Fjalë të arta nga i arti i kohës, për diamantin e rrallë të gjerdanit të dijes! Allahu i mëshiroftë dhe na ringjalltë në grupin e tyre! Amin!
Ka thënë Dhehebiu, për dijetarin e madh të Islamit, Ibn Tejmijeh:
“Ai ishte i habitshëm kur sqaronte ndonjë çështje nga ato të debatueshmet, dhe argumentohej e zgjidhte me të saktën. Atij i lejohej ixhtihadi për shkak të grumbullimit tek ai kushtet e tij. Dhe unë nuk kam parë njeri që t’i sillte në mendje dhe të përmendte ajetet që flisnin për çështjen të cilën ai diskutonte, më shpejt se ai, e as njeri që t’i sillte ndër mend tekstet (e librave) dhe citimin e burimit të tyre, më shpejt se ai.
Dukej sikur suneti ishte përpara syve të tij dhe në majë të gjuhës së tij, më një të shprehur të rrjedhshëm, dhe sy (të mendjes) të çelët.
Ishte një argument nga argumentet e Allahut në komentimin e Kuranit dhe zgjerimit në të. Ndërsa për sa i takon bazave të fesë dhe njohjen e fjalëve të kundërshtuesve nuk e arrinte njeri as pluhurin e këpucëve të tij. E këto të gjitha duke ja shtuar edhe vyrtytet e tij: bujar, trim, dhe njeri që rrinte larg nga kënaqësitë e nefsit.
Dhe ndoshta fetvatë e tij – në shkenca të ndryshme – arrijnë 300 vëllime madje më tepër. Ishte njëri që fliste gjithëmonë të vërtetën, e nuk i trembej në rrugë të Allahut qortimit të askujt. Dhe ai që është përzier (ka jetuar) me të dhe e ka njohur atë nga afër, mund të më konsiderojë mua si mangësues të pozitës së tij. Kurse ai që e ka pasur kundërshtar atë, mund të më konsiderojë mua teprues (ekzagjerues) ndaj pozitës së tij. Dhe unë jam dëmtuar prej të dyja palëve, prej shokëve dhe kundërshtarëve të tij.
Ishte i bardhë, me flokë dhe mjekër të zezë, me pak thinja. Flokët i arrinin deri te veshët. Sytë e tij ishin si dy gjuhë që flisnin, burrë me shtat mesatar, shpatulla të gjera, me zë të kthjellët, orator, lexonte shpejt. I ndërhynte një shpejtësi në të folur (gjuhë e mprehtë), por e mundte atë me maturi. Nuk kam parë si ai në përgjërimin e tij, kërkimin e ndihmës prej Allahut dhe kthimit të shpeshtë tek Ai.
Por unë nuk besoj në pagabueshmërinë e tij, përkundrazi unë e kundërshtoj atë në disa çështje që lidhen me bazat dhe degët e fesë, sepse ai me gjithë gjerësinë e dijes së tij dhe trimërinë e tij të tejskajshme, dhe mendjen e tij të pandalshme, dhe madhërimin e urdhërave të fesë, përsëri mbetej njëri prej njerëzve. Shfaqej herë pas here një ashpërsi në çështjet që hulumtonte, dhe inat e vrazhdësi ndaj kundërshtarit, gjë e cila mbillte armiqësi në shpirtra. Përndryshe, nëse do të tregohej më i butë me kundërshtarët e tij (akadamik) do të ishte bashkimi i fjalëve të tyre (rreth tij do të mblidheshin dhe nuk do të largoheshin). Sepse të mëdhenjtë prej tyre i nënshtroheshin njohurive të tij, e pranonin përparimin e tij, dhe e pranonin se gabimet e tij ishin të rralla, dhe se ai ishte det pa anë, dhe thesar që s’kish të ngjashëm. Por e urrenin vajtjen dhe ardhjen e tij (lirshmërinë e tij në trajtimin e çështjeve të dijes) dhe në fund, çdonjërit i merren fjalët dhe i lihen.
Ai ishte ruajtës i namazeve dhe agjërimit, madhërues i ligjeve të fesë në brendësinë e tij dhe në pamjen e jashtme. Nuk gjeje tek ai keqkuptim të çështjeve, sepse ai kishte një zgjuarsi të tejskashme; e as nuk mund të thoshe se ka dije të pakët, sepse ai ishte deti i mbushur me margaritarë; e ai nuk luante me fenë e as nuk veçohej me ndonjë gjykim fetar sipas qejfit të tij. Ai nuk e lëshonte gjuhën e tij si të vinte, përkundrazi argumentohej me Kuran, hadith dhe kijas (analogji), dhe diskutonte me fakte dhe argumente, njësoj si ata që e paraprinë atë prej imamllarëve të dijes. Për këtë shkak ai ka një shpërblim për gabimet e tij dhe dy për të saktat e tij.
Parathënia e ‘Mexhmuul fetaua’, botimi i shtëpisë botuese ‘El mektebetu et-teufiikijeh’.