Kush është sihariqi që i jepet besimtarit në jetën e kësaj bote?

January 31, 2020

Kush është sihariqi që i jepet besimtarit në jetën e kësaj bote?

Dhe kush është sihariqi që i jepet besimtarit të devotshëm në jetën e përtejme?

Allahu i Madhëruar thotë: ”Atyre u takon sihariqi në këtë jetë dhe në jetën tjetër.”

Pra për ta janë dy sihariqe, një sihariq në këtë jetë dhe një në jetën tjetër.

Shpjegimi i sihariqit të kësaj jete është qartësuar përmes teksteve që janë përcjellë në këtë temë.

Në hadithin e saktë është cekur se Profeti ynë u pyet në lidhje më atë person i cili kryen një vepër të mirë për të cilën njerëzit e lëvdojnë dhe flasin mirë për të; filani është ashtu e kështu. Profeti (alejhi selam) tha: ”Ai është sihariqi i përshpejtuar i besimtarit.” (Muslimi) Kjo përfshihet në ajetin në fjalë: ”Atyre u takon sihariqi në këtë jetë…”

Pra, ky është sihariqi i përshpejtuar i besimtarit që të përmendet në mesin e njerëzve për mirë. Në këtë çështje merret për bazë fjala e njerëzve të mirë që janë fetarë dhe të rregullt, pra të përmendet midis tyre për mirë dhe të përmendin veprat e tij e të thonë: filani është për mashallah, atij nuk i shpëton tekbiri fillestar i namazit, filani është për mashallah, ai tregon kujdes të madh ndaj namazit, filani është për mashallah, ai jep lëmoshë shumë. Ai nuk i ka bërë ato që t’a lëvdojnë por i ka bërë për hir të Allahut. Mirëpo fjalët e mira janë pjesë e sihariqit të përshpejtuar për besimtarin kur njerëzit flasin mirë për të dhe e lëvdojnë. Po ashtu përcillet në hadith të saktë se Ubadeh bin Samit (radijallahu anhu) e pyeti Profetin (alejhi selam) në lidhje me fjalën e Allahut të Madhëruar: ”Atyre u takon sihariqi në këtë jetë…’‘ Profeti (alejhi selam) i tha: ”Ajo është ëndrra e mirë që e sheh besimtari ose e shohin për të.” (Tirmidhiu):

Kjo gjithashtu bën pjesë në sihariqin e përshpejtuar që besimtari të shohë në ëndërr diçka që e lumturon, e përgëzon dhe e gëzon. Ose e takon vëllai i tij dhe i thotë: Kam parë në ëndërr se ti ishe kështu e ashtu… gjëra që e gëzojnë atë. Kjo pra është gjithashtu pjesë e sihariqit të përshpejtuar të besimtarit. Gjithashtu, prej sihariqit të përshpejtuar për besimtarin në këtë jetë është që njeriu të ndihet mirë kur bën mirësi dhe adhurime, gëzohet me adhurimet dhe ndihet keq nga ligësia dhe qëndron larg saj.

Kjo gjithashtu është prej sihariqit të përshpejtuar të besimtarit. Në një hadith të saktë thuhet se Profeti a.s. ka thënë: ”Ai që  gëzohet nga e mira e tij dhe ndihet keq nga e keqja e tij, ai është besimtar.” (Ahmedi) Fraza; ”Gëzohet nga e mira e tij” d.m.th. ndihet mirë prej veprës së mirë dhe adhurimit, dhe është i zellshëm në kryerjen e tyre, ndihet keq nga mëkatet, nga e keqja dhe nga shthurja. Kjo është pjesë e sihariqit të përshpejtuar të besimtarit. Gjithashtu prej sihariqit të përshpejtuar për besimtarin në këtë jetë që përfshihet në ajetin e Kuranit, është përgëzimi që i jepet besimtarit kur i vijnë engjëjt për t’i marrë shpirtin. Thuaju: ”Engjëlli i vdekjes ua merr shpirtrat…” (32:11)

Para se të vijë engjëlli i vdekjes për t’i marrë shpirtin, ai përgëzohet. Kjo gjë përfshihet në fjalën e Allahut: ”Atyre u takon sihariqi në këtë jetë.” Në një hadith përcillet: “Kur vjen engjëlli i vdekjes zbresin engjëjt dhe engjëjt e mëshirës të cilët qëndrojnë mbi të vdekurin në numër të shumtë, aq sa sheh syri. Dhe kur engjëlli i vdekjes i’a merr shpirtin ata nuk e lënë në dorën e tij as edhe një çast të vetëm. Ata e vendosin atë në një pëlhurë të parfumosur prej Xhenetit.”

Përcillet gjithashtu se i thuhet: “Gëzohu për një prehje dhe kënaqësi dhe për takimin me Zotin e pa zemëruar.” Ai përgëzohet me këto fjalë. Për këtë dëshmon Kurani Famëlartë në fjalën e Allahut të Madhëruar: ”Padyshim, ata të cilët thanë ‘Zoti ynë është Allahu’ dhe më pas i’u përmbajtën asaj, mbi ta zbresin engjëjt dhe u thonë: Mos kini frikë e as mos u pikëlloni, përgëzim për ju është Xheneti i cili u qe premtuar. Ne jemi përkrahësit tuaj në jetën e dynjasë dhe në jetën tjetër, në të ka për ju çfarë të dëshironi dhe çfarë të kërkoni, mikëpritje nga Mëkatfalësi, Mëshiruesi.” (Allahut Bujar i kërkojmë nga mirësitë e Tij) Engjëjt zbresin me këto sihariqe; mos u frikëso, mos u pikëllo, përgëzohu!

Pjesë e zbritjes së engjëjve është edhe zbritja e tyre kur i merret shpirti besimtarit me ç’rast ata e përgëzojnë atë, e qetësojnë dhe bëjnë që ai të ndihet i gëzuar. Sakaq shpirti i tij del duke qenë i lumtur dhe i gëzuar. Kjo e shpjegon atë që e vënë re disa njerëz tek ai person i cili dallohej për devotshmërinë e tij. Ata vënë re edhe pse ka vdekur dhe i ka dalë shpirti, se mbi fytyrën e tij është evident gëzimi, shkëlqimi, kënaqësia dhe qetësia. Kjo ndodh sepse shpirti i tij është përgëzuar dhe është lumturuar dhe gëzuar para se të dilte nga trupi me sihariqin e madh. Allahu thotë: ”Vini re, miqtë e Allahut janë ata të cilët as do të frikësohen e as do të pikëllohen.” Ata të cilët besuan dhe u ruajtën janë ata të cilët do të marrin sihariqin. Ata që kanë besim, devotshmëri dhe vepra të mira si u përmend më herët.

Shejh: Abdurrezak el Bedër

Përktheu: Rexhep Milaqi

Loading...