Respekti për dijen dhe dijetarët!
Ibn Hazmi – Allahu e mëshiroftë – ka qenë një nga dijetarët më të mëdhenj të botës islame, sa me atë shpesh krahasohet shejhu i Islamit Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë .
Ibn Hazmi ka jetuar në Andaluzi (Spanja e sotme) e cila në atë kohë ishte skaji më perëndimor i botës islame e arabe, dhe ka jetuar mes viteve 384-456 sipas hixhretit.
Ai njihet për fakih, muhadith, historian, njohës i mirë i medhhebeve të akides e shumë e shumë fusha të tjera të dijes islame.
Ai mblodhi dhe bashkoi njohuri të mëdha, mirëpo njerëzit ne Andaluzi për disa arsye të asaj kohe nuk patën shumë interes ndaj tij. Kjo gjë e mundonte atë sepse mosinteresimi bën që të humbasë dija e dikujt. Ai mendonte se po të kishte jetuar në vendet arabe të lindjes si p.sh. Iraku, njerëzit atje do kishin treguar më shumë interes ndaj tij dhe atëherë do t’ia ndienin mungesën banorët e Andaluzisë.
Ai këtë shqetësim e ka shprehur në vargje duke thënë:
Unë jam dielli ndriçues, në qiellin e dijes,
por e meta është te lindja nga Perëndimi.
E sikur të kisha lindur nga ana e Lindjes,
Atëherë ndaj meje do të shfaqej interesimi
Irakun për banim shumë e kam ëndërruar,
dhe s’është çudi t’a ëndërrosh atë që me të je dashuruar.
Atje nëse deveja ime ndonjëherë ka për t’u ulur,
Atëherë hidhërimi i tyre shumë ka për t’u dukur.
Atëherë do t’a kuptojnë se çbën largësia,
Dhe se mos-vlerësimi i dijes vjen nga afërsia.
Nëse ata të duan vetëm kur u ke munguar,
të rrish me të tillët shumë ke gabuar.
Dikush mund të thotë: Mos ndoshta Ibn Hazmi – Allahu e mëshiroftë – e mbivlerësonte veten e tij kur thoshte; [Unë jam dielli ndriçues në qiellin e dijes]? Mirëpo kjo nuk është aspak e saktë, sepse si u tha ai ka qenë një ndër dijetarët më të mëdhenj të botës Islame.
Ndoshta mund të thuhet se pse duhej t’a shprehte vlerësimin në këtë mënyrë që të mos i hapet rruga shejtanit?
Po. Kjo pyetje mbase ka vend, mirëpo veprimi i tij ka tre baza fetare:
E para: Porosia e Allahut të Madhëruar në Kuran për t’u përmendur mirësitë e tij.
Allahu i Madhëruar i thotë profetit të Tij: “Mirësinë e Zotit tënd përmende!” Suretu Ed-Duha.
Kështu që përmendja e mirësive të Allahut është e pëlqyeshme, por me kusht që të mos bëhet për të nënçmuar të tjerët sepse atëherë kthehet në mendjemadhësi. Profeti – alejhi selam – ka thënë: Unë jam prijësi i bijve të Ademit dhe s’mburrem. Fjala e tij [s’mburrem] d.m.th.: Nuk e them këtë fjalë për të nënçmuar të tjerët por e them si përmendje e mirësisë së Zotit.
Pra, kush e thotë këtë fjalë pa pasur qëllim nënçmimin e të tjerëve ka bërë një gjë të pëlqyer.
E dyta: Allahu i Madhëruar nuk ka ndaluar nga tregimi i realitetit, por ka ndaluar nga pretendimi i asaj që nuk është reale.
Profeti – alejhi selam – thotë: Ai i cili lavdërohet me atë që nuk e ka, është sikur ka veshur rrobat e trillimit. E transmeton Buhariu. Pra, ai që tregon realitetin nuk ka bërë trillim.
E treta: Kur mohohet realiteti i dikujt, lejohet mbrojtja e tij.
Profeti – alejhi selam – u ka thënë një herë mushrikëve: Unë jam Profeti dhe s’është gënjeshtër. Unë jam i biri i Abdul-Muttalibit. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Shihet qartë se këtu ka një mbrojtje realiteti para atyre që t’a mohojnë atë.
Një nga këto arsye mund t’a ketë shtyrë këtë dijetar t’i thotë këto fjalë, dhe nuk mund të mendohet për të ndonjë arsye tjetër. Allahu e di më së miri!
Allahu e mëshiroftë atë dhe na bëftë prej atyre që respektojnë dijen dhe dijetarët! Amin!
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli