Rregulla të ndryshme rreth Kurbanit

July 25, 2020

Falënderimet i takojnë vetëm Allahut i Cili ligjëroi për robërit e Tij që t’i afrohen Atij duke therur kurban. Ai e ka përmendur kurbanin në Kuran së bashku me namazin. Dëshmoj se nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë veç Allahut të vetëm, Ai nuk ka shok. Ai është plot mirësi e bamirësi. Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, ai është njeriu i cili ka kryer më së miri rregullat e Islamit dhe ka arritur vërtetësinë e besimit. Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, mbi shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që e pasuan atë në mënyrën më të mirë!

Prej rregullave fetare është edhe therja e kurbanit në festën e muajit të Dhul Hixhes, i njohur ndryshe si festa e Kurban Bajramit. Si e tillë duhet që muslimani të njihet me rregullat e kurbanit, në mënyrë që t’a kryejë kurbanin në mënyrën më të mirë, duke qenë i qartë në atë çka vepron.
Në këtë shkrim do të përmendim çështjet më kryesore që kanë të bëjnë me kurbanin në mënyrë të shkurtuar. Këto janë rregulla ndaj të cilave nuk duhet që muslimani të jetë i paditur.

Së pari: Kurbani është kafsha e cila theret ditëve të festës së Bajramit, duke dashur me të të afrohet tek Allahu i Lartësuar.

Së dyti: Kurbani është traditë e babait të pejgamberëve Ibrahimit (alejhi selam), atëherë kur ai u urdhërua të bënte kurban djalin e tij. Ai i’u bind urdhërit të Zotit të tij, por Allahu i Lartësuar prej butësisë e prej mëshirës së Tij i’a zëvendësoi sakrifikimin e djalit të me një kurban madhështor.

Gjithashtu, kurbani është edhe traditë e pejgamberit tonë Muhamedit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të). Përcillet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ka thënë: “Pejgamberi (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka bërë kurban dy desh të mëdhenj me brirë. I theri ato me duart e tij duke përmendur dhe duke madhëruar Allahun, si dhe vendosi këmbën e tij mbi qafën e tyre.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Shumica e dijetarëve të Islamit thonë se kurbani është sunet i fortë, duke u bazuar në hadithin e lartpërmendur.

Porse dijetarët e medhhebit Hanefi si dhe një transmetim nga imam Ahmedi thonë se është detyrë për atë që ka mundësi. Këtë mendim e ka zgjedhur edhe dijetari i Islamit Ibn Tejmije si dhe e ka përforcuar edhe shejh Ibn Uthejmini, Allahu i mëshiroftë që të gjithë.
Prej argumentimeve që janë bazuar për obligueshmërinë është hadithi të cilin e përcjell Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), ku thotë: I dërguari i Allahut (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Ai i cili gjen mundësi në pasurinë e tij dhe nuk ther kurban, atëherë mos t’i afrohet vend-faljes sonë.” Transmeton Ahmedi, Ibn Maxheh dhe Hakimi. Hadithin e ka saktësuar shejh Albani.

Së treti: Një kurban prej dhenëve vlen për një person dhe familjen e tij, si dhe për ato që dëshiron të bëj pjesë prej muslimanëve, duke u bazuar në atë që përcillet nga Aishja, Allahu qoftë e kënaqur prej saj, se i dërguari i Allahut, paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të, thoshte kur therte kurbanin e tij: ‘Me emrin e Allahut! O Zoti im! Pranoje këtë prej Muhamedit dhe familjes së tij, si dhe prej umetit të tij.” Transmeton imam Muslimi.

E katërta: Origjina e kurbanit është se bëhet për ata që janë gjallë, siç vepronte Pejgamberi (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij të cilët bënin kurban për vetet dhe familjarët e tyre.

Përsa i përket kurbanit për ata që kanë ndërruar jetë, ky gjykim ndahet në tri lloje:

E para: Të bëjë kurban për t’a bashkë me ata që janë gjallë. Bën kurban për familjarët e tij të gjallë e të vdekur. Kjo është e ligjëruar sepse është përcjellë nga Pejgamberi (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) se ai ka bërë kurban për veten dhe familjen e tij. Prej familjarëve të tij ka pasur edhe prej atyre që kishin ndërruar jetë më parë.

E dyta: Të bëjë kurban për të vdekurit pasi ata e kanë lënë porosi nga pasuria e tyre. Ky lloj kurbani duhet zbatuar patjetër sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe ai i cili e ndryshon amanetin e lënë pasi e dëgjoi mirë atë, le t’a dijë se mëkatin e kanë ata që bëjnë ndryshimin. Me të vërtetë Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” [Bekare: 181]

E treta: Të bëjë kurban vetëm për të vdekurin në veçanti. Edhe ky lloj kurbani është i ligjëruar, sepse ky veprim është i ngjashëm me dhurimin e sadakasë apo kryerjen e haxhit për ta, por nuk mund të themi se është prej sunetit sepse Ligjvënësi (Allahu dhe i dërguari i Tij) nuk kanë nxitur për diçka të tillë.

E katërta: Kurbani duhet të plotësojë katër kushte pa të cilat nuk mund të jetë më i vlefshëm.
Kushti i parë: Duhet që kurbani të jetë prej kafshëve të caktuara të cilat janë; deveja, lopa, dhentë dhe dhia, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “Për çdo popull Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim. Zoti juaj është një Zot i vetëm prandaj vetëm Atij përuluni. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur.” [Haxh: 34].

Përsa i përket kurbanit që nuk bëhet me këto kafshë por bëhet me shpendë, ky kurban nuk është i vlefshëm sepse feja Islame nuk e ka ligjësuar një gjë të tillë.

Kushti i dytë: Duhet që kafsha të ketë arritur moshën e duhur që është caktuar fetarisht. Për devetë mosha është pesë vjeçare, për lopët dy vjeçare, për dhitë një vjeç, kurse për dhentë gjashtë muaj. Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka përcjellë se i dërguari i Allahut (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Mos therni kurban vetëm se ato kafshë që kanë mbushur moshën e duhur, e nëse nuk keni atëherë bëni kurban dhentë gjashtë muaj e sipër.” Transmeton Muslimi.

Kushti i tretë: Duhet që kafsha të jetë pa të meta fizike. Disa prej tyre i ka përmendur i dërguari i Allahut (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ku ka thënë: “Katër mangësi e bëjnë kurbanin të pavlefshëm: verbëria e qartë, sëmundja e qartë, çalimi i qartë dhe çmenduria.” Transmetojnë Ahmedi dhe autorët e suneneve nga hadithi i Bera ibn Azibit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

Me këto mangësi mund të bashkangjiten edhe mangësi të ngjashme apo që janë më të rënda se këto.

Kafsha e cila është e tredhur mund të bëhet kurban, sepse Pejgamberi (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka bërë kurban dy desh që ishin të tredhur.

Kushti i katërt: Duhet që kurbani të theret në kohën e duhur dhe të përcaktuar nga Ligjvënësi. Kjo kohë është pas namazit të Bajramit deri në perëndimin e diellit të ditës së tretë shoqëruese të ditës së Kurban Bajramit. Pra, koha për therjen e kurbanit është brenda katër ditëve. Xhundub ibn Sufjan el-Bexheli (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se i dërguari i Allahut (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Ai i cili e ther kurbanin para namazit të Bajramit, le të therë një tjetër në vend të tij. E ai i cili nuk ka therur, le të theri në emrin e Allahut.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Therja mund të bëhet gjatë ditës dhe gjatë natës.

E gjashta: Kurbanet më të mira janë; devetë, më pas lopa nëse e ther të gjithën për veten, më pas dhentë, më pas dhitë, më pas të mblidhen shtatë veta në një deve, më pas shtatë veta në një lopë.

Më e mira prej tyre është ajo e cila është më e bëshme dhe ka më shumë mish, më e plotë në krijim e më e bukur në pamje.

E shtata: Duhet që ai i cili vendos të therë Kurban të mos prekë asgjë nga qimet e trupit të tij, as nga thonjtë e as nga lëkura e tij, prej momentit që hyn muaji i Dhul Hixhes e deri në momentin e Kurbanit. Nga Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) përcillet se i dërguari i Allahut (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur të shikoni hënën e Dhul Hixhes dhe ndonjëri prej jush ka vendosur të therë Kurban, atëherë mos t’i presë flokët e as thonjtë e tij deri në momentin kur të therë kurbanin.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Mos të prekë asgjë prej qimeve e as prej lëkurës së tij.” Transmeton Muslimi.

Kjo dispozitë vlen për ata persona që vendosin t’a therin vetë kurbanin, apo t’ia dhurojnë dikujt tjetër që t’a therë atë. Kjo dispozitë nuk përfshin pjesëtaret e familjes, dhe as atë person i cili ther për tjetër kënd. Kjo dispozitë nuk ka ngjashmëri me ihramin që bëhet kur shkon në haxh apo në umre.

Ai i cili prek diçka nga trupi i tij prej gjërave që sqaruam më lart pasiqë ka vendosur të therë kurban, atëherë nuk ka nevojë të bëjë shpagim. Kurbani i tij është i vlefshëm, por ai ka për obligim të pendohet dhe të kërkojë falje tek Allahu.

E teta: Duhet që gjatë therjes të tregohet mëshirë me kafshën duke e mprehur mirë thikën e therjes, duke e qetësuar kafshën, duke u treguar i butë me të, si dhe duke e shtrirë nga krahu i saj i djathtë.

E nënta: Është prej sunetit që ai i cili bën kurban t’a therë atë me dorën e tij, apo të jetë prezent në therjen e kurbanit, si dhe nuk duhet që kasapit t’ia japim hakun e tij nga kurbani. Nëse ai i jep kasapit dhuratë nga mishi i kurbanit apo i jep sadaka nuk ka problem, si dhe lejohet që ai (kasapi) të përfitojë nga lëkura e kurbanit por duke mos i’a shitur atë apo një pjesë të lëkurës.

E dhjeta: Është prej sunetit që ai i cili ther kurban të hajë nga kurbani i tij, të bëjë dhuratë dhe sadaka, apo t’a ruajë mishin e kurbanit. Selemetu ibn Ekua (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se Pejgamberi (Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Hani, ushqeni të tjerët, dhe ruajeni.” Transmeton imam Buhariu.

Ushqyerja e të tjerëve përfshin bërjen dhuratë pasanikëve si dhe sadakanë ndaj nevojtarëve. Gjithashtu lejohet që të ushqehet me të edhe mosbesimtari.

Shkroi: Prof. Dr. Hamed ibn Muhamed el Haxhiri.

Përktheu: Ylli Rama

Dosje: ,

Loading...