A lejohet leximi i Kuranit për prindërit?

April 26, 2017

A lejohet leximi i Kuranit për prindërit qofshin ata gjallë apo të vdekur, duke pasur parasysh se nuk dinë shkrim e as këndim?

Përgjigje: Ata kanë shpërblim për atë që të kanë mësuar ty Kuranin dhe kanë shpërblim për edukimin që të kanë dhënë, prandaj nuk ka nevojë të thuash: Unë po lexoj Kuran për prindërit e mi. Për çdo vepër të mirë që kryen fëmija për të cilën prindërit kanë qenë shkak, ne shpresojmë prej Allahut të Lartësuar që ajo të shkruhet në librin e veprave të tyre.
Leximi i Kuranit është një adhurim personal njësoj si namazi. Prandaj ashtu siç nuk i lejohet njeriut që të falë namaz në vend të prindërve të tij, po ashtu nuk i lejohet atij që ta lexojë Kuranin për prindërit e tij.
Rregulli përsa u përket adhurimeve është se tek ato ndalemi. (Sh.p.: Nuk veprojmë asgjë prej tyre nëse nuk kemi argument). Imam Ibën Kethiri përmend në tefsirin e tij tek fjala e Allahut të Lartësuar: “Dhe se njeriu nuk shpërblehet veçse për atë që ka vepruar”, – thotë: Imam Shafiu prej këtij ajeti ka kuptuar (ka nxjerrë rregullin fetar ) se nuk lejohet këndimi i Kuranit për të tjerët.
“Dhe se njeriut nuk i takon veçse ajo që punon.”
Allahu i Lartësuar është më i Dijshmi!

Shejkh Mesh’hur Hasen, Allahu e ruajt!

Përktheu: Emin Bilali

Loading...