Parathënie
Vërtet hamdi i përket vetëm Allahut, Atë e falënderojmë, i kërkojmë mbështetje dhe falje. I lutemi Allahut të na mbrojë nga të këqijat e veteve tona dhe të punëve tona. Atë që Allahu e udhëzon s’ka kush që ta humbasë dhe atë që Allahu e humbet s’ka kush që ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një i Pashok, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
E më pas: Fjala më e mirë është fjala e Allahut tebareke ue teala dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat dhe çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.
E më pas:
Këto janë disa çështje të bazuara në ixhtihad rreth të cilave ka mospajtim mes dijetarëve, që kanë të bëjnë me agjërimin dhe zekatin. I përmenda ato duke treguar mospajtimin e dijetarëve rreth tyre dhe duke zgjedhur atë mendim që mua më është dukur se është i sakti, duke u bazuar në arsyet e zgjedhjes së atij mendimi, arsye të cilat do t’i përmend në fund të çdo çështjeje inshaAllah.
Me fjalën terxhihat (mendimet e zgjedhura) kam për qëllim diçka me kuptim më të gjerë se ajo që përmendin dijetarët e usulit në kapitullin e “Mospërputhjes dhe zgjedhjes së të saktit”, sepse ata kanë për qëllim me zgjedhjen e mendimit më të saktë duke punuar me njërin argument dhe duke e lënë (zhvlerësuar) argumentin tjetër. Ndërsa ne, në këtë libër, kemi për qëllim kuptimin e mësipërm por gjithashtu një kuptim tjetër, i cili është: të punuarit me të dy palët e argumenteve njëkohësisht duke bërë një lloj bashkimi dhe përputhjeje të mundshme mes tyre. Çështjet e këtij libri do i trajtoj në bazë të argumenteve, ndërsa medhhebet e dijetarëve do i përmend si diçka dytësore dhe jo si diçka primare (në të cilën të bazohesh), duke bërë të qartë mënyrën e të argumentuarit me argumentin përkatës dhe në përgjithësi do mjaftohem me përmendjen e argumentit më të fortë. Çështjet që do të trajtojmë janë këto:
- Së pari – Çështjet që kanë të bëjnë me agjërimin:
- 1. Dëshmia në lidhje me shikimin e hënës.
- 2. A konsiderohet vërtetimi i hyrjes së muajit(të agjërimit) në bazë të llogaritjeve astronomike?
- 3. Bërja e nijetit për agjërimin para agimit.
- 4. Përcaktimi i nijetit në agjërim.
- 5. Gjykimi i agjërimit për femrën nëse i vijnë periodat (hajdi) apo lehonia (nifasi).
- 6. Gjykimi i agjërimit për shtatëzënën dhe gjidhënësen nëse kanë frikë për shëndetin e tyre apo të foshnjes.
- 7. Gjykimi i agjërimit në udhëtim.
- 8. Cila është më e mira kur është në udhëtim: të agjërojë apo jo?
- 9. Gjykimi nëse kalon një vit i plotë dhe hyn Ramazani tjetër ndërkohë që muslimani nuk ka pasur mundësi t’i agjërojë ditët kaza të mbetura nga Ramazani i kaluar.
- 10. Gjykimi i agjërimit nafile për atë që nuk i ka agjëruar ditët e mbetura kaza nga Ramazani.
- 11. Gjykimi i ditës së shtunë në agjërimin nafile.
- 12. Ejakulimi i spermës me epsh, a e prish agjërimin?
- Së dyti – Çështjet që kanë të bëjnë me zekatin.
- 1. A duhet të japë zekat femra për stolitë që i përdor?
- 2. A duhet të japë zekat për mallrat e tregtisë?
- 3. Gjykimi i nxjerrjes së vlerës monetare në zekat.
- 4. Gjykimi i shpërndarjes së zekatit në të tetë kategoritë e njerëzve që meritojnë zekatin (gjykimi i përfshirjes së të gjitha kategorive).
- 5. A lejohet dhënia e zekatit të afërmve të cilët janë të varfër (fukara dhe mesakin).
- 6. A bën pjesë haxhi në kategorinë “fi sebililah”?
- 7. Gjykimi i zhvendosjes së zekatit nga një vend në një tjetër.
- 8. Kur nxirret zekatul fitri?
- 9. Kush e meriton që t’i jepet zekatul fitri?
Para se të flas rreth çështjeve të mësipërme të agjërimit kam bërë një hyrje të shkurtër në të cilën kam treguar përkufizimin e agjërimit dhe disa njohuri të përgjithshme rreth tij, të njëjtën gjë kam bërë edhe para se të flisja rreth çështjeve të mësipërme të zekatit, duke treguar përkufizimin e zekatit dhe njohuri të përgjithshme rreth tij.
Nëse në këtë vepër ia kam qëlluar të vërtetës ky është vetëm sukses i dhënë nga Allahu dhe mirësi e Tij ndaj meje. Ndërsa nëse ka ndodhur ajo tjetra (mosqëllimi i të vërtetës) i kërkoj falje Allahut dhe i kërkoj mbrojtje Atij nga cytjet e shejtanëve dhe i kërkoj mbrojtje Atij nga prania e tyre, nuk ka forcë e as ndryshim veçse me ndihmën e Allahut, të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.
Nuk harroj t’i shpreh falënderimin tim drejtorit të shtëpisë botuese Darul Hixhrah, Behit bin Nasir el Mudri` i cili ka meritën në parashtrimin e idesë së këtij libri[1]. E lus Allahun të ma bëjë të qartë të vërtetën ashtu siç është e vërtetë dhe të ma mundësojë pasimin e saj dhe të ma bëjë të qartë të kotën ashtu siç është e kotë dhe të ma mundësojë shmangien prej saj. E lus gjithashtu të më udhëzojë në mendimin e saktë kur ndodh mospajtimi, vërtet Ai është i Plotfuqishëm dhe ka mundësi për çdo gjë.
Subhane Rabike Rabil izeti ama jesifun ue selamun alel murselin uel hamdu lilahi Rabi alemin.
(Lavdia i takon Zotit tënd, Zotit të nderuar dhe Fuqiplotë. Ai është i pastër nga të gjitha që ata i mveshin Atij. Paqja dhe çdo e mirë qoftë mbi të dërguarit. Të gjitha lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e gjithësisë).
Shkroi: Muhamed bin Umer bin Salim Bazmul
Mekeh el Mukerremeh 10/4/1415 H
Hyrje
Çështje rreth agjërimit:
Agjërimi dhe njohuri të përgjithshme rreth tij, të cilat do të jenë të renditura si mëposhtë:
- i. Përkufizimi i agjërimit dhe llojet e tij.
- ii. Gjykimi i agjërimit dhe vlera e tij.
- iii. Përshkallëzimi në obligimin e agjërimit dhe përcaktimi i vitit të obligueshmërisë së tij.
- iv. Urtësia në obligimin e agjërimit.
- v. Kush e ka detyrë agjërimin?
- vi. Cilat janë kushtet që duhet të përmbushen në mënyrë që agjërimi të jetë i saktë?
Hollësitë rreth këtyre pikave do të jenë si mëposhtë:
- i. Përkufizimi i agjërimit:
Saumi (agjërimi) në gjuhën arabe do të thotë: Frenim i vetvetes[2].
Ndërsa në terminologjinë fetare, agjërimi është: Frenimi i vetvetes nga ngrënia, pirja dhe epshi me qëllim adhurimi për Allahun, që nga dallimi i gdhirjes së agimit deri në perëndimin e diellit.
Me fjalën epsh është për qëllim marrëdhëniet seksuale dhe ejakulimi i spermës me epsh.
Ky përkufizim është i nxjerrë nga hadithi:
“(Allahu tha): E lë(agjëruesi) ushqimin, pijen dhe epshin e tij për hir Timin”[3],
dhe nga ajeti: “Dhe hani e pini derisa ta dalloni qartë perin e bardhë (dritën e agimit) nga peri i zi (errësira e natës) pastaj plotësojeni agjërimin deri në perëndimin e diellit” (Bekareh 187).
- ii. Llojet e agjërimit
Ka agjërim që është detyrë dhe ka agjërim që nuk është detyrë.
v Agjërimi që është detyrë ndahet dy llojesh:
- 1. Agjërimi që Allahu ia ka bërë detyrë robit drejtpërdrejtë dhe ky është agjërimi i muajit të Ramazanit.
- 2. Agjërimi në të cilin vetë robi bëhet shkak për t’ia obliguar atë vetvetes[4]. Lloji i dytë ndahet në disa nënlloje:
- Agjërimi i zotimit[5].
- Agjërimi i kefarateve (për shlyerjen e gjynahut si pasojë e rënies në gabime të caktuara).
- Agjërimi në këmbim të kurbanit në haxh (për atë që nuk ka mundësi ekonomike të blejë kurbanin).
- Agjërimi si kompensim për veprimin e diçkaje të ndaluar në haxh[6].
- Agjërimi si kompensim për vrasjen e gjahut (në kohë të ndaluar apo vend të ndaluar).
v Agjërimi vullnetar është: çdo agjërim të cilin Allahu e ka preferuar veprimin e tij (nga robi), por jo në formë obligative. Ky është disa llojesh:
- Agjërimi i të hënës dhe të enjtes.
- Agjërimi i tre ditëve të bardha (13-14-15) të çdo muaji (hënor).
- Agjërimi i ditës Ashura.
- Agjërimi i ditës së Arafatit.
- Agjërimi sipas agjërimit të Daudit, alejhi selam.
- Agjërimi i të riut i cili ka epsh por nuk ka mundësi martese.
- iii. Gjykimi i agjërimit dhe vlera e tij.
Agjërimi në muajin e Ramazanit është shtyllë (bazë) nga shtyllat (bazat) e Islamit. Transmetohet nga Ibn Umeri radiAllahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë (gjëra): Dëshminë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, vizitën e Kabes dhe agjërimin e Ramazanit”. Muttefekun Alejhi[7].
Rreth vlerës së tij janë transmetuar hadithe të shumta, ndër to: Nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu i cili tha: Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë, ndaj agjëruesi mos të flasë fjalë të ndyra e as të mos shfaqë injorancë (veprime injoranti). Nëse dikush e ofendon le të thojë: Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm. Betohem për Atë që ka në dorë shpirtin tim! Era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se sa aroma e miskut. Ai (agjëruesi) e lë ushqimin, pijen dhe epshin e tij për hir Timin. Agjërimi është vetëm për Mua dhe Unë shpërblej për të dhe çdo e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e saj”. E transmetojnë dy shejhat (Buhariu dhe Muslimi)[8].
- iv. Përshkallëzimi (gradualiteti) në obligimin e agjërimit.
Allahu i Lartësuar,më i Urti, e ligjëroi agjërimin në mënyrë të përshkallëzuar sepse arabët ishin popull që nuk e njhnin agjërimin dhe nuk ishin të mësuar me diçka të tillë. Transmetohet nga Muadh bin Xhebeli radijAllahu anhu se ai ka thënë: U ligjërua namazi nëpërmjet tre etapave dhe u ligjërua agjërimi nëpërmjet tre etapave (më poshtë tha për agjërimin): Vërtet Profeti salallahu alejhu ue selem fillimisht agjëronte tre ditë në çdo muaj dhe ditën e Ashurasë, derisa Allahu zbriti ajetin: “Ju është bërë obligim juve agjërimi ashtu siç u ishte bërë atyre para jush” deri tek fjala e Tij: “ushqyerje e një të varfëri për çdo ditë” (Bekare 183-184), në këtë fazë kush dëshironte të agjërojë, agjëronte ndërsa kush nuk dëshironte të agjëronte, ushqente një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi të pa agjëruar dhe me këtë e shlyente obligimin që kishte. Derisa Allahu zbriti ajetin: “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani” deri tek “ nga ditët e tjera (të mëvonshme)” (Bekareh 185). Kështu u bë obligim agjërimi i muajit, ndërsa musafiri (që nuk agjëron) i kryen më vonë kaza ato ditë të lëna dhe u vendos që i moshuari dhe e moshuara, të cilët nuk e përballojnë dot agjërimin (janë të pafuqishëm për të agjëruar) të ushqejnë një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi”. E ka transmetuar Ebu Daudi[9].
Pra, agjërimi ka kaluar në tre faza:
- Faza e Parë: Obligueshmëria e agjërimit të tre ditëve në çdo muaj dhe ditës së Ashurasë, gjë e cila është e përmendur në një nga transmetimet e hadithit të Muadhit radiAllahu anhu i cili ka thënë: “Profeti salallahu alejhi ue selem kur erdhi në Medine i urdhëroi ata të agjëronin tre ditë (në çdo muaj) pastaj zbriti agjërimi i Ramazanit”. Po ashtu është vërtetuar se Profeti salallahu alejhi ue selem i urdhëronte të agjëronin ditën e Ashuras, pastaj zbriti dispozita për obligimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe më pas as nuk i urdhëroi dhe as nuk i ndaloi prej saj (që të agjëronin Ashuranë).
- Faza e Dytë: Agjërimi i Ramazanit me dëshirë, kush dëshironte të agjërojë, agjëronte ndërsa kush nuk dëshironte, ushqente një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi.
- Faza e Tretë: Obligueshmëria e agjërimit të Ramazanit për çdokënd pa liri zgjedhjeje mes agjërimit dhe ushqimit të një të varfëri. Udhëtari nëse nuk agjëron duhet t’i kryejë kaza më vonë ato ditë të lëna. I moshuari dhe e moshuara të cilët janë të pafuqishëm, për të agjëruar e kanë detyrë të ushqejnë një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi.
Agjërimi u bë obligim përfundimisht sipas përshkallëzimit të mësipërm, në vitin e dytë të Hixhretit dhe Profeti salallahu alejhi ue selem vdiq pasi kishtë agjëruar nëntë Ramazane[10].
- v. Urtësia në obligimin e agjërimit.
Ibn Kajimi el Xheuzijeh ka thënë: Qëllimi i agjërimit është frenimi i vetes nga epshet dhe tekat, shkëputja, ndërprerja (e përkohshme) nga gjërat e zakonshme me të cilat është i mësuar, ballancimi i fuqisë epshore në mënyrë që të përgatitet për të arritur atë që sjell me vete lumturinë dhe mirësinë dhe për të pranuar atë me të cilin shpirti pastrohet dhe arrin fitoren e jetës së Përhershme. Uria dhe etja i zbusin epshet dhe tekat dhe pangopësinë e vetvetes dhe i përkujton gjendjen e të gjorëve të uritur. Ia ngushton fushën e veprimtarisë së shejtanit dhe rrugët e qarkullimit nëpër trupin e njeriut duke ngushtuar rrugët e qarkullimit të ushqimit dhe lëngjeve. Ia frenon forcën e gjymtyrëve duke bërë që të mos lëshohen lirshëm pa asnjë kontroll dhe të bien në ato gjëra që janë të dëmshme për të si në dunja ashtu dhe në Ahiret, i qetësohen gjymtyrët dhe kontrollon fuqitë e njeriut që të mos acarohen, duke i frenuar ato. Agjërimi është frenimi i të devotshmëve, mburoja e luftëtarëve (të epsheve dhe tekave), ushtrimi i të mirëve të devotshëm të afruar tek Allahu. Është vepër të cilën Zoti i botërave e ka dalluar dhe veçuar nga të gjitha veprat e tjera dhe të cilën robi e bën për hir të Tij në mënyrë të veçantë sepse ai nuk vepron diçka të jashtme të dukshme, por frenon veten duke braktisur ushqimin, pijen dhe epshin e tij për hir të të Adhuruarit të tij. I lë ato që shpirti i tij i dëshiron dhe i do që t`i shijojë duke i dhënë përparësi dashurisë dashurisë së Allahut dhe arritjes së kënaqësisë së Tij. Agjërimi është dicka e fshehtë mes Allahut dhe robit të Tij të cilën nuk e di askush veç Tij. Njerëzit mund të dinë prej tij(agjëruesit) lënien e gjërave të jashtme e të dukshme por nuk mund të dinë se ai e ka lënë ushqimin, pijen dhe epshin e tij për hir të të Adhuruarit të tij dhe ky është në fakt realiteti i agjërimit.
Agjërimi ka një ndikim të çuditshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe frenimin e forcave të brendshme duke i mbrojtur ato nga përzierja në gjëra që i sjellin pasoja të dëmshme të cilat nëse e pushtojnë shpirtin e njeriut e shkatërrojnë atë. Gjithashtu ndihmon në shkarkimin e lëndëve të dëmshme e të panevojshme për trupin e njeriut të cilat ia pengojnë shëndetin. Agjërimi mbron shëndetin e zemrës dhe të gjymtyrëve dhe ia rikthen gjymtyrëve forcën të cilën ia kishin rrëmbyer epshet dhe tekat. Agjërimi është shkaku ndihmues kryesor për arritjen e devotshmërisë, siç ka thënë Allahu: “O ju të cilët keni besuar u është bërë juve obligim agjërimi ashtu siç u ishte bërë atyre para jush në mënyrë që të jeni të devotshëm” (Bekareh 185). Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë”[11], dhe ka urdhëruar atë që ndjen epsh dhe nevojë për tu martuar por që nuk i ka mundësitë (ekonomike) që të agjërojë dhe e konsideroi atë mburojë ndaj epsheve[12].
Duke qenë se dobitë e agjërimit janë të miratuara nga logjika e shëndoshë dhe natyrshmëria e pastër e njeriut dhe në përputhje të plotë me të, prandaj Allahu e ligjëroi atë për robërit e Tij, mëshirë për ta, mirësi ndaj tyre, dietë dhe mburojë për ta.
Udhëzimi i Profetit salallahu alejhi ue selem në praktikimin e agjërimit është udhëzimi më i përsosur, më i suksesshmi në realizimin e qëllimit dhe më i lehti për tu pranuar dhe praktikuar nga shpirti njerëzor.
Duke qenë se shkëputja e menjëhershme nga gjërat e dashura dhe të mësuara me to është nga gjërat më të vështira dhe më të mundishme për shpirtin njerëzor, ndaj u vonua obligueshmëria e agjërimit deri pas hixhretit pasiqë u rrënjos në shpirtrat e tyre teuhidi dhe falja e namazit dhe iu bë diçka normale e pranueshme që të zbresin urdhërat Kuranore.
Kështu pra u zhvendosën gradualisht drejt obligimit të agjërimit[13].
- vi. Kush e ka detyrë agjërimin?
Agjërimi është detyrë për: çdo musliman, i shëndoshë mendërisht, që ka arritur moshën e pubertetit (bulugut), i shëndoshë (nga sëmundjet), mukim (jo udhëtar) dhe nëse nuk ekziston ndonjë nga pengesat e përcaktuara me sheriat(si psh: periodat ose lehonia tek gratë).
Me kushtin e parë: që të jetë musliman, përjashtohet nga agjërimi kafiri sepse ai nuk e ka detyrë dhe nuk pranohet prej tij edhe sikur të agjërojë, megjithëse kërkohet prej tij praktikimi i dispozitave islame, por para së gjithash atij i kërkohet zhdukja e kufrit nga zemra e tij, i cili (kufri) është pengesa kryesore për t’u konsideruar ibadetet e tij të sakta dhe të pranueshme.
Me kushtin e dytë dhe të tretë: që të jetë i shëndoshë mendërisht dhe të ketë mbushur moshën e pubertetit, përjashtohet i çmenduri (i sëmuri psiqik) dhe fëmija i vogël që nuk ka arritur bulugun duke u bazuar në fjalën e Profetit salallahu alejhi ue selem : “Është ngritur lapsi (nuk merret në përgjegjësi) nga tre kategori njerëzish: ai që fle gjumë derisa të zgjohet, nga fëmija derisa të rritet (të arrijë moshën e bulugut) dhe nga i çmenduri derisa t’i vijnë mendtë ose të vijë në vete”. E ka transmetuar Ibnul Xharudi, në një transmetim tjetër thuhet: “dhe nga fëmija i vogël derisa të arrijë moshën e bulugut”[14].
Me kushtin: i shëndoshë përjashtohet i sëmuri.
Me kushtin: mukim përjashtohet udhëtari.
Udhëtari dhe i sëmuri nuk e kanë detyrë ta agjërojnë Ramazanin (gjatë kohës së sëmundjes dhe udhëtimit), por e kanë detyrë t’i kryejnë kaza ato ditë që nuk kanë agjëruar, duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Cilido prej jush që e përjeton këtë muaj le ta agjërojë atë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim duhet t’i plotësojë në ditët e mëvonshme aq ditë sa ka lënë” (Bekareh 185).
Nëse i sëmuri është në gjendje të tillë që nuk shpresohet shërimi i tij në të ardhmen atëherë ai ushqen një të varfër kundrejt çdo dite agjërimi dhe nuk e ka detyrë agjërimin sepse përfshihet në kategorinë e atyre që janë të pafuqishëm për të agjëruar. Allahu ka thënë: “Ata të cilët i rëndon agjërimi (dhe nuk e përballojnë dot) janë të obliguar të japin si kompensim ushqim një të varfëri” (Bekare 184).
Me kushtin: Nëse nuk ekziston ndonjë nga pengesat e përcaktuara me sheriat, është për qëllim hajdi dhe nifasi (për gratë) sepse femra me perioda dhe lehona nuk e kanë detyrë agjërimin (gjatë hajdit dhe nifasit) por do i kryejnë ato ditë më vonë.
- vii. Cilat janë kushtet që duhet të plotësohen për të qenë agjërimi i saktë dhe i vlefshëm?
Kushtet që duhet të plotësohen për të qenë agjërimi i saktë, janë:
- 1. Islami, sepse agjërimi i kafirit nuk është i vlefshëm.
- 2. Shëndeti mendor sepse i çmenduri (i sëmuri psiqik) nuk e ka detyrë agjërimin.
- 3. Ekzistenca e nijetit që para agimit për të agjëruar sepse sipas mendimit më të saktë agjërimi nuk konsiderohet i vlefshëm nëse nuk bëhet nijeti që para gdhirjes së agimit.
- 4. Mos ekzistenca e pengesës e cila është hajdi dhe nifasi sepse agjërimi i femrës me perioda dhe lehonës nuk është i saktë.
- 5. Të qënurit agjërueshëm gjatë gjithë kohës që nga agimi deri në perëndimin e diellit.
Pas kësaj hyrjeje të shkurtër le të fillojmë me çështjet e rëndësishme rreth agjërimit që do i trajtojmë, të cilat janë:
- Së pari – Çështjet që kanë të bëjnë me agjërimin:
- 1. Dëshmia në lidhje me shikimin e hënës.
- 2. A konsiderohet vërtetimi i hyrjes së muajit(të agjërimit) në bazë të llogaritjeve astronomike?
- 3. Bërja e nijetit për agjërim që para agimit.
- 4. Përcaktimi i nijetit në agjërim.
- 5. Gjykimi i agjërimit për femrën nëse i vijnë periodat(hajdi) apo lehonia(nifasi).
- 6. Gjykimi i agjërimit për shtatëzënën dhe gjidhënësen nëse kanë frikë për shëndetin e tyre apo të foshnjes.
- 7. Gjykimi i agjërimit në udhëtim.
- 8. Cila është më e mira kur është në udhëtim: të agjërojë apo jo?
- 9. Gjykimi nëse kalon një vit i plotë dhe hyn Ramazani tjetër ndërkohë që muslimani nuk ka pasur mundësi t’i agjërojë ditët kaza të mbetura nga Ramazani i kaluar.
- 10. Gjykimi i agjërimit nafile për atë që nuk i ka agjëruar ditët e mbetura kaza nga Ramazani.
- 11. Gjykimi i ditës së shtunë në agjërimin nafile.
- 12. Ejakulimi i spermës me epsh, a e prish agjërimin?
- Së dyti – Çështjet që kanë të bëjnë me zekatin.
- 1. A duhet të japë zekat femra për stolitë që i përdor?
- 2. A duhet të japë zekat për mallrat e tregtisë?
- 3. Gjykimi i nxjerrjes së vlerës monetare në zekat.
- 4. Gjykimi i shpërdarjes së zekatit në të tetë kategoritë e njerëzve që meritojnë zekatin(gjykimi i përfshirjes së të gjitha kategorive ….)
- 5. A lejohet dhënia e zekatit të afërmve të cilët janë të varfër (fukara dhe mesakin).
- 6. A bën pjesë haxhi në kategorinë “fi sebililah”?
- 7. Gjykimi i zhvendosjes së zekatit nga një vend në tjetër.
- 8. Kur nxirret zekatul fitri?
Kush e meriton t’i jepet zekatul fitri?
[1] Ideja ishte përfshirja e çështjeve më të rëndësishme rreth të cilave është shtruar mospajtimi dhe polemika mes nxënësve të dijes. Ky libër përfaqëson veçse një pjesë të kësaj ideje, për të cilën e lusim Allahun i Cili është i Vetmi që meriton hamdin, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Tij, Ai është i Dashuri, i Falënderuari për mirësitë: që të më japë sukses dhe të ma bëjë të mundur realizimin e pjesës tjetër të saj dhe të jetë vepër e pranuar tek Ai. Vërtet ai është Dëgjues, i përgjigjet lutjes.
[2] Muxhem Mekajis el Lugah 3/323.
[3] Hadithi është i saktë. E ka transmetuar Buhariu në disa kapituj, p.sh.:në Librin agjërimit, kapitulli: Vlera e agjërimit, hadithi nr.1894 dhe Muslimi, Libri i agjërimit, kapitulli: Vlera e agjërimit, nr.1151. më vonë do e sjellim të plotë tekstin e këtij hadithi.
[4] Sh.P.: Pra, vendimi për obligimin e këtij agjërimi është patjetër nga Allahu, por Allahu e ka kushtëzuar këtë me veprimin e diçkaje të caktuar nga personi e cila bëhet shkak për obligimin e këtij agjërimi në formë shlyerjeje për atë gjynah ose në shkëmbim të një detyrimi tjetër.
[5] Sh.P.: Është zotuar të agjërojë një ditë apo disa ditë, qoftë ky zotim me shkak apo pa shkak, qoftë i kushtëzuar apo i pakushtëzuar.
[6] Sh.P.: Haxhiu e ka të ndaluar veshjen e rrobave dhe mbulimin e kokës, nëse ndodh që vesh ndonjë rrobë ose mbulon kokën me dashje dhe vetëdije i bëhet detyrë kompensimi i cili është: prerja e një qingji ose ushqimi i gjashtë të varfërve ose agjërimi i tre ditëve.
[7] E ka transmetuar Buhariu në Librin e Besimit, kapitulli: Fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem : Islami është ndërtuar….., hadithi nr.8 dhe Muslimi ne Librin e Besimit, kapitulli: Shtyllat e Islamit, nr.16; shiko gjithashtu në Xhamiul Usul 1/207.
[8] Hadithi është i saktë dhe e treguam më herët hollësisht se ku e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi.
[9] Hadithi është i saktë me përforcimin e haditheve të tjera. E ka transmetuar Ahmedi në el Musned 5/426, Ebu Daudi në Librin e Namazit, kapitulli: Fillimi i ezanit, hadithi nr.506 dhe 507, Hakimi në el Mustedrak 2/274, Bejhakiu në es-Sunenul Kubra 4/200. Hadithin e ka saktësuar Albani në Sahihu Suneni Ebi Daudi 1/103, si dhe e ka saktësuar verifikuesi dhe recensuesi i librit Xhamiul Usul 5/276, AbdulKadir Arnauti.
[10] Marrë nga Zadul Mead 2/30-31.
[11] Hadithi është i saktë. E kemi përmendur më parë hollësisht se kush e ka transmetuar.
[12] Ka për qëllim me këtë fjalë hadithin e Ibn Mesudit radijAllahu anhu ku Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “O ju të rinj! Kush ka mundësi prej jush le të martohet sepse kjo e ndihmon më shumë për uljen e shikimit dhe për ruajtjen e nderit (pjesëve të turpshme). Ndërsa kush nuk ka mundësi atëherë le të agjërojë sepse do të jetë mburojë për të” Muttefekun Alejhi, Buhariu me nr. 1905 dhe Muslimi me nr. 1400.
[13] Zadul Mead 2/28-30.
[14] Hadithi është i saktë. E ka transmetuar Ahmedi në Musned 6/100, 101, 144. Ibn Xharudi në el Munteka në librin e Namazit nr. 148, Ebu Daudi në Librin e dënimeve të përcaktuara (Hudud), kapitulli rreth të çmendurit nëse vjedh ose bën një vepër për të cilën ka dënim të përcaktuar me sheriat, hadithi nr. 4398, Nesaiu në Librin e Talakut (shkurorëzimit) kapitulli: Kush janë ata bashkëshortë që nuk konsiderohet talaku i tyre, 6/156, Hakimi në Mustedrak 2/59 dhe Ibn Hibani në el Ihsan 1/355 hadithi nr. 142. Hadithin e kanë saktësuar: Ahmed Shakiri në verifikimin e tij të librit er-Risaleh të imam Shafiut fq.58, gjithashtu verifikuesi i librit të Ibnul Xharudit (Gauthul kedud 1/149). Sh.P.: hadithin e ka saktësuar edhe Albani në verifikimin e tij të Sunen Ebi Daud tek hadithi nr.4398.
Dosje: Broshura
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve