).
Falënderojmë Allahun e Madhëruar dhe paqe e përshëndetje çojmë mbi Profetin e të Dërguarin e Tij, e mbi të afërmit dhe shokët e tij.
Në këtë çështje sot ekzistojnë tre mendime:
Mendimi i parë: Të mos u mësosh atyre më shumë se leximin e Kuranit pa e kuptuar.
Kanë thënë përfaqësuesit e këtij mendimi: Kjo është nga rrugët më të mira dhe më përparësore për të qenë e saktë. Rruga në të cilën kemi gjetur baballarët tanë, e ata kanë qenë më të mirë se ne. Shkollimi i grave iu prish atyre moralin, se gruaja që nuk lexon e as shkruan është larg nga cytjet e shejtanëve njerëz. Sepse, – siç dihet – lapsi është njëra nga dy gjuhët, pra duke mos ditur shkrim e këndim ruhet nga sherri i kësaj gjuhe, dhe me një veshje të plotë (hixhabi) ruhet nga sherri i gjuhës së dytë, dhe kështu fiton siguri.
Sa e sa të shkolluara kemi parë, s’u ka ardhur e keqja veçse nga shkollimi, e kjo në kohë të Islamit, të nderit dhe krenarisë arabe, ndërsa në këto kohë është mbushur kupa, ka shkuar e grisura sa se kap as arna. Vajza që di të lexojë, në trurin e asaj arrijnë të gjitha ato që ndodhin në dynja prej fesadit[1] a dashuriçkave, ia mbushin mendjen me vese të liga, prej të cilave ishte e pastër.
Dhe siç ka ardhur në hadith: “Mos i lini të banojnë me ju në dhoma dhe mos ua mësoni shkrimin, por mësojuani tjerrjen (endjen) dhe suren En-nur”.[2] Pra kjo është edukata e duhur se të mësuarit e shkrimit është mjet letërkëmbimi me të shthururit, kurse banimi me to në një dhomë është mjet që të çon në bashkëbisedim, qoftë dhe me gjeste me imoralët; kurse mësimi i tjerrjes është punë e dobishme, dhe është fizkulturë për trupin dhe mendjen. Kjo gjë (qëndisja) sjell edhe pasuri, e cila i ndihmon në jetesë. Ndërsa mësimi i sures En-nur i mban të pastra moralisht, sepse aty përmendet dënimi i zinasë (imoralitetit) dhe largimi prej saj, dënimi i shpifjes[3] dhe qortimi i shpifësit; në të është gjykimi i mallkimit[4], turpi dhe poshtërimi i mallkuesve.
Aty është historia e shpifjes[5] dhe gruas së pastër e cila është larg nga ajo që i shpifin. Në atë sure shfaqet qartë se çfarë ka përgatitur Allahu për ata që akuzojnë për zina gratë e pastra, të pavëmendshme, besimtare në Allahun, për ta ka dënim të ashpër në Dynja dhe Ahiret. Në të është urdhri i Allahut për besimtarët e besimtaret që të ulin shikimin, mbulimi i bukurisë dhe ndalimi i shfaqjes së stolive, dhe kjo pasha Allahun është edukata më e mirë për femrën. E sikur të punonin njerëzit me këtë hadith do të rregullohej çështja e grave, do të shihnin njerëzit pastërti dhe nder, gjë që se kanë parë prej shumë kohësh.
Mendimi i dytë: Mësimi dhe edukimi i tyre sipas metodës së thirrësve evropianë.
Kanë thënë përfaqësuesit e këtij mendimi: S’duam të zgjatemi shumë me çfarë është thënë e të humbim kohën në diskutime boshe. Ka popuj të ngritur, të lirë, të lumtur në jetë, dhe të tjerë të ulët, robër, të mjerë në jetë, dhe pasi studiuam, gjetëm se shkak i lumturisë së atyre dhe mjerimit të këtyre është puna dhe pasuria, kështu që vendosëm të ndjekim popujt e ngritur, të bëhemi si ata; të ndjekim shembullin e tyre në nxënie e mësimdhënie, në edukim dhe të menduar, në të veshur e në jetesë, në sistemin politik e në çdo gjë.
Prej kësaj (metodologjie evropiane) është edhe mësimi dhe liria e gruas, barazia me burrin në çdo gjë që mundet, pa kufi a kusht. Kjo është ajo që besojmë dhe punojmë për zbatimin e saj.
Ndërsa metoda juaj, është groposje e grave në varrezat e shtëpive të tyre dhe ndalimi i tyre nga të vepruarit si të dëshirojnë në pasurinë dhe çështjet e veta, të penguarit deri dhe nga frymëmarrja në ajër të pastër, apo nga të parit e rrugës nëse i detyron nevoja të dalin. Madje e keni tepruar duke e bërë pamjen (imazhin) e tyre si diçka që është turp. E keni bërë të mangët edhe pjesën e tyre në trashëgimi, duke u dhënë gjysmën (e asaj që merr burri). Po edhe kjo sikur tu jepej, sepse në të shumtën e rasteve ajo nuk u arrin atyre, sepse duke qenë me mbulesë, qenia e vëllait, babait, djalit të xhaxhait mbikëqyrës të saj, bën që t’i humbasë dhe kjo gjysmë që ia lini, sepse – në të shumtën e rasteve – ky i afërm ia shkel të drejtën e ia ha pasurinë, dhe mbulesa e pengon ta kërkojë të drejtën duke u privuar nga çdo gjë dhe mbetet në errësirën e burgut, i ankohet Zotit për zullumin dhe tiraninë e burrave.
Çështja s’mbaron me kaq, por bota privohet nga gjysma e saj, pavarësisht nëse themi siç thonë evropianët se kjo gjysmë është më e mirë, apo themi se është e barabartë. E si mund të ngjallet një komb me gjysmë plotësisht të vdekur dhe gjysmën tjetër të paralizuar për shkak të injorancës dhe prapambetjes?!
Dhe civilizimi nuk ndahet, ai ose i përfshin të gjithë: baballarë, nëna dhe bij, ose janë të gjithë të ulët. Keni dëgjuar ndonjëherë për një komb me burra të edukuar, të civilizuar e me gra në kulmin e injorancës, vetmisë dhe distancimit nga jeta?
E përse të mos bëhet gruaja udhëheqëse, mbretëreshë, kryetare, avokate, deputete në parlament, anëtare në dhomën e senatit? A nuk është rruga për te kjo: mendja, morali, forca e inteligjencës dhe miradministrimi? A guxoni të pretendoni se gruaja është e privuar nga mendja dhe logjika, s’bën për gjë tjetër veçse për riprodhim si kali apo lopa!? Atëherë i keni ulur nënat tuaja në rangun më të ulët!
S’ka dyshim se mendime të tilla i zbresin popujt nga lartësitë e tyre, i veshin me rrobën e amullisë,dhe i ulin ata në nivelin e barbarisë.
Sa miliona gra kanë marrë pjesë në luftën e fundit (luftën e dytë botërore)? Dhe sipas kësaj mendësie të braktisur, s’ka asnjë grua të vetme – mes grave të varrosura në birucën e shtëpive -, të ketë mundësi të hedhë një shigjetë në mbrojtje të vatanit.
Ndërsa sa për rebelimin tuaj në ruajtjen e nderit, ky është zakon dhe zakonet gjithmonë kanë prirje të ndryshojnë, edhe nëse deri dje ka qenë një nga çështjet që shihej me shumë vëmendje, ai sot është nga çështjet që konsiderohen tallje. Kemi parë burra të mëdhenj në vendet e ngritura me pushtet absolut dhe mes tyre filozofë, shkencëtarë, prijës e ministra, nuk i përmendin këto çështje e as nuk i llogarisin fare; tek ata është përcaktuar se vajza po mbushi shtatëmbëdhjetë vjeç, është e lirë të bëjë ç’të dojë, të rrijë me atë që do, të udhëtojë vetëm – natën apo ditën – dhe ne i ndjekim këta popuj, ecim në gjurmët e tyre në të gjitha çështjet.
Mendimi i tretë: I mesëm mes të parit dhe të dytit.
Ka marrë të mirën dhe të saktën e secilit (mendim), dhe ka lënë të keqen e gabimet. Dhe kjo duke i dhënë gruas arsimin që i përshtatet asaj, në mënyrë që ajo të përmbushë atë për të cilën është krijuar, që është:
Së pari: administrimi i shtëpisë, dhe mbushjen e saj me lumturi dhe rregull, dhe ta bëjë atë çerdhe për bijë e bija të devotshëm.
Së dyti: të jetë ndihmëse e burrit në të gjitha çështjet e jetës, luftës dhe moralit.
Kanë thënë përfaqësuesit e këtij mendimi: Përfaqësuesit e mendimit të parë janë ekstremistë, ndërsa ata të mendimit të dytë janë liberalë. Kurse ne u kundërvihemi të dyja palëve, ua qartësojmë gabimet që kanë, duke filluar me përfaqësuesit e mendimit të parë dhe themi:
Ndalimi që ju i bëni gruas nga nxënia dhe kufizimin e arsimit të saj vetëm në mësimin e shkronjave të Kuranit pa e kuptuar atë që lexon, është shumë larg të vërtetës, nuk është as islame, as logjike dhe as shkencore. Nëse pretendoni se është sipas Islamit dhe e ndiqni atë me pasionin më të madh, duke u argumentuar me hadith të rremë, dijeni se ai s’është argument te dijetarët e hadithit. Kjo për sa i përket përcjelljes së tij (transmetimit) deri tek ne (nuk është nga rrugë e saktë).
Ndërsa nga ana kuptimore ai është i pavlefshëm, sepse gratë e Profetit – paqja qoftë mbi të – dinin të lexonin dhe të shkruanin. Ashtu kanë qenë edhe gratë e tjera prej sahabijeve, tabi’ijeve, dhe hafizeve të hadithit, prej të cilave kanë transmetuar dijetarë të mëdhenj. Aq sa edhe librat e transmetuesve të haditheve: (libra hadithi) si “Tehdhib et tehdhib”, “El mijzan”, “Lisanul mijzan”, “El khulasa” dhe para tij “Tabakat ibn S’ad” e shumë libra të tjerë, janë të mbushur plotë me emra dijetaresh, fakihesh apo letraresh. Kjo ka ndodhur në kohën kur Islami lulëzonte, kur rivajetet (transmetimet e haditheve) ruheshin, dhe ushtritë e armiqve ishin të thyera, të dëbuara.
Kurse baballarët tuaj të cilët po doni t’i merrni për shembull në lënien e grave në injorancë, nuk e kanë merituar kurrë të merren për shembull, sepse kohën e tyre pa frikë mund ta quash injoranca e vonshme, dhe e gjithë ajo me të cilën ndeshet Islami sot, është rezultat i punës së tyre.
E megjithatë ne nuk e pranojmë se njerëzit e dijes nga baballarët tuaj kanë pasur këtë mendim të flakur. E si mundet (të kishin këtë mendim), kur në kohën e tyre ka pasur dijetare, letrare edhe nëse të pakta, dhe kurrë nuk është ndërprerë dobia prej atyre grave të mençura?!
Ndërsa fjala juaj: “Lapsi është njëra nga dy gjuhët dhe se gruaja duke mos e ditur këtë gjuhë, e duke i hedhur asaj mbulesën, sigurohesh nga e keqja e këtyre dy gjuhëve”, në këtë pikë keni gabuar shumë rëndë. A nuk e keni parë se vajza që ka marrë edukatë të keqe nuk mund ta ruash edhe nëse është shurdhmemece. Kurse vajza që është edukuar me nder dhe moral, nuk e gjen asgjë e keqe edhe nëse është mes burrave, dhe për këtë s’ka dyshim.
Gratë dikur shoqëronin burrat e tyre nëpër luftëra, dhe Profeti – alejhis selam – i merrte me vete gratë e tij në luftëra apo haxh. Gratë e sahabëve nuk ngujoheshin në shtëpi, por dilnin për punët e tyre – nëse kishin -, ushqenin kuajt, dhe punonin në pasurinë tyre. Gjithashtu gratë luftonin pas Profetit – alejhis selam – në luftëra[6]. Këto janë të shkruara në librat e hadithit – nuk po zgjatem me përmendjen e tyre – dhe kjo (dalja nga shtëpia për këto punë) nuk i dëmtonte ato, për shkak të forcës së besimit dhe nderit të lartë.
Kështu që mësimi i shkrim-këndimit në vetvete nuk e bën gruan as të shthurur e as të devotshme, nëse është e devotshme të mësuarit ia shton asaj përkushtimin, e nëse ka marrë edukatë të keqe, të mësuarit ia shton shthurjen, sepse shkrimi dhe leximi janë mjete që mund të përdoren si për mirë ashtu edhe për keq.
Sa për mësimin e sures ‘En-nur’ ajo është ndër më madhështoret me të cilën Allahu ka edukuar muslimanet. Ajo sure është një thesar i çmuar dhe rezervë e pashtershme, por vajza s’duhet t’i braktisë suret e tjera të Kuranit. Dhe rruga për mësimin e Kuranit është të lexuarit, dhe leximi nuk ka dobi pa ditur kuptimin, por kuptimin s’mund ta dish pa mësuar gjuhën, gramatikën e fjalëformimin. E patjetër ai që do të dijë këto duhet të dijë shkrim e lexim, kurse ju ua ndaluat atyre këtë gjë, duke rënë kështu në kontradiktë me veten pa e kuptuar.
E qëllon të vërtetën e nuk e di, dhe gabon e nuk e di,
kjo s’është gjë tjetër veçse injorancë e paaftësi.
Ndërsa mësimi i endjes është gjë e mirë, por më e rëndësishme se kjo – të paktën në qytete -është drejtimi i çështjeve të shtëpisë, përkujdesja për shëndetin dhe gjëra të tjera të ngjashme.
Fjala juaj se vajza në këto kohë po të jetë e shkolluar, kjo gjë bën të depërtojnë në mendjen e saj lloj-lloj të këqijash, nëpërmjet leximit të gazetave a revistave të degjeneruara, kjo është e saktë! Por një injorante është gjithashtu e paraqitur ndaj këtij rreziku. Ajo mund të shkojë në kinema edhe fshehurazi, sikur dhe pak të mbetet pa mbikëqyrës; apo nëpërmjet radios, apo nëpërmjet shoqeve që e vizitojnë e me të cilat bashkëbisedon. Dhe nëse është prishur ambienti nuk ka dobi më izolimi i saj.
Sikur të kritikonit metodat e mësimdhënies së vajzës (programet mësimore), të kërkonit përmirësimin dhe zëvendësimin me metoda që përmbajnë edukatë të pastër, në vend të kundërshtimit absolut për mësimin e saj, kjo do të ishte më me vend.
Ndërsa përfaqësuesit e mendimit tjetër – të kundërt me këtë – kanë toleruar dhe i kanë kaluar kufijtë, e kanë shkuar shumë larg. Prandaj na duhet patjetër ta shkoqisim këtë llogari, të sqarojmë se çfarë përmban kjo fushatë e tyre, dhe të hedhim poshtë argumentet e tyre të dobëta e të kota, të cilat janë më të dobëta se rrjeta e merimangës dhe u themi:
Fjala juaj se bota është e ndarë më dysh: popuj të ngritur, të lumtur dhe të tjerë të ulët, të mjerë është e vërtetë. Fjala juaj se lumturia u ka ardhur nga puna dhe gjendja e tyre (pasuria) edhe kjo është e saktë, por është një gjë që duhet zbërthyer e qartësuar. Sepse duke e parë ashtu në përgjithësi, ju bëri të futeni në ide të gabuara dhe ja tek po e qartësoj:
Së pari: popujt evropianë kundërshtohen shumë mes veti, arrijnë deri aty sa ta konsiderojnë pabesimtarë njëri-tjetrin. Madje katoliku nuk martohet me grua protestante, e nëse guxon ta bëjë këtë, ndëshkohet nga ana e kishës me shkishërim, çka tek ata konsiderohet problem i madh social.
Ata kundërshtohen gjithashtu edhe për metodat e qeverisjes, aq sa kjo i çon në shfarosjen e njëri-tjetrit dhe asgjësimin pa mëshirë. Kundërshtohen edhe në çështjet e grave. Ka prej tyre që e shohin si një domosdoshmëri mbikëqyrjen e gruas dhe ruajtjen e saj në mënyrë absolute. E ka prej tyre që i japin asaj lirinë e plotë në moshën e pjekurisë ligjore, e ka prej tyre që i lejojnë shtëpitë publike – si popujt latinë – për ta kufizuar shthurjen vetëm në vende të caktuara – siç u duket atyre. Dhe këta i trajtojnë prostitutat disi me mëshirë. Ka prej tyre që i ndalojnë me ligj shtëpitë publike – si popujt gjermanë apo britanikë – dhe këta i trajtojnë prostitutat me vrazhdësi, madje i konsiderojnë si shtresë hedhurinash, të neveritshme si mizat. Dhe nuk ia lejojnë një imorali apo imoraleje që të lidhet me ndonjë grua apo burrë me nder e fisnikëri. Kështu ata janë për ta siç ka thënë një poet:
Do të ulesh në një vend të largët prej meje,
o ti fëlliqësirë e fërguar.
Pastaj kjo tolerancë që ekziston tek evropianët në çështjen e nderit, nuk ka qenë rezultat i ngritjes a civilizimit, përkundrazi s’ka lidhje fare me të. Ai është zakon i trashëguar nga të parët e tyre në kohën e injorancës dhe barbarisë, siç e dëshmon edhe historia e tyre. Po ashtu dhe disa popuj jo evropianë rreth detit Mesdhe që janë fise barbare dhe që s’kanë lidhje me Islamin veç emrit si Abn Mukajled, Ajet Sahmani, Ashkajren, Ajet Is’haku, Ajet Huda e të tjerë. Këto fise janë në ngjyrë dhe ftohtësi të gjakut si banorët e Evropës veriore; xhelozia s’ekziston fare tek ata.
Bile unë kam parë se nëse ndonjëri prej tyre e kap gruan e vet me një burrë tjetër, gjuan plumba në ajër jo për të qëlluar ndonjërin prej të dyve, por që çështja të bëhet publike dhe të mblidhen njerëzit nga ana e anës. Thotë njëri prej tyre: “Dëshmoni kundër filanit se ky (bashkëshorti) e ka gjetur atë me gruan e vet”, e ata i thonë: “Do të dëshmojmë për ty atë që kemi parë.” Kur mblidhen të gjithë dhe bashkëshorti i saj e thërret këtë burrin në gjyq, ky vjen e paraqitet para pleqve (gjykatësve), dhe burri e akuzon këtë. Vijnë edhe dëshmitarët që dëshmojnë dhe pas gjithë kësaj i akuzuari refuzon duke thënë: “Unë s’ka bërë gjë”! E ata i ngrenë të paditurit një enë sipas zakonit që t’i paguajë bashkëshortit gjashtë ‘Erile’[7] dhe një dash. Fillon i padituri të kundërshtojë pagimin e gjobave me sa ka mundësi, deri sa bashkëshorti bëhet gati ta vrasë. Këtu ndërhyjnë njerëzit për marrëveshje mes të dyve dhe heq dorë bashkëshorti nga njëra prej dy gjobave: ose dashin ose gjashtë rijalët.
E pse të shkojmë aq larg? Na ka ardhur tek “I sakti i Bukharit” se një burrë kishte një djalë që punonte me pagesë, dhe djali bëri zina me gruan e atij që i shërbente. Ky burri pyeti ca njerëz që mendoi se kishin dije, dhe ata i dhanë fetva se i riu duhet t’i paguante bashkëshortit të gruas njëqind dele, të cilat i pagoi i ati i djalit në vend të tij. Pastaj vajti te Profeti – alejhis selam – ta njoftonte për çka ndodhi. Ai u tha se kishin gabuar në gjykimin e tyre pastaj tha: “Sa për delet ato duhet t’i kthehen babait të punëtorit, kurse punëtori të rrihet me njëqind shkopinj dhe të internohet një vit” Ndërsa te gruaja Profeti – alejhis selam – dërgoi një burrë me emrin Unejs dhe i tha: “Shko te ajo dhe nëse e pohon gjuaje me gurë”.
Pra siç e shikon, ky gjykim barbar ka ekzistuar tek arabët në kohën e Profetit – alejhis selam – dhe të gjithë njerëz janë, nuk ka dallim një popull nga një tjetër, veçse me edukimin e Profetëve ose me kulturë qytetare. Kush ka bashkuar mes të dyjave ka arritur vetë lumturinë.
Dua të them se evropianët nuk kanë toleruar në çështjen e grave për shkak të përparimit e të qytetërimit, por kanë ecur – në këtë problematikë – në rrugën e të parëve të tyre, e kanë miratuar me punë, me shkrimin e historive të ilustruara e të tjera të ngjashme.
Ndërsa liria e gruas nuk ka lidhje me dhunimin e grave dhe prishjen e nderit. Ekziston liria e gruas edhe duke e ruajtur nderin, siç ka dhe skllavëri të gruas e zhytur në imoralitet.
Dhe ne i kemi gjetur baballarët tanë të cilët drejtuan botën me shkencë, moral, civilizim, e përparim. Ndërsa ne ishim pasardhësit më të këqij të paraardhësve më të mirë. Ata ishin – në çështjen e grave – në rrugë të drejtë. Tek ata gruaja ishte pjesëmarrëse e gjallë dhe aktive në dije, në punët e shtëpisë e të bujqësisë dhe në mejdanin e luftës. E mbuluar me hixhab i cili i ruante nderin dhe pozitën e saj. Nuk e pengonte njeri të merrte të drejtën nëse i bëhej padrejtësi, as nga pjesëmarrja me burrat në punë në kohë paqeje a lufte, kur e lypte nevoja. Për këtë shkak të parët tanë arritën kulmin e civilizimit dhe majën e zhvillimit, të gjithë burra e gra. Edukata e Kuranit nuk e ka penguar gruan nga civilizimi, përkundrazi ajo e ka çuar atë lartë, duke ia ruajtur dlirësinë, mendjen dhe nderin.
Kurse baballarët tanë devijuan nga rruga e fesë në të cilën ecën gjyshërit tanë, dhe i lanë dijet e dynjasë dhe të fesë. Kur dështuan të ngrenë kalanë e nderit e moralit të lartë, dështuan në zbatimin e sheriatit të madhëruar, me të cilin u dërgua Muhamedi – paqja qoftë mbi të, iu kthyen fshehjes dhe arratisjes, e tejkaluan me hixhabin derisa i ngujuan gratë siç e përmendët, i penguan të dalin, e nëse dilnin i detyronin të mbulonin fytyrën, përveç një apo gjysmë syri. Zërin e tyre e konsideruan turp. Të folurit me burra – edhe nëse këta ishin të devotshëm dhe në praninë e mahramit[8], apo bashkëshortit – e quajtën paturpësi.
Madje shkuan edhe më larg, saqë disa prej tyre thanë që të ndalohen (gratë) nga mësimi i shkrimit e këndimit. Dhe kështu humbën të drejtat e tyre të cilat ua dha sheriati me të cilin u dërgua Muhamedi alejhis-selam si: trashëgimia, shitblerja, dëshmia, sipërmarrja e të gjitha veprimet, duke ngjarë kështu më shumë me të vdekurit se me të gjallët.
Madje ka vajtur çështja deri aty, sa është bërë zakon ngujimi i virgjëreshës në dhomat e errëta dhe mbulimi i tyre edhe para grave, duke mos e parë as prindërit e as vëllezërit. Dhe kështu doli jashtë loje tradita profetike, për të cilën Profeti i nderuar – alejhis selam – ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju do të martohet me një grua le ta shikojë atë, kjo e bën më të fortë lidhjen mes tyre”[9]. Që domethënë se kjo është më e qëlluar që të bien dakord mes tyre, nëse secili e shikon tjetrin pa dyshim dhe as veçim[10]. (Në një vend dhe në rrethana që mbajnë larg dyshimet e njerëzve).
Krimet që kanë ndodhur me tejkalimin e mbulesës (jo sipas sheriatit) janë të shumta dhe të dukshme. Për këtë shkak kanë ndodhur incidente falsifikimi në martesë. P.sh nëse një burrë ka dy vajza: njërën të bukur e tjetrën të shëmtuar, nëse vjen dhëndri nuk i njeh ato, as ky as gruaja që e zëvendëson atë në takim[11] dhe e bukura quhet Lejla kurse e shëmtuara quhet Dead; përpiqen me të gjitha mënyrat ta mashtrojnë se e shëmtuara është e bukura dhe ia ngatërrojnë dhe ndodh katastrofa në kokë të dhëndrit të shkretë, e i shkon pasuria kot.
Dhe nëse ngrihen burra të mençur e të devotshëm ta ndryshojnë këtë zakon e t’i kthejnë gratë siç kanë qenë në kohën e Profetit (alejhis selam) – me edukatën e uljes së shikimit e të tjera si këto — zakon ky që ekziston te gratë e fshatrave dhe stepave në të gjitha vendet islame, që me shfaqjen e Islamit deri sot –, do të duhej të punonte për ndreqjen e tyre me stërmundim. Por shumica e atyre që thërrasin në të ashtuquajturin “emancipim i gruas” dhe dhënien e të drejtave të saj, nuk gëzojnë mirëbesim dhe vend në zemrat e njerëzve, as nuk u qetësohet shpirti. Kjo sepse ata s’kanë moral dhe as xhelozi për fenë dhe nderin. Shumica i akuzojnë ata se fshehin në thirrjen e tyre qëllime të tjera, si qëllimet e ujkut në kullotën e bagëtisë. Këta nuk ankohen se gratë edhe nëse i ka gjetur bela e madhe nga tejkalimi me mbulesën, e keqja që i ka gjetur dhe do t’i gjejë me zbulimin dhe shthurjen nuk ka kufij, se kjo është në buzë të greminës më shumë se e para.
Problematikën e përmirësimit të çështjes së grave se ka kuruar dot mjek apo shërues. Ajo ka qenë mes dy grupeve tolerantë dhe ekstremistë dhe sikur t’ju shihnim – o thirrës të emancipimit të gruas – të ftonit në rregullimin e çështjes së gruas, thirrje që bazohet në themele të forta të logjikës dhe urtësisë, me pikësynim përmirësimin dhe lumturinë e tyre, të bëhen nëna të devotshme, të përgatisin femra dhe meshkuj të devotshëm, ta mbushin shtëpinë me lumturi, sikur t’ju kishim parë kështu, ne do t’ju kishim përkrahur dhe mbështetur – dhe këtë Allahu e di. Por ne kemi parë tek ju dalldisje, qëllim të keq dhe dinakëri me vajza të pavëmendshme, mashtrimin e tyre në lidhje me nderin, zbukurimin e gjërave të rrezikshme duke i gjuajtur me çdo mënyrë, duke iu zënë pritë atyre në çdo rrugë, çka nuk e bën njeriu as me armikun e tij dhe pamë se një gjendje amullie është më pak e dëmshme se ajo në të cilën ftoni ju.
Ndërsa fjala juaj: ju (në këtë mashtrim dhe ngritje gracke e cila ka kapur shtëpinë me shembje e shkatërrim) ecni sipas Evropës…. kjo është çudia më e madhe! Siç e thashë banorët e Evropës nuk e kanë bërë këtë me duart e tyre, por e kanë bërë brezat e kaluar, bile janë përpjekur ta ndryshojnë këtë gjendje. Dhe ja detajet:
…(vazhdon)
Përktheu: Teuta Xeka.
[1] Shthurjes
[2] Hadithi nuk është i saktë siç do ta qartësojë më vonë autori.
[3] Dënimi i atij që shpif (akuzon) për zina (imoralitet)
[4] Kur burri e akuzon gruan e vet për zina dhe nuk ka dëshmitarë tjetër veç tij, kërkohet prej tij të betohet katër herë në Allahun se ai po thotë të vërtetën dhe të pestën herë thotë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi mua nëse gënjej.” Gjithashtu gruaja mund ta mohojë akuzën duke u betuar katër herë në Allahun se ai po gënjen dhe të pestën herë thotë: “Zemërimi i Allahut qoftë mbi mua nëse ai ka të drejtë.” Shih suren En-nur ajetet:6-9.
[5] Shpifja që i është bërë Aishes – radijallahu anha. Shih suren En-nur ajetet: 11-26.
[6] Shën. red.: U sillnin ujë për të pirë burrave dhe kuronin të plagosurit e luftës. Siç ka ardhur te Muslimi (1810).
[7] Monedhe argjendi qe përdorej në vendet evropiane.
[8] Të afërmit me të cilët nuk lejohet martesa.
[9] Shën. Red.: Kanë thënë dy fjalë në shpjegim të hadithit:
E para: E bën lidhjen e tyre më jetëgjatë. E dyta: E shton dashurinë mes tyre.
[10] Veçim këtu ka kuptimin të rrinë bashkë një mashkull dhe një femër të huaj për njëri tjetrin, pa praninë e një të treti.
[11] Zakonisht dërgohet një grua për ta parë më mirë vajzën pa mbulesë, pastaj ia përshkruan atë dhëndrit.
Të Ngjashme
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Cila është metodologjia e grupit të shpëtuar? Shejh Muhamed Xhemil Zejno