Vlerat dhe mirësitë e muajit të Ramazanit

April 22, 2020

Muaji i Ramazanit ka vlera dhe mirësi të mëdha, ndër të cilat janë:

1 – Në muajin e Ramazanit është shpallur Kurani Famëlartë.

Allahu i Madhëruar thotë: ‘’Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin u shpall Kurani i cili është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra).’’ |El Bekare: 185|

Allahu i Madhëruar e ka dalluar muajin e Ramazanit në mesin e të gjithë muajve të tjerë, duke e përzgjedhur për të shpallur në të Kuranin e madhërueshëm. Shpallja e tij nisi në natën e Kadrit e cila gjendet në dhjetë netëshin e fundit të Ramazanit. Në suren Kadr thuhet: ‘’Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit.’’ |El Kadr: 1|

 2 – Librat e mëparshëm hyjnor janë shpallur pikërisht në këtë muaj.

Sipas një transmetimi tjetër (mbi saktësinë e të cilit ka diskutim) edhe librat e mëparshëm hyjnor janë shpallur pikërisht në këtë muaj: ‘’Broshurat e Ibrahimit (paqja e Zotit qoftë mbi të) u shpallën në natën e parë të Ramazanit, Teurati u shpall në natën e gjashtë të Ramazanit, Ungjilli u shpall në natën e trembëdhjetë të Ramazanit, ndërsa Kurani u shpall në natën e njëzetë e katërt të Ramazanit.” “Musnedi” i Imam Ahmedit hadithi me nr. 16984. Albani e ka konsideruar të mirë ndërsa Shuajbi të dobët.

 3 – Në Ramazan hapen dyert e Xhenetit.

4 – Mbyllen dyert e Xhehenemit.

5 – Lidhen rebelët e xhindëve.

6 – Një engjëll thërret: O kërkues i së mirës, përkushtohu! O kërkues i së keqes, frenohu!

7 – Në ç’do natë të tijën Allahu liron njerëz nga zjarri.

Këto janë të përmendura në hadithin e Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku Profeti, paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kur hyn nata e parë e Ramazanit shejtanët dhe xhindët rebelë lidhen. Ndërkaq, dyert e Xhehenemit mbyllen dhe asnjë prej tyre nuk hapet, dyert e Xhenetit hapen dhe asnjë prej tyre nuk mbyllet. Një thirrës thërret: O kërkues i së mirës, përkushtohu! O kërkues i së keqes, frenohu! Në çdo natë të tijën Allahu liron njerëz nga zjarri.” Transmeton Tirmidhiu me nr. 682.

8 –Në të gjendet një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj.

Bëhet fjalë për natën e Kadrit, e cila siç cilësohet në suren El Kadr është më e mirë se një mijë muaj.

Profeti, paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Në të gjendet një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai njeri i cili privohet nga mirësia e kësaj nate është privuar nga të gjitha mirësitë.” Transmeton Ibën Maxheh me nr. 1644.

9 – Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin pranohen lutjet.

Profeti, paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Padyshim se Allahu liron nga zjarri çdo ditë e çdo natë, dhe çdonjëri prej tyre ka një lutje që i pranohet.” “Musnedi” i Imam Ahmedit 7450.

 10 – Muaji i Ramazanit është muaji i kalitjes së durimit.

Profeti, paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Agjërimi i muajit të durimit (Ramazanit) dhe i tri ditëve në çdo muaj largojnë mllefin e kraharorit.” “Musnedi” i Imam Ahmedit 3070, dhe Bezari 1057.

11 – Muaji i faljes së mëkateve.

Profeti, paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri te xhumaja tjetër, Ramazani deri te Ramazani tjetër shlyejnë mëkatet e kryera ndërmjet tyre nëse janë evituar mëkatet e mëdha.” Transmeton Muslimi me nr. 233.

Profeti, paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe me shpresë i falen mëkatet e kaluara.” Transmeton Buhariu me nr. 38.

Përktheu: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...