Leximi i librave voluminozë në tubime

August 26, 2017

Leximi i librave voluminozë në tubime.

Dijetarët e kanë pasur zakon të uleshin në tubime të posaçme për të lexuar librat voluminozë në shkenca të ndryshme islame, sidomos librat e haditheve me zinxhir transmetuesish. Kësisoj, njerëzit i merrnin këto libra me zinxhirin e tyre të transmetimit deri tek autori i librit. Ndonjëherë duke e dëgjuar të gjithë librin, e herë të tjera një pjesë të tij. Dhe kjo shoqërohej me leje për transmetim të të gjithë librit (ixhazeh) apo të një pjese të tij. Por me kalimin e kohës, këto tubime ku lexoheshin apo dëgjoheshin librat voluminozë u rralluan dhe u kufizuan në disa fusha të veçanta si librat e hadithit, sidomos ato të autorëve më të njohur prej tyre.

Këto tubime mund të zgjasnin apo të shkurtoheshin në varësi të qëllimit prej leximit, kohës së lirë të shejhut, përgatitjes së studentit apo temës së librit.

S’ka dyshim se leximi i këtyre librave voluminozë kërkon disa cilësi të shejhut dhe të studentit, siç janë: eksperienca me librin që po lexohet, vëmendje të madhe, gjuhë letrare të kulluar, lexim të shpejtë. Dhe përpara të gjitha këtyre; dëshirë e madhe, ambicie e lartë dhe durim i bukur. Ai që është zbukuruar me të gjitha këto cilësi hekuri i zbutet dhe e rënda i bëhet e lehtë, sepse vullneti dhe dëshira e zjarrtë i largojnë vështirësitë dhe e lehtësojnë rrugëtimin.

Po sjellim disa prej tregimeve që kemi hasur në këtë temë:

El Khatib el Bagdadi (v. 463) e ka lexuar “Sahihul Buhari” në tri tubime!

Thotë El Khatib në “Tarihu Bagdad” tek jetëshkrimi i Ismail ibn Ahmed ibn Abdullah ed Darijr (i verbri) el Hijrij (v. 430), se i kërkoi atij të lexonin “Sahihun” – të cilin Ismaili e kishte dëgjuar më parë prej Kushmihenij-it, i cili e kishte dëgjuar prej Firabrij-t. “Dhe ai iu përgjigj kërkesës time. Kështu ia lexova atë të gjithë në tri tubime, dy prej tyre në dy netë. E filloja leximin pas namazit të akshamit (perëndimit) dhe e përfundoja në namazin e sabahut (agimit) (sh.p. gjithë natën lexim)! Përpara se të ulesha me të në tubimin e tretë, shejhu (sh.p. Ismail ed Darijr) kaloi në anën perëndimore me një karvan dhe zbriti në gadishull në vendin e quajtur “Suuku Jahja”. Kështu shkova tek ai së bashku me një grup shokësh, të cilët kishin marrë pjesë në dy tubimet e mia në netët e mëparshme, dhe lexova para tij që nga fillimi i ditës deri në perëndim të diellit. Pastaj nga perëndimi i diellit deri në agim dhe e mbarova librin (sh.p. gati 24 orë lexim). Në mëngjesin e asaj dite shejhu u nis përsëri me karvanin e tij.”

Zoti im, çfarë ambiciesh të larta, çfarë vullneti e vendosmërie!!! A ke dëgjuar ndonjëherë për ambicie të tilla dhe vendosmëri si këto?! Dita e tretë ishte e gjitha lexim (nga paraditja deri në perëndim të diellit, e nga perëndimi i diellit deri në agim). Me të tilla ambicie Khatibi arriti atë gradë të lartë që arriti, aq sa u quajt “Hafidhul meshrik” (dijetari i madh i perëndimit që dinte shumë përmendësh). Me këtë ambicie u bë pikë referimi për hadithologët. Tek ai ktheheshin të gjithë, madje nuk bënin dot pa librat e tij siç thotë Ibn Nuktah.

Por çfarë kanë thënë të tjerët për këtë histori?

Thotë Hafidh edh Dhehebij në “Sijer” duke e komentuar: “Ky – pasha Allahun – është një lexim që s’është dëgjuar ndonjëherë më i shpejt se ai.”
Ka thënë gjithashtu në “Tarihul Islam” (Historia e Islamit): “Nuk di të ketë mundësi ta bëjë një gjë të tillë ndokush në kohën tonë!”
Ndërsa në “EL xheuahir ued durar fi terxhemeti shejkhil islam Ibn Haxher” (Xhevahirët dhe perlat prej jetëshkrimit të shejhul Islam Ibn Haxherit) të Sekhauit, ka ardhur se ai e ka pyetur shejhun e tij – Ibn Haxherin (Allahu e mëshiroftë): “A ju ka ndodhur ndonjëherë të lexoni gjithë ditën (siç i ndodhi Khatibit)?” Dhe ai u përgjigj: Jo, por po ta ndaja leximin e “Sahihut” në 10 tubime të njëpasnjëshme, ato do të ishin kryer në më pak se aq ditë (sa e ka lexuar Khatibi). Por ku është kokrriza e rërës në krahasim me yllin që është në qiell! Khatibi – Allahu e mëshiroftë – kishte një lexim të saktë në kulm, shumë cilësor, shumë të dobishëm dhe shumë të qartë për dëgjuesit.”

Do të vijë në mënyrë të zgjeruar ajo që i ka ndodhur Ibn Haxherit në këtë çështje, e cila është një histori vërtet e habitshme.

Leximi i “Sahihul Buhari” në 5 ditë.

Imam Dhehebiu në “Tedhkiratul huffadh” citon fjalët e Ebu Seid es Sem’anit, i cili thotë: “Khatibi ishte i habitshëm për bukurinë e shkrimit, shumë i saktë, fliste gjuhë të kulluar letrare, më i dalluari prej hafizëve. Ia lexoi “Sahihun” Kerime-s në Meke për 5 ditë.”

Abdullah ibn Seid ibn Lubbaxh el Emeuij (436).

Leximi i “Sahihul Muslim” për një javë.

Ibn Lubaxhi jetoi një kohë të gjatë në Meke dhe u shoqërua shumë kohë me Ebu Dherr Abd ibn Ahmed el Herauij – transmetuesi i “Sahihut” – dhe transmetoi shumë prej tij. Pastaj u kthye në Andaluzi (Spanjën e sotme). Thotë Ibn Beshkuali në “Es sileh”: “Erdhi në Kurtubeh (Kordoba) në vitin 433 dhe studentët lexuan para tij “Musned Muslim ibnul Haxh-xhaxh es Sahih” në një javë në xhaminë e Kordobës. Çdo ditë uleshin në dy takime të gjata, një herë paradite dhe një herë mbasdite.”

El Mu’temen es Saxhij (v. 507).

Leximi i “El muhaddith el fasil” në një mexhlis të vetëm.

Dhehebiu thotë në “Sijer”: “Ka thënë Es Silefij: El Mu’temeni nuk ishte i bezdisshëm kur na lexonte. Një herë na lexoi përpara Ibnut Tujur-it librin “El Fasil” të Ramehurmuzij në një tubim të vetëm.”

Talha ibn Mudhaffer el Althij el Hanbelij (v. 593) e ka lexuar “Sahihul Muslim” për tre ditë.

Ka ardhur në jetëshkrimin e tij në “Edh dhejlu ala tabekatil hanabileh” dhe tek “Tabekatul mufessirin” se ai e lexoi “Sahihul Muslim” në tri tubime. Talha ibn Mudhaffer ishte dijetar në shumë shkenca islame, asket dhe i devotshëm. Hafidh el Mundhirij e ka përshkruar atë si lexues të mirë, me gjuhë letrare të pastër. Një herë kur lexoi librin “El xhemherah” të Ibn Durejdit përpara Ibn Kassar-it, e lexoi aq shpejt sa Ibn Kassari tha: A e di përmendësh Talha këtë libër?! – I thanë: Jo.

El Izz ibn Abdusselam (v. 660) e ka lexuar “Nihajetul matleb” për tri ditë.

Ibn Fehdi thotë në “Lahdhul elhadh”: “Ka thënë shejhu ynë Hafidh Burhanud-din (el Halebij v. 841): ‘Më kanë treguar se shejhu Izz ibn Abdusselam shkonte në xhami ditën e mërkurë dhe me vete kishte librin “Nihajetu imamil haramejn”, dhe qëndronte në xhami ditën e mërkurë, ditën e enjte dhe ditën e xhuma deri përpara namazit. Gjatë kësaj kohe lexonte “Nihajen”.’
Disave prej dijetarëve kjo gju iu duk e pamundur, prandaj shejh Siraxhud-din el Bulkinij tha: “Mua s’më duket e pamundur, sepse shjeh Izz ibn Abdusselami nuk kishte asgjë të vështirë prej tij (prej librit të përmendur), dhe nuk kishte nevojë të mendohej për të veçse pak (aq të freskët e kishte në mendje atë libër)’, – apo tha fjalë me këtë kuptim.”

Ibnul Ebbar (v. 658) e ka lexuar “Muslimin” për gjashtë ditë.

Dhehebiu përmend në “Sijeru a’lamin nubela” tek jetëshkrimi i muhaddithit që jetoi gjatë, Ebu Muhammed Abdullah ibn Muhammed el Haxherij el Endelusij (v. 591), se el Hafidh Ebu Abdullah ibnul Ebbar-i (v. 658) e lexoi para tij “Sahihul muslim” për 6 ditë.

Shejhul Islam Ibn Tejmijeh (v. 728) e lexoi “El Gajlanijat” në një mexhlis.

Thotë nxënësi i tij El Hafidh ibn Abdul-Hadij (v. 744) në “Muhtesar tabekati ulemail hadith” – duke numëruar librat që ka dëgjuar dhe lexuar shejhu i tij (Ibn Tejmija) – : “Dhe vet ka lexuar shumë dhe ka dëgjuar për disa vite (libra që lexoheshin në tubime ku ai ishte i pranishëm), dhe “Gajlanijat”-et i ka lexuar në një tubim të vetëm.”

Ibn Abdul-Hadij e përshkruan Shejhul Islam Ibn Tejmijen me disa cilësi që tregojnë dashurinë e këtij imami për diturinë dhe dhënien mbas saj, duke thënë: “Gati sa nuk ngopej shpirti i tij prej diturisë. Nuk gjente ngopje prej leximit dhe as nuk velej e as bezdisej prej punës studimore.”

Allahu i mëshiroftë të gjithë me një mëshirë të gjerë dhe i bëftë banorë të Xheneteve të Tij të gjera!

 

El Hafidh el Mizzij (v. 742) – Hafidh Ebul Haxh-xhaxh el Mizzij e ka lexuar “El Mu’xhemul kebir” të Taberanit në prani të Hafidh el Berzalit në 60 tubime.

El Hafidh Shemsud-din edh Dhehebij (v. 748) e ka lexuar “Siretu Ibni Hisham” për 6 ditë.
Imam Dhehebiu tregon për veten e tij se e ka lexuar “Siretu Ibni Hisham” përpara Ebul Mealij el Eberkuhij vetëm për 6 ditë.

Siraxhuddin ibnul Mulekkin (v. 804) ka lexuar dy vëllime prej “El Ahkam” brenda ditës.

Burhanud din el Halebij thotë në “Lahdudh elhadh” – pas jetëshkrimit të el Izz ibn Abdusselam që u përmend më parë: “Ia përmenda këtë histori shejhut tonë Siraxhuddin ibnul Mulekkin dhe ai më tha: Unë kam lexuar dy vëllime prej librit “El Ahkam” të Muhibb et Taberij për një ditë.”

 

“Nxitësi për lexim.”

Përktheu: Emin Bilali

Loading...