I sinqerti me Allahun Sead bin Muadhi

August 14, 2017

“Tregoi sinqeritet me Allahun dhe Allahu ia plotësoi dëshirën e tij.”

Aishja përcjell duke thënë: “Ditën e luftës së Hendekut dola të gjurmoj gjendjen e njerëzve. Në një moment dëgjova zhurmë hapash të rëndë që vinin pas meje. U ktheva pas dhe pashë Sead bin Muadhin që po vinte bashkë me djalin e vëllait të tij Harith bin Eusin, i cili mbante në dorë një mburojë. Unë u ula dhe aty pranë kaloi Seadi që mbante një mburojë prej hekuri të cilës i kishin dalë anët, ndërkohë ruhesha prej tyre mos më lëndonin. Ai kaloi aty pranë duke recituar keto vargje:

“Qëndro dhe pak derisa lufta të ndizet e të fillojë.
Sa bukur është kur vdekja të vjen aty ku Zoti ta caktojë.”

Aishja thotë: “U ngrita nga vendi dhe shkova e hyra në një bahçe ku gjeta një grup muslimanësh. Mes tyre qëndronte Omer bin Hatabi dhe një burrë i mbështjellë me një helmetë në kokë. Omeri kur më pa më tha: Çfarë të solli ketu? UAllahi je shumë e guximshme, çfarë të bën kaq të sigurtë sepse mund të jetë bela?! Ai vazhdoi të më fliste derisa desha që toka të hapej e të hyja brenda saj. Në atë moment burri që fshihej pas helmetës e hoqi atë, kur ja ai ishte Talha bin Ubejdilah i cili tha: O Omer, e teprove në fjalë. Ku kemi për të shkuar e për t’u strehuar përveçse tek Allahu i Madhëruar?!

Njëri prej idhujtarëve që quhej Ibn Arkah e gjuajti Seadin me një shigjetë, dhe i tha: Merre nga unë Ibën Arkah. Shigjeta e goditi në damarin kryesor të dorës dhe ia preu atë. Seadi iu lut Allahut të Madhëruar duke thënë: “O Zot, mos ma mer shpirtin derisa t’i kenaqësh sytë e mi me Beni Kurejdhan.” Aishja thotë: Beni Kurejdha ishte fisi (çifut) me të cilin kishin besëlidhje dhe afrimitet në kohën e injorancës.

Aishja thotë: “Plaga e tij (Seadit) u ndal, ndërkohë Allahu dërgoi erën e fortë kundër idhujtarëve dhe kështu Allahu i ruajti muslimanët nga kjo përballje. Ai është i fortë dhe Krenar. Ebu Sufjani dhe të tjerët u larguan për në Tihameh, ndërsa fisi Ujejne bin Bedër e të tjerë shkuan në Nexhd, ndërsa Beni Kurejdha u kthye dhe u fortifikua në kështjellën që kishin. I dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u kthye në Medine, i hoqi rrobat e luftës dhe urdhëroi të ngrihej një tendë brenda në xhami ku të qëndronte Sead bin Muadhi.
Aishja thotë: “Atij i erdhi Xhibrili ndërkohë që shenjat e pluhurit dukeshin në pamjen e tij të jashtme, dhe i tha: I ke lëshuar armët?! UAallahi ne engjëjt akoma si kemi lëshuar. Nisu për tek Beni Kurejdha që t’i luftosh.”

Aishja tha: I dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem veshi parzmoren dhe u bëri thirrje njerëzve të niseshin. Ai u nis, dhe kur kaluan pranë fisit Beni Ganem (të cilët ishin komshinj të xhamisë dhe atyre përreth), u tha: Kush ka kaluar këtu pranë jush? Ata thanë: Ka kaluar Dihjetu el Kelbi, ndërkohë që Dihjetu el Kelbi i ngjasonte në mjekër, në moshë dhe në fytyrë pamjes së Xhibrilit alejhi selam.”

Aishja thotë: “Atyre u shkoi i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i rrethoi për 25 netë me radhë. Kur u vështirësua rrethimi dhe u shtuan vuajtjet e tyre, u thanë: Dorëzohuni duke u përballur me gjykimin e Profetit të Allahut. Ata i morën mendim Ebu Lulabe bin Abdul Mundhirit dhe ai u bëri me shenjë tek qafa se do të vriteshin. Ata thanë: Jemi dakort të dorëzohemi me kusht që të gjykojë për ne Sead bin Maudhi. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u tha: Atëherë dorëzohuni nën gjykimin e Sead bin Muadhit, – dhe kështu vepruan.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dërgoi dikë tek Sead bin Muadhi dhe e sollën atë hipur mbi një gomar. Me të mbërritur, disa nga fisi i tij e rrethuan dhe i thanë: O Ebu Amër! Ata janë njerëzit e tu me të cilët ke pasur marrëveshje dhe shumë gjëra të tjera që i di ti vetë. Ai nuk u ktheu asnjë fjalë dhe as që i shikonte ata, dhe kur u afrua tek vendbanimet e tyre (Beni Kurejdhas), u kthye nga populli i tij dhe u tha: Ka ardhur koha që për të drejtën e Allahut të mos më bëjë përshtypje asnjë sharje e juaja.

Ebu Seidi thotë: Kur iu shfaq Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ai tha: “Ngrihuni tek zotëria juaj dhe zbriteni nga kafsha e tij.” Omeri tha: Zotëri për ne është Allahu i Madhëruar. Profeti u tha: Zbriteni që aty, – dhe ata e zbritën. I dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: Gjyko për ta!
Seadi tha: Unë gjykoj që të vriten luftëtarët e tyre, të merren rob pasardhësit dhe të ndahet pasuria e tyre. Aty i dërguari i Allahut tha: “Ke gjykuar me gjykimin e Allahut të Madhëruar dhe me gjykimin e të dërguarit të Tij.”

Aishja thotë: Pas kësaj ngjarjeje Seadi u lut duke thënë: “O Zoti im! Nëse Profetit tënd i ke lënë ballafaqim tjetër me Kurejshët, atëherë më ler gjallë deri atëherë. E nëse e ke ndërprerë luftën mes tij dhe atyre, më merr pranë Teje. Plaga e tij shpërtheu edhe pse pak më parë ishte në të shëruar, derisa nuk shihej prej saj veçse një shenjë e vogël. Atë e kthyen në tendën të cilën Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e kishte ndërtuar enkas për të.

Aishja thotë: Tek ai shkoi i Dërguari i Allahut, Ebu Bekri dhe Omeri. Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin e Muhamedit, unë e njihja të qarën e Ebu Bekrit nga e qara e Omerit duke qëndruar në dhomën time. Ata ishin siç thotë Allahu i Madhëruar: “Të mëshirshëm për njëri-tjetrin.”

Alkameh thotë: Unë e pyeta: Oj nënë (e besimtarëve)! Si vepronte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në ato momente? Ajo tha: Sytë e tij nuk lotonin për askënd, por ai kur ndihej keq kapte me dorë mjekrën e tij.”

 

E përcjell Ahmedi. Ibën Haxheri për këtë hadith ka thënë se është hasen (i mirë), ndërsa shejh Albani në “Vargun e haditheve të sakta” me nr. 67 thotë se senedi i tij është i mirë.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...