Shpjegimi i librit “El akide et-Tahauije” – mësimi i parë

February 25, 2021

Shpjegimi i librit “El-Akide Et-Tahauije”.

 Mësimi i parë: Njohja me librin, autorin dhe vlerën e tij.

Libri “El akide et-Tahauije” është një përmbledhje e hershme e besimit Islam i shkruar para më shumë se njëmbëdhjetë shekujsh, konkretisht nga fundi i shekullit të tretë të hixhretit apo fillimi i shekullit të katërt.

Titulli i këtij libri përbëhet nga dy fjalë; fjala “El akide” dhe fjala “Et-Tahauije”.

Për sa i përket fjalës “El akide” vjen nga gjuha arabe, dhe do të thotë diçka e shtrënguar mirë apo e lidhur fort dhe e bërë nyje.

Me këtë fjalë në Islam titullohen të gjitha çështjet e besimit të cilat i kërkohen çdo muslimani, si: Besimi në Allahun, besimi në melaike, besimi në profetë, besimi në librat e shpallur, besimi në kader (caktimi i Allahut), besimi në botën tjetër etj.

Kjo ngase feja Islame ndahet në besime, rite e rregulla praktike, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

وَتَمَّتْ كَلِمَتُ رَبِّكَ صِدْقًا وَعَدْلًا

U përsos fjala e Zotit tënd me vërtetësi dhe drejtësi.” |Suretu El-Enam: 115|

Ky ajet i cilëson fjalët e Zotit me dy cilësi: vërtetësi dhe drejtësi. Interpretuesit e Kuranit në lidhje me to thonë: Të vërteta janë të gjitha fjalët e Zotit të cilat përmbajnë lajme, dhe ato janë çështjet e besimit dhe të bindjeve. Ndërsa të drejta janë të gjitha fjalët e Tij që përmbajnë rregulla e rite, urdhëresa e ndalesa, dhe këto janë çështjet praktike.

Pra, akidja është lënda e besimit dhe e bindjeve islame dhe ajo emërtohet me këtë emër për shkak se zemra duhet lidhur dhe shtrënguar fort pas tyre, sepse ato janë bazat e fesë.

Ndërsa me fjalën “Et-Tahauije” është për qëllim dijetari i cili e ka shkruar këtë akide Islame, imami Ebu Xhafer Et-Tahauij, Allahu e mëshiroftë.

Ai është njohur me këtë llagap sepse rrjedh nga një fshat i Egjiptit në brigjet e lumit Nil me emrin “Taha”, dhe çdokush që rrjedh prej atij vendi quhet “Tahauij”. Ai ka jetuar nga viti 238-321 sipas hixhretit.

Ai ka jetuar në kohën e lulëzimit të civilizimit Islam, si nga ana e fesë dhe e njohurive ashtu dhe nga ana e sundimit dhe ekonomisë.

Ai është shquar në fushën më fisnike të këtij civilizimi, atë të dijes Islame, duke përvetësuar shumë degë të saj si; Kurani, Hadithi, Fikhu, Akidja etj. Këto njohuri i ka shkruar në letër që të përfitojnë prej tyre edhe brezat e mëvonshëm, gjë që e ka kthyer atë në pikë referimi në shumë çështje fetare. Prandaj dhe ai gëzon titullin Imam që do të thotë pikë referimi në dije, siç është imami i namazit pikë referimi në namaz.

Libri i tij në degën e Akides është libër me shumë vlera për disa arsye.

E para: Dega e Akides është dega e më e rëndësishme e dijeve fetare sepse ajo është baza e dijeve të tjera, dhe si e tillë nuk mund t’i besohet çdokujt me përjashtim të një dijetari si ai me peshë në fushën e njohurive Islame, i cili – si u tha më lart – ka përvetësuar degët më të rëndësishme të tyre.

E dyta: Koha kur ka jetuar është shumë e hershme, dhe sa më afër të jetë dikush me kohën e Profetit alejhi selam aq më e begatë dhe favorizuese për ta arritur të vërtetën është koha e tij.

E treta: Në Akiden e tij ai u referohet qartazi tre dijetarëve të mëdhenj para tij (siç do të vijë në vazhdim: Imamit Ebu Hanife, kadiut Ebu Jusuf dhe dijetarit Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbani, Allahu i mëshiroftë).

E katërta: Ai në Akiden e tij citon shprehje dhe realitete të njohura, gjë që e bën të lehtë vërtetimin e fjalëve të tij me Kuran dhe me fjalë profetike.

E pesta: Imam Et-Tahauij ka gëzuar dhe vazhdon të gëzojë respekt mes muslimanëve edhe pse kanë kaluar mbi njëmbëdhjetë shekuj nga vdekja e tij, dhe çdokujt që Allahu i Madhëruar i krijon emër të mirë mes njerëzve do të thotë se Ai është i kënaqur me të.

Për këto e të tjera arsye libri i tij në Akide është i pranuar nga dijetarët e Islamit, me përjashtim të disa kritikave të rralla që i janë bërë prej tyre por që nuk ia prishin famën as autorit dhe as librit. Gabimet janë në natyrën njerëzore dhe vetëm Allahu i Madhëruar nuk gabon.

Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, i cili ka jetuar para tij thoshte: “Allahu refuzon të jetë ndonjë libër i tëri i saktë përveç librit të Tij (Kuranit).” Shiko librin “Menakib Esh-Shafiij” të Bejhakiut 2/36.

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...