Hyrja në namaz në çdo gjendje që është imami

February 18, 2015

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Prej gabimeve në të cilën bien disa prej namazlinjve në namazin e tyre është edhe mos lidhja e tyre me imamin në kohën kur e gjejnë atë në ruku, në sexhde apo mes dy sexhdeve.

Kur personi futet në xhami dhe e gjenë imamin në namaz, ai duhet të lidhet pas tij në çdo gjendje qoftë ai (imami): në kijam, në ruku, në sexhde ose mes dy sexhdeve. Bazuar në atë që transmetohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse e gjeni imamin në sexhde, atëherë bini dhe ju në sexhde. Nëse e gjeni në ruku bini dhe ju në ruku apo (nëse e gjeni) në kijam dhe ju lidhuni e qëndroni në këmbë…”[1]

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse vini në namaz dhe na gjeni në sexhde, atëherë bini në sexhde por mos e llogaritni rekat. Ndërsa ai që e arrin rekatin, e ka arritur namazin (me xhemat).”[2] E transmeton Ebu Daudi.

Transmetohet nga Ali bin Ebi Talib dhe Muadh bin Xhebel se kanë thënë: i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse dikush nga ju vjen në xhami dhe e gjen imamin në ndonjë gjendje, atëherë (të hyjë në namaz dhe) të veprojë ashtu si vepron imami (ta pasojë atë).”[3] E transmeton Tirmidhiu.

Nga Katadeh radijAllahu anhu se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të shkoni për faljen e namazit shkoni me qetësi. Atë që të arrini (nga namazi) faleni, ndërsa atë që u ka ikur plotësojeni.”

Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kjo tregon pëlqyeshmërinë e futjes në namaz bashkë me imamin në çdo situatë që ai gjendet.”[4]

Ky është suneti në të drejtën e atij që futet në xhami dhe imami është në namaz. Bazuar në tekstet e lartpërmendura.

Disa prej njerëzve kur futen në xhami dhe imamin e gjejnë në sexhde apo mes dy sexhdeve, nuk futen në namaz (nuk lidhen) me të derisa imami të ngrihet pët në rekatin e tjetër. Ose e dinë se imami është ne teshehudin e fundit dhe ulen (lidhen) me të. Njerëzit e tillë ia kanë privuar vetes së tyre shpërblimin e sexhdes. Shtoji kësaj dhe rënien e tyre në kundërshtime të teksteve që i përmendëm.

Shpjeguesi i “Xhamiu et Tirmidhi” në lidhje me fjalën e tij alejhis selam: “Të veprojë ashtu siç vepron imami” thotë: Pra, mos ta presë imamin derisa të ngrihet siç veprojnë pjesa dërrmuese e njerëzve.”[5]

Dije, se situatat e imamit në kohën kur personi futet në xhami janë katër:

1. Të jetë imami në këmbë (kijam) në namazin me zë ashtu dhe në atë pa zë.

2. Të jetë imami në ruku.

3. Të jetë imami në sexhde ose mes dy sexhdeve.

4. Të jetë imami në teshehudin e fundit.

InshaAllahu do flasim më detajisht për secilën pikë duke treguar sesi duhet të veprojë personi për secilin rast.

Përktheu: Unejs Sheme

[1] Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) pasi sjellë zinxhirin e hadithit thotë: Ky zinxhir është autentik. “Es Sahihah” (3/185)

[2] [Hasen] Ebu Daudi (893), “Irvaul Galil” (496), “Sahihul Xhami” 468 (203).

[3] [Sahih] Tirmidhiu (591), “Mishkatul Mesabih” (1142), “Sahihul Xhami” 261 (106).

[4] “El Fet’h” (2/118)

[5] “Tuhfetul Ehuedhi” vëll. 3

Loading...