Çështja e njëmbëdhjetë:
Agjërimi nafile ditën e shtunë.
Transmetohet nga Sama bint Busr radijAllahu anha se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos agjëroni ditën e shtunë përveçse në atë që e keni obligim. Nëse ndonjëri prej jush nuk gjen gjë tjetër veçse gjethe rrushi ose lëvore peme le ta kafshojë (për të mos qënë agjërues ditën e shtunë)”. Transmeton Tirmidhiu[1].
Ky hadith në pamje të parë tregon për ndalimin absolut të agjërimit nafile ditën e shtunë.
Mënyra e argumentimit: Profeti salallahu alejhi ue selem ndaloi agjërimin në ditën e shtunë, më pas specifikoi nga ky ndalim agjërimin e obliguar, ndërsa çdo agjërim nafile ngelet në parimin e ndalesës.
Pra, agjërimi i ditës së shtunë nënkupton situatat e mëposhtme:
1. Agjërimi i ditës së shtunë, në farz.
2. Agjërimi i ditës së shtunë, specifikisht për atë ditë (për shkak të së shtunës).
3. Agjërimi i ditës së shtunë, tek, por jo me qëllim specifikimi.
4. Agjërimi i ditës së shtunë në nafile, duke e shoqëruar me një ditë para ose pas saj.
Hadithi përjashtoi nga ndalesa agjërimin e obliguar që përputhet me ditën e shtunë, ndërsa të gjitha situatat e tjera të lartpërmendura i përfshin me ndalesë.
Mirëpo kjo mënyrë argumentimi dhe këto përfundime nuk qëndrojnë pasi kemi argumente që tregojnë për lejimin e të shtunës në disa agjërime nafile:
1. Hadithet që tregojnë për vlerën e agjërimit të ditës së Arafatit dhe ditës së Ashurasë. Transmetohet nga Ebu Katadeh radijAllahu anhu se ai ka thënë: U pyet Profeti salallahu alejhi ue selem në lidhje me agjërimin e ditës së Arafatit, tha: “Agjërimi i asaj dite shlyen mëkatet e vitit të kaluar”[2].
Ky hadith tregon për vlerën e agjërimit të ditës së Arafatit dhe ditës së Ashurasë dhe pa asnjë dyshim në ndonjë prej viteve, dita e Arafatit ose e Ashurasë do ketë qenë e shtunë dhe nuk është transmetuar që Profeti salallahu alejhi ue selem të ketë lënë agjërimin e atyre ditëve për shkak se ishte e shtunë. Po ashtu nuk di të ketë ndodhur diçka e tillë as tek selefët.
2. Hadithet që flasin për vlerën e agjërimit të ditëve të bardha. Transmetohet nga Xherir bin Abdullahi radijAllahu anhu nga Profeti salallahu alejhi ue selem se ai ka thënë: “Agjërimi i tre ditëve në çdo muaj konsiderohet agjërim i të gjithë vitit. Ditët e bardha janë mëngjesi i datës 13, 14 dhe 15”. Transmeton Nesaiu[3]. Transmetohet nga Ebu Dherri radijAllahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “O Ebu Dherr, nëse ti agjëron tre ditë në çdo muaj atëherë agjëro ditën e 13, 14 dhe 15”. Transmeton Tirmidhiu[4].
Them (autori): Agjërimi i ditëve të bardha nuk mund të shmanget që të mos përputhet në ndonjë nga muajt me ditën e shtunë ndërmjet tyre dhe nuk është transmetuar se Profeti salallahu alejhi ue selem e ka lënë agjërimin e këtyre ditëve apo të ndonjë dite prej tyre, përkundrazi transmetohet se Profeti salallahu alejhi ue selem nuk e linte kurrë agjërimin e ditëve të bardha, as në qëndrim dhe as në udhëtim” Transmeton Nesaiu[5].
3. Hadithet që flasin për agjërimin e ditës së xhuma. Transmetohet nga Xhuejrijeh bintul Harith radijAllahu anha se Profeti salallahu alejhi ue selem hyri tek ajo, një ditë të xhuma dhe e pa atë agjërueshëm. Tha: “A ke agjëruar dje? Tha: Jo. Tha: “A dëshiron të agjërosh nesër”? Tha: Jo. Tha: “Atëherë ndërprite këtë agjërim”. Transmeton Buhariu (nr 1986).
Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Të mos agjërojë ndonjëri prej jush ditën e xhuma (veçmas) përveçse nëse e shoqëron me një ditë para ose pas saj” Transmeton Buhariu (nr 1985) dhe Muslimi (nr 1144). Këto dy hadithe tregojnë se urrehet veçimi me agjërim i ditës së xhuma sepse Profeti salallahu alejhi ue selem kur mori vesh se Xhuejrija nuk kishte agjëruar të enjten dhe se nuk dëshironte të agjëronte të shtunën, atëherë e urdhëroi që ta ndërpriste atë agjërim.
Hadithi i Ebu Hurejres ëshë tekst i qartë në ndalimin e agjërimit të ditës së xhuma, në mënyrë të veçuar, si dhe lejon qartë agjërimin xhumasë nëse shoqërohet me një ditë para ose pas saj[6]. Ibn Huzejmeh Allahu e mëshiroftë ka thënë: Në këto hadithe ka argumentim të qartë për lejimin e agjërimit të ditës së shtunë nëse agjëron me të një ditë para ose pas saj. Më poshtë pasi përmendi hadithin e Ebu Hurejres tha: Profeti salallahu alejhi ue selem e lejoi agjërimin e ditës së shtunë nëse agjëruesi ka agjëruar edhe të premten[7].
4. Hadithet që flasin për agjërimin e të shtunës dhe të djelës. Transmetohet nga Kurejbi i cili tha: Më dërgoi Ibn Abasi dhe disa nga shokët e Profetit salallahu alejhi ue selem tek Ummu Selemeh për ta pyetur: Cilat ditë (të javës) i agjëronte më së shumti Profeti salallahu alejhi ue selem? Ajo tha: Të shtunën dhe të djelën. Ata ma refuzuan këtë lajm dhe menduan se nuk e kisha mbajtur mend saktë, ndaj më kthyen përsëri tek ajo që ta pyesja. Ajo ktheu të njëjtën përgjigje. Unë i lajmërova për përgjigjen. Atëherë ata u ngritën të gjithë siç ishin aty dhe vajtën tek ajo, i thanë: Ne e dërguam filanin tek ty për këtë çështje dhe ai pretendon se i ke kthyer këtë përgjigje. Tha: Të vërtetën ka thënë, Profeti salallahu alejhi ue selem më së shumti nga të gjitha ditët e tjera agjëronte ditën e shtunë dhe të djelë dhe thoshte: “Ato janë dy ditë feste për idhujtarët ndaj dëshiroj që t`i kundërshtoj ata” Transmeton Nesaiu në el Kubra[8].
Them (autori): Hadithi tregon për lejimin e agjërimit të ditës së shtunë nëse agjëron edhe të djelën.
Ibn Hibani këtij hadithi i ka vënë titullin: Arsyeja për të cilën u ndalua agjërimi i së shtunës dhe sqarimi se nëqoftëse shoqëroht me një ditë tjetër lejohet agjërimi i saj[9].
Përputhja mes të gjitha haditheve bëhet në këtë mënyrë: Hadithi i Sama bint Busr tregon për lejimin e agjërimit të së shtunës në agjërim farz, ndërsa hadithet e tjera tregojnë për lejimin e agjërimit të së shtunës të shoqëruar me një ditë para ose pas saj apo agjërimin e saj duke mos pasur për qëllim veçimin e saj, duke ngelur e ndaluar vetëm situata kur e shtuna agjërohet veçmas në mënyrë specifike.
Ibn Kudameh rahimehullah ka thënë: Ajo që urrehet është veçimi i kësaj dite me agjërim, kurse në qoftë se agjëron së bashku me të një ditë tjetër, nuk urrehet, duke u bazuar në hadithin e Xhuejrijes dhe Ebu Hurejres[10].
Ebu Daudi në lidhje me hadithin e Samasë ka thënë: Ky hadith është i anulluar[11].
Arsyen e pretendimit të anullimit nga Ebu Daudi e sqaron Ibn Haxheri duke thënë: Ndoshta këtë përfundim ai e nxorri nga fakti se Profeti salallahu alejhi ue selem fillimisht kishte dëshirë të përputhej në disa gjëra me ithtarët e librave ndërsa më pas urdhëroi dhe thoshte: Kundërshtojini ata. Prandaj ndalesa nga agjërimi i së shtunës përputhet me situatën e parë (pra që të ishte lloj festimi duke mos agjëruar) ndërsa agjërimi i tij më vonë (në shenjë kundërshtimi) i përputhet situatës së dytë. Ndoshta këtë lloj anullimi kishte për qëllim. Uallahu ealem[12].
Them(autori): Pretendimi i anullimit është i pabazuar në argument dhe nuk mund të thuhet vetëm për shkak të përplasjes së haditheve, ndërkohë që përputhja mes kuptimeve të tyre është e mundshme sidomos nëse kemi parasysh që parimi bazë është mos ekzistenca e anullimit (përveçse me argument).
Po ashtu nuk mund të themi: I japim përparësi argumentit ndalues ndaj atij lejues dhe as t’i japim përparësi thënies ndaj veprimit, sepse është e mundur që të bëhet përputhje dhe bashkim mes haditheve pa pasur nevojë të zgjedhim mes tyre dhe besoj se është e qartë që ka dallim ndërmjet përzgjedhjes(duke marrë vetëm një palë dhe duke lënë të tjerat) dhe bashkimit(ndërmet të gjithë haditheve).
Sepse kur përzgjedh më të saktën ose më të përafërtën, ke vepruar me një argument dhe e ke lënë tjetrin, ndërsa kur përputh dhe bashkon mes argumenteve, ke vepruar me të gjithë hadithet, duke mos e lënë asnjërin totalisht mënjanë. Prandaj thamë që në këtë rast nuk bazohemi tek rregulli: I jepet përparësi argumentit ndalues ndaj atij lejues dhe as nuk bazohemi tek rregulli: I jepet përparësi thënies ndaj veprimit, sepse këto rregulla përdoren për të përzgjedhur ndërmjet argumenteve, por ne thamë që nuk kemi nevojë për përzgjedhje sepse përputhja dhe bashkimi ndërmjet të gjithë haditheve është i mundshëm.
Mendimi që zgjodhëm përforcohet nga faktorët e mëposhtëm:
1. Është gjë e njohur në sheriat ndalesa nga agjërimi në ditë të caktuara, nëse agjërohen veçmas specifikisht, ndëkohë që lejohen të shoqëruara me ditë të tjera ose në qoftë se agjërohen jo qëllimisht në mënyrë specifike, si për shembull: Ndalesa nga agjërimi i ditës së Xhuma ose ndalesa nga agjërimi një ose dy ditë para Ramazanit. Transmetohet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos t’i paraprijë ndonjëri prej jush Ramazanit duke agjëruar një ditë ose dy para tij, përveç ai person i cili kishte agjërim (të rregullt, të vazhdueshëm që korrespondon me atë ditë), le ta agjërojë atë ditë” Mutefekun alejh[13].
2. Kjo mënyrë e të arsyetuarit është e transmetuar nga shumica e dijetarëve të selefëve dhe halefëve.
Tirmidhiu ka thënë: Qëllimi i ndalesës së përmendur ka të bëjë me atë person që e veçon ditën e shtunë me agjërim, kjo sepse çifutët e madhërojnë ditën e shtunë[14].
Më herët treguam thëniet e Ibn Huzejmes dhe nxënësit të tij Ibn Hibanit. Jahja bin Muhamed bin Hubejrah ka thënë: Kanë rënë dakort se urrehet veçimi i ditës së xhuma apo të shtunë me agjërim, përveç nëse përputhet me agjërimin e zakonshëm të personit.
Tregohet nga Ebu Hanifeja – sipas një trasnmetimi- se nuk urrehet veçimi me agjërim.
Ndërsa imam Maliku ka thënë: Urrehet vetëm veçimi i ditës së xhuma me agjërim.
El Muzenij ka treguar se Shafiu ka thënë: Unë nuk e shoh të qartë ndalesën nga agjërimi i ditës së xhuma, përveçse në formë dëshire për atë person i cili nëse agjëron do bëhej pengesë për tu falur (nafile) ashtu siç falej kur nuk ishte agjërueshëm[15].
3. Përputhja dhe bashkimi ndëmjet haditheve është më parësor se sa pretendimi i anullimit apo përzgjedhja e vetëm një pjese të haditheve sepse thjesht ekzistenca paraprake e një mospërputhjeje në pamje të jashtme nuk na jep të drejtën të pretendojmë anullim apo të kalojmë në fazën e përzgjedhjes përderisa përputhja është e mundur.
4. Është transmetuar një transmetim i këtij hadithi që përkrah mënyrën e përputhjes që kemi konkluduar. Ky transmetim megjithëse është i dobët por ia vlen të merret në konsideratë sepse kuptimi i tj mbështetet nga hadithet e përmendura më herët që flasin për lejimin e agjërimit të ditës së shtunë nëse agjërohet me një ditë tjetër para ose pas saj. Ky transmetim është si mëposhtë: Transmeton imam Ahmedi në Musnedin e tij nga Jahja bin Is-hak i cili tha: Na ka lajmëruar Ibn Lehiah i cili tha: Na ka lajmëruar Musa bin Uerdan i cili tha: Nga Ubejd el Earaxh i cili tha: Më ka treguar gjyshja ime se ajo hyri tek Profeti salallahu alejhi ue selem ndërkohë që ai po hante, në një ditë të shtunë. Ai më tha: “Eja dhe ha”. Thashë: Unë jam agjërueshëm. Tha: “A ke agjëruar dje?” Thashë: Jo. Tha: “Atëherë ha sepse agjërimi i ditës së shtunë nuk ka as shpërblim dhe as mëkat”[16].
Ky hadith – megjithëse nuk shërben si argument në vetvete – por përkrah dhe vërteton mënyrën e përputhjes mes haditheve ashtu siç e konkluduam. Gjithashtu hadithet e temës në tërësi e përforcojnë këtë hadith duke qënë vërtetuese të njëra tjetrës dhe nga të cilat nxirret një përfundim I përbashkët korrekt[17].
Ibn Kajim el Xheuzijeh ka thënë: Në bazë të kësaj që thamë, kuptimi i hadithit: “Mos e agjëroni ditën e shtunë” është: Mos e veçoni qëllimisht të shtunën me agjërim përveçse në agjërim të obligueshëm. Kjo sepse veçimi i saj me agjërim të obligueshëm nuk urrehet, ndryshe nëse bëhet fjalë për agjërim nafile, gjë e cila urrehet. Ky qortim mënjanohet nëse i shton një ditë tjetër ose nëse ajo ditë përputhet me një agjërim të rregullt që ai e kishte zakon (si për shembull: agjërimi një ditë po një jo ose tre ditë në muaj).
Në agjërimin farz, e mënjanon qortimin vetë fakti i obligueshmërisë, ndërsa në agjërimin vullnetar, qortimi mënjanohet duke e shoqëruar me ndonjë ditë tjetër ose përputhja me një agjërim të rregullt të personit, etj[18]. Uallahu ealem.
Perktheu : Shuajb Rexha
[1] Hadithi është i saktë. Transmeton Ahmedi në Musned 6/368, Tirmidhiu nr 744, Ebu Daudi nr 2421, Ibn Maxheh nr 1724. Tirmidhiu në lidhje me hadithin tha: Hadithi është hasen. Gjithashtu e konsideroi të saktë shejh Albani në një studim të vlefshëm për tu lexuar për shkak të dobive të shumta, në Iruaul Galil 4/118 nr 960.
[2] Transmeton Muslimi nr 1162.
[3] Hadithi është hasen. Nesaiu 4/221. Hadithin e konsideroi hasen reçensuesi i librit Xhamiul Usul 6/329 dhe Albani në Sahihu en-Nesai 2/508.
[4] Hadithi është hasen. Transmeton Tirmidhiu nr 761, Nesaiu 4/222. Hadithin e konsideroi hasen Tirmidhiu, reçensuesi i librit Xhamiul Usul 6/328 dhe Albani në Sahihu en-Nesaiu 2/509.
[5] Hadithi është hasen, siç e vlerësoi reçensuesi i librit Xhamiul Usul 6/329.
[6] el Mugnij 3/165.
[7] Sahihu Ibni Huzejmeh.
[8] Hadithi është hasen. Transmeton Ahmedi në el Musned 6/323, Nesai në el Kubra 2/146, Ibn Huzejmeh 3/318 dhe Ibn Hibani nr 3616. Hadithin e ka saktësuar Ibn Huzejmeh, Ibn Hibani dhe e konsideroi të fortë reçensuesi i librit el Ihsan.
[9] Sahihu Ibni Hibani, el Ihsan 8/381.
[10] el Mugnij 3/166.
[11] Sunenu Ebi Daud 2/806.
[12] et-Telhisul Habir 2/216.
[13] Buhariu nr 1914 dhe Muslimi nr 1082.
[14] Sunenu et-Tirmidhi 3/120.
[15] el Ifsah 1/252. Transmetimi nga Maliku nuk është fort korrekt. Shiko el Kafij fq 129.
[16] Musned Ahmed 6/368. Në zinxhirin e tij është Ibn Lehiah i cili është i përfolur dhe Ubejd el Earaxh që nuk arrita ta gjej se kush është.
[17] Tehdhibu Muhtesari es-sunen 3/299.
[18] Tehdhibu Muhtesari es-Sunen 3/299.
Të Ngjashme
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve