Kombi dhe feja

September 16, 2017

Kombi dhe feja.

Çdo njeri që vjen në këtë botë e gjen veten pjesë të një kombësie, siç i gjen gjithashtu edhe ata që e rrethojnë pjesë të një përkatësie fetare. Kombi tregon për lidhjet e gjakut mes njerëzve të cilat më pas bëhen shkak dallimi nga të tjerët: në gjuhë, në zakone, në territore etj. sepse njeriu flet gjuhën e baballarëve të tij, ka zakonet e baballarëve të tij dhe jeton në trojet e tyre. Ndërsa feja tregon lidhjen e njerëzve me Zotin e tyre, pra mënyrën e nënshtrimit të tyre para Zotit.
Kombi dhe feja mund të bashkohen dhe mund të gjesh njerëzit e një kombi me përkatësi të njëjtë fetare, madje nganjëherë edhe kombe të ndryshme me përkatësi të njëjtë fetare por edhe mund të ndahen. P.sh. gjen njerëzit e një kombi me përkatësi të ndryshme fetare, madje edhe brenda një familjeje ku ka raste me përkatësi të ndryshme fetare.
Ndryshimi i kombësive është diçka normale sepse me shtimin e njerëzve do të shtohen edhe degëzimet e tyre, dhe për pasojë do të shtohen edhe kombësitë. Ndërsa ndryshimi i feve është diçka jo normale, sepse ajo duke qenë se tregon bindjet e njerëzve ndaj Zotit i Cili është një për të gjithë, duhet që edhe ajo të ishte një për të gjithë.
Duke parë në Librin e Allahut gjejmë se Allahu i Madhëruar ndryshimin e kombësive ia dedikon vetes së Tij, ndërsa ndryshimin e feve të njerëzve ua dedikon atyre, dhe ja sesi përmenden këto në Kuran.

Ndarja e njerëzve në kombe është prej Allahut.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “O njerëz! Ne u kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre, dhe pastaj u kemi ndarë në popuj e fise që të njiheni. Më i shtrenjti prej jush tek Allahu është ai më i devotshmi. Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë!” Suretu El-Huxhurat: 13.
Fjala e Allahut: [Ne u kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre], u kujton njerëzve se të gjithë rrjedhin nga Ademi dhe Havaja. Kjo do të thotë se ata në origjinë të gjithë i përkasin një kombi apo një bashkësie, ata janë vëllezër të njëri-tjetrit dhe se asgjë nga ana materiale nuk i dallon nga njëri-tjetri. Profeti -alejhi selam- thoshte: “Njerëzit janë nga Ademi dhe Ademi është nga dheu.” E transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson sheih Albani.
T’i kujtosh njerëzit me realitetin e vëllazërisë së gjakut mes tyre ka edhe një dobi tjetër indirekte, sepse kjo gjë shuan urrejtjet mes tyre dhe mbjell ndjenjat e dashurisë për njëri-tjetrin.
Fjala e Allahut: […pastaj u kemi ndarë në popuj e fise që të njiheni], tregon se ndarja e njerëzve në popuj dhe fise është prej Allahut. Siç tregon gjithashtu edhe për qëllimin e kësaj ndarje dhe që është për t’u njohur mes njëri-tjetrit, d.m.th. për të dalluar të afërmit nga të largëtit që të ruhen lidhjet farefisnore, duke ndihmuar njëri-tjetrin në rast nevoje dhe duke ngushëlluar njëri-tjetrin në rast fatkeqësie. Muxhahid bin Xhebr (një prej komentuesve të hershëm të Kuranit, i vdekur pas vitit 100 të hixhretit dhe nxënës i Ibn Abasit -radiallahu anhu-) thoshte: Të njihet filani i biri i filanit nga ky fis apo nga ai fis. E transmeton Taberiu.
Mbajtja e lidhjeve farefisnore është një amanet i hershëm dhe prej detyrave të Allahut me të cilat janë ngarkuar të gjithë profetët e tij. Profeti -alejhi selam- në thëniet e tij tregon për një debat të hershëm që e ka zanafillën në kohën e krijimit, dhe thotë: “Kur Allahu i Madhëruar krijoi krijesat dhe mbaroi krijimin e tyre, u ngrit farefisnia dhe u kap pas mesit të Tij (Allahut). Allahu i tha: Qetësohu! Ajo i tha: Unë jam ngritur për të më mbrojtur nga prerja e lidhjeve farefisnore. Ai i tha: A je e kënaqur që të mbaj lidhjet me atë që i mban ato me ty, dhe ti shkëpus lidhjet me atë që i shkëput ato me ty? Ajo tha: Sigurisht o Zot! Ai i tha: Ashtu qoftë!” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Pastaj Profeti -alejhi selam- në zbatim të kësaj porosie të Allahut e porosiste ymetin e tij dhe thoshte: “Mësoni prej prejardhjes tuaj aq sa të mbani lidhjet farefisnore, sepse mbajtja e lidhjeve farefisnore shton dashurinë në familje, shton pasurinë dhe zgjat jetën.” E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheih Albani. Fjala e tij [shton pasurinë dhe zgjat jetën] është shpjeguar me dy gjëra:
E para: Shtimi i pasurisë dhe i jetës do të thotë begatia e tyre, pra pasuria nuk ndryshon por begatia është e madhe. Po ashtu edhe jeta nuk ndryshon realisht por begatia e saj është e madhe, sepse i mbetet emri i mirë dhe përmendja e tij sikur të ishte i gjallë.
E dyta: Shtimi i pasurisë dhe i jetës është shtim real, dhe mundet që në kohën kur vjen meleku për të shkruar t’i thuhet: Nëse ai mban lidhjet farefisnore t’i shkruhen kaq, e nëse nuk i mban t’i shkruhet kaq.
Fjala e Allahut: [Më i shtrenjti prej jush tek Allahu është ai më i devotshmi], tregon se dallimi mes njerëzve tek Allahu nuk bëhet mbi bazën e kombësisë apo të prejardhjes por mbi bazën e devotshmërisë. Kjo do të thotë se më i shtrenjti tek Allahu është ai që afrohet tek Ai me udhëzimet e tij. Profeti -alejhi selam- tregon: “Allahu nuk sheh në pamjet tuaja dhe as në pasuritë tuaja, por sheh në zemrat dhe punët tuaja.” E transmeton Muslimi.

Ndarja e njerëzve në fe është prej tyre.

Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Njerëzit ishin një grup i vetëm (pastaj ranë në kundërshtim). Atëherë Allahu dërgoi profetët përgëzues dhe paralajmërues dhe zbriti me ta librin me të vërtetën, për të gjykuar mes njerëzve në lidhje me atë që ranë në kundërshtim. (Pastaj pas ardhjes së librave) Nuk ranë në kundërshtim veçse ata të cilët u ishte dhënë libri pasi që u erdhën argumentet e qarta, për shkak të armiqësisë mes tyre. Allahu i udhëzoi me vullnetin e Tij ata të cilët besuan në lidhje me kundërshtimin në të vërtetën. Allahu udhëzon kë të dojë për në rrugën e drejtë.” Suretu El-Bakara: 213.
Fjala e Allahut: [Njerëzit ishin një grup i vetëm], tregon se njerëzit në fillim ishin të një feje d.m.th. në besimin e drejtë dhe të pastër larg shpikjeve dhe idhujtarisë. Pastaj, me kalimin e kohës dhe konkretisht në kohën e Nuhut (alejhi selam) gjendja ndryshoi dhe feja e vërtetë u përzie me të kotën. Siç ka ardhur nga Ibn Abasi -radiallahu anhu- në komentimin e këtij ajeti, i cili thotë: “Mes Nuhut dhe Ademit ka pasur dhjetë breza, që të gjitha në udhëzimin e drejtë. Pastaj, njerëzit ranë në kundërshtim dhe atëherë Allahu dërgoi profetët përgëzues dhe paralajmërues.” E transmeton Taberiu me zinxhir të saktë.
Fjala e Allahut: [Atëherë Allahu dërgoi profetët përgëzues dhe paralajmërues dhe zbriti me ta librin me të vërtetën, për të gjykuar mes njerëzve në lidhje me atë që ranë në kundërshtim], tregon se ndryshimi i gjendjes fetare te njerëzit ishte shkak që Allahu të dërgonte profetët e Tij dhe të zbriste me ta librat qiellorë. Profetët ishin lajmëtarët e Allahut për të përgëzuar ata që i binden Atij dhe për të paralajmëruar dënimin e Allahut për ata që e kundërshtojnë Atë. Kurse librat ishin udhëzimet e Allahut për të ndarë mes njerëzve të vërtetën nga e kota.
Fjala e Allahut: [(Pastaj pas ardhjes së të vërtetës) Nuk ranë në kundërshtim veçse ata të cilët u ishte dhënë libri pasi që u erdhën argumentet e qarta, për shkak të armiqësisë mes tyre], tregon se shkaku i kundërshtimit pas ardhjes së librave nuk ishte mosnjohja e së vërtetës, por ishte armiqësia mes tyre.
Ubej bin Kab -radiallahu anhu- thotë: “Ata janë Beni Israilët. Atyre u dha libri dhe dija pasi që u erdhën argumentet e qarta.” E transmeton Ibn Ebi Hatim. Ai gjithashtu në lidhje me armiqësinë mes tyre thotë: “Ata konkuruan në punët e dynjasë dhe kërkuan sundimin e saj dhe bukuritë e saj, se cili prej tyre do ta merrte pushtetin dhe do kishte autoritet mbi njerëzit, dhe kështu u bënë armiq dhe vranë njëri-tjetrin.” E transmeton Ibn Ebi Hatim.

Fjala e Allahut: [Allahu i udhëzoi me vullnetin e Tij ata të cilët besuan në lidhje me kundërshtimin në të vërtetën], tregon se pas kundërshtimit të dytë mbeti një grup që u kap pas të vërtetës dhe ata ishin besimtarët e sinqertë, pasuesit e profetit të fundit Muhamedit -alejhi selam-.
Ubej bin Kab -radiallahu anhu- në komentimin e ajetit thotë: “I udhëzoi ata pas kundërshtimit që të qëndrojnë në udhëzimet e ardhura nga profetët para kundërshtimit. Kështu, ata qëndruan në njësimin e Allahut dhe adhurimin e Tij pa i shoqëruar askënd, në faljen e namazit dhe dhënien e zekatit. Pra, qëndruan në fenë e parë para se të binin në kundërshtim, dhe lanë mënjanë kundërshtimet e njerëzve dhe e merituan të jenë dëshmitarë kundër të tjerëve në ditën e gjykimit. Ata janë dëshmitarë kundër popullit të Nuhut, popullit të Hudit, popullit të Salihut, popullit të Shuajbit dhe popullit të Faraonit. Profetët e tyre i kanë përcjellë udhëzimet e Allahut dhe ata i kanë mohuar ato.” E transmeton Ibn Ebi Hatim.
Në lidhje me kundërshtimet në fe që kanë ndodhur mes Beni Israilëve, një prej komentuesve të njohur të Kuranit në kohën e tabiinëve Zejd bin Eslem (i vdekur në vitin 136 H), thotë: “Ata ranë në kundërshtim në lidhje me të xhumanë: Jehudët zgjodhën ditën e Shtunë, kurse të krishterët zgjodhën të Dielën, dhe Allahu e udhëzoi ymetin e Muhamedit për në ditën e Xhuma. Ata ranë në kundërshtim në lidhje me Kiblen (drejtimin gjatë lutjeve): Të krishterët zgjodhën lindjen kurse jehudët Aksanë, dhe Allahu e udhëzoi ymetin e Muhamedit për në kiblen e Qabes (shtëpinë e Ibrahimit -alejhi selam-). Ata ranë në kundërshtim në lidhje me namazin: Disa prej tyre vetëm përkulen dhe nuk bien në sexhde, disa prej tyre bien në sexhde dhe nuk përkulen, disa prej tyre falen duke folur, disa prej tyre falen duke ecur, dhe Allahu e udhëzoi ymetin e Muhamedit për në të vërtetën në këtë gjë. Ata ranë në kundërshtim në lidhje me agjërimin: Disa prej tyre agjërojnë një pjesë të ditës, disa prej tyre agjërojnë ndaj disa lloje ushqimesh, dhe Allahu e udhëzoi ymetin e Muhamedit për në të vërtetën në këtë gjë. Ata ranë në kundërshtim në lidhje me Ibrahimin: Jehudët thanë se ishte jehudi, të krishterët thanë se ishte i krishterë, kurse Allahu tha se ishte në fenë e pastër dhe i dorëzuar tek ai, dhe Allahu e udhëzoi ymetin e Muhamedit për në të vërtetën në këtë gjë. Ata ranë në kundërshtim në lidhje me Isën -alejhi selam-: Jehudët e përgënjeshtruan dhe thanë për nënën e tij shpifje të mëdha, kurse të krishterët thanë se ishte zot i lindur, kurse Allahu tha se ishte shpirt prej Tij dhe fjalës së Tij, dhe Allahu e udhëzoi ymetin e Muhamedit për në të vërtetën në këtë gjë.” E transmeton Ibn Ebi Hatim.
Të gjitha këto kundërshtime janë përmendur në kuran dhe i ka sqaruar vetë Allahu i Madhëruar në librin e Tij, me përjashtim të ditës së xhuma e cila ka ardhur nga Profeti -alejhi selam- në hadithin e Ebu Hurejrës -radiallahu anhu-, i cili thotë: “Ne jemi të fundit në dynja dhe të parët në ahiret, vetëm se atyre u është dhënë libri para nesh. Kjo (xhumaja) është dita në të cilën Allahu ua bëri detyrë përkujtimin e Tij dhe ata ranë në kundërshtim. Allahu na udhëzoi neve për në të dhe njerëzit e tjerë janë pas nesh, jehudët nesër kurse të krishterët pasnesër.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Fjala e Allahut: [Allahu udhëzon kë të dojë për në rrugën e drejtë], tregon se suksesi në gjetjen e së vërtetës është në dorën e Allahut prandaj atij le t’ia kërkojnë njerëzit. Aishja -radiallahu anha- tregon se Profeti -alejhi selam- e çelte namazin e tij të natës me këtë dua: “O Allah, Zoti i Xhibrilit, Mikailit, Israfilit, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, i Dijshmi i të fshehtës dhe të dukshmes, Ti gjykon mes robëve të Tu kur bien në kundërshtim! Më udhëzo për në të vërtetën në lidhje me atë që njerëzit kanë rënë në kundërshtim, sepse Ti udhëzon kë të duash për në rrugën e drejtë!” E transmeton Muslimi.
Një tabiin i njohur që quhet Ebul-Alije Err-Rrijahij thoshte në komentimin e ajetit: “I udhëzon ata për dalë nga dyshimet, humbjet dhe sprovat.” E transmeton Ibn Ebij Hatim. Ndërsa komentuesi i njohur i Kuranit, imam Taberiu thoshte: “Ky ajet tregon për vërtetësinë e shprehjes së njerëzve të urtë: Çdo mirësi që e kanë robtë në fenë e tyre dhe në dynjanë e tyre është prej Allahut të Madhëruar.”

Si duhet mbajtur raporti komb-fe?

Bazuar në mësimet e përfituara nga ajetet arritëm në përfundimin se; ndarja në popuj dhe kombe është bërë për t’u njohur njerëzit me qëllim që të ruhen lidhjet farefisnore mes tyre. Ndërsa ndarja në fe është prej vetë njerëzve, sepse Allahu nuk ka zbritur veçse një fe dhe që është feja e njësimit të Tij, feja e besimit në; melaiket e Tij, librat e Tij, profetët e Tij, feja e besimit në caktimin e Tij qoftë ai i mirë apo i keq, dhe feja e besimit nTë ditën e gjykimit.
Sipas trajtimit të besimeve në Kuran gjejmë tre lloje besimesh:
Lloji i parë: Besim i drejtë. Ky është besimi i profetëve të Allahut dhe i pasuesve të tyre të sinqertë, dhe që më vonë u kufizua në islamin e ardhur nga profeti Muhamed -alejhi selam-.
Lloji i dytë: Besim i devijuar. Ky besim është besimi i atyre që patën libra dhe udhëzime të ardhura nga Allahu, por ata ruajtën disa dhe devijuan në shumë prej tyre.
Lloji i tretë: Besim i trilluar. Ky besim është i atyre që nuk kanë njohur libra dhe udhëzime nga Allahu, dhe feja e tyre nuk është tjetër veçse pjellë e fantazisë njerëzore.
Të gjitha këto lloje besimesh, me përjashtim të të parit, janë të refuzuara nga Allahu e megjithatë Ai ka ndaluar të ushtrohet dhunë në përqafimin e ndonjërës prej tyre. Allahu i madhëruar ka caktuar një ditë llogarie për robtë e Tij, dhe në mënyrë që llogaria të ketë kuptim atëherë njeriu duhet të jetë i lirë.
Nëse kombi dhe feja e drejtë (lloji i parë i besimit) bashkohen, atëherë ruajtja e lidhjeve farefisnore dhe e besimit janë në gradën më të lartë dhe njerëzit në përgjithësi këtë synojnë. Mirëpo, nëse kjo nuk është e mundshme apo nuk gjendet dhe kemi të bëjmë me ndryshim feje mes pjesëtarëve të një kombi, atëherë si duhet të jetë raporti?
Këtë përgjigje na i jep Allahu në Kuran kur thotë: “Ne e kemi porositur njeriun për dy prindërit e tij, sepse atë e mbajti e ëma me vështirësi pas vështirësie dhe e ndau pas dy vjetësh. Të më falënderosh mua dhe dy prindërit e tu, dhe dije se tek unë është kthimi. * Nëse të detyrojnë të më shoqërosh Mua shok pa pasur udhëzim nga Zoti, atëherë ti mos u bind atyre dhe shoqëroji ata në çështjet e dynjasë. Bindu rrugës së atyre që janë kthyer nga Unë, pastaj tek Unë është kthimi juaj dhe do t’ju tregoj për atë që punonit.” Suretu Lukman: 14-15.
Këtu Allahu i Madhëruar tregon se mbajtja e lidhjeve farefisnore është porosi e Tij, duke përmendur lidhjen më të ngushtë që është lidhja me prindërit. Mirëpo, kur ata nuk ndajnë me fëmijën të njëjtën fe d.m.th. ata në fenë e idhujtarisë dhe fëmija në fenë e besimit të drejtë, atëherë Allahu e ka ndaluar që ai t’u bindet atyre në besim dhe të ndërrojë besimin e drejtë me idhujtari. Kurse në lidhje me çështjet e dynjasë dhe mbajtjes së lidhjeve farefisnore e porosit se duhet të vazhdojë t’i shoqërojë ata për hir të lidhjes së tij. E njëjta gjë vlen edhe për pjesëtarët e kombit me të cilët mund të mos kesh lidhje të afërta si lidhjet me prindërit, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk u ndalon Allahu në lidhje me ata të cilët nuk ju kanë luftuar në fe dhe as u kanë nxjerrë nga shtëpitë tuaja, që të silleni mirë dhe të mbani drejtësi me ta. Allahu i do të drejtët. * Por u ndalon në lidhje me ata të cilët u kanë luftuar në fe dhe u nxjerrin nga shtëpitë tuaja, apo ndihmojnë në nxjerrjen tuaj që t’i merrni për miq. Ata që i marrin ata për miq janë zullumqarët e vërtetë.” Suretu El-Mumtehine: 8-9.

Si përfundim themi se sipas librit të Allahut kombi dhe feja e drejtë nëse bashkohen duhen respektuar që ty dyja, por nëse ndahen atëherë feja e drejtë nuk tradhtohet për hir të kombit. Kjo në lidhje me besimin, ndërsa në lidhje me çështjet e tjera që nuk kanë lidhje me besimin lidhjet me kombin ruhen. Madje Allahu ka nxitur për këtë punë përderisa ata nuk cënojnë fenë e drejtë të Allahut, jetën, pasurinë apo nderin e pasuesve të saj. E nëse ndodh kjo e fundit, atëherë jemi ndaluar t’i marrim ata për miq sepse respekti duhet të jetë i ndërsjelltë. Ky është gjykimi i drejtë i Allahut dhe askush nuk gjykon më drejtë se Ai. Krahaso këtë që thotë Allahu në librin e Tij për respektimin dhe sjelljen mirë me njerëzit, edhe nëse ata i përkasin një feje tjetër. P.sh. si po ndodh sot në Birmani, ku Budistët e Birmanisë keqtrajtojnë dhe vrasin bashkëkombësit e tyre myslimanë vetëm se janë të një feje tjetër. Të vërtetën ka thënë Allahu kur përmend në Kuran: “Ata (idhujtarët) nuk respektojnë te asnjë besimtar as farefisninë e as marrëveshjen.” Suretu Et-Teube: 10.

 

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...