6 Këshilla për të rinjtë që janë në fillimet e udhëzimit

May 9, 2017

Cila është këshilla juaj për të rinjtë që janë në fillimet e udhëzimit?

Përgjigje: Këshilla jonë për këtë djalë që me lejen e Allahut ka marrë rrugën e drejtë, është si më poshtë:
Së pari: T’i kërkojë Allahut qëndrueshmërinë e përhershme (të vazhdueshme) dhe t’i kërkojë gjithmonë të vërtetën.

Së dyti: Të lexojë sa më shumë Kuran duke e medituar atë, sepse ky Kuran ka një ndikim të madh në zemër, gjithmonë nëse e lexon duke medituar.

Së treti: Të tregohet i kujdesshëm në kryerjen e vazhdueshme të adhurimeve, të mos velet prej tyre e as të mos dembeloset. Pejgamberi, paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të, i kërkonte mbrojtje Allahut nga pamundësia dhe dembelizmi.

E katërta: Të kujdeset të shoqërohet më njerëzit e devotshëm dhe të largohet nga ata që janë të këqij.

E pesta: Ta këshillojë veten e tij sa herë që mundohet të ndikojë për keq, e t’i thotë: Dije se vendi për ku je nisur është i largët dhe se rruga është e gjatë, ndaj tregohu i qëndrueshëm sepse Xheneti është rrethuar me gjëra të mundimshme kurse zjarri është rrethuar me gjëra tërheqëse.

E gjashta: Të largohet nga shoqëria e keqe edhe nëse i ka pasur shokë më parë, sepse shoqëria e keqe ndikon tek ai. Pejgamberi, paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Shembulli i shokut të keq është si shembulli i kovaçit. Nëse qëndron pranë tij ose do t’i djegë rrobat ose do të ndiesh prej tij erë të keqe.”

 

Marrë nga “Likau bab el-meftuh” 1/153.

Autor: Muhamed ibën Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë.

Përktheu: Ylli Rama

Loading...