I dërguari i Allahut salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur i vdekuri varroset dy engjëj në blu dhe në të zezë vijnë tek ai. Njëri quhet Munker dhe tjetri Nekir. Ata e pyesin: Çfarë ke për të thënë për këtë njeri?
Ai do të thotë: Atë që ai thoshte për veten e tij: Ai është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Ata do thonë: Ne e dinim se do ta thoje këtë. Pastaj do t’i zgjerohet varri shtatëdhjetë krahë në shtatëdhjetë dhe do t’i ndriçohet.
Pastaj do t’i thuhet: Flij. Ai do të thotë: Dua të kthehem tek familja ime dhe t’u tregoj atyre. Ata do thonë: Flij si dhëndrri të cilin askush nuk duhet ta zgjojë përveç atyre që ai i do më shumë, derisa Allahu ta ringjallë atë nga vendi i tij i prehjes.
Nëse i vdekuri ishte hipokrit do të thotë: I kam dëgjuar njerëzit që e thonë diçka të tillë dhe kam thënë të njëjtën gjë, prandaj nuk e di. Ata do t’i thonë: Ne e dinim se këtë do thoje. Atëherë tokës do t’i thuhet: Shtrëngoje atë.
E kështu toka do ta shtrëngojë dhe brinjët e tij do ndërthuren mes njëra-tjetrës. Ai do vazhdojë të ndëshkohet derisa Allahu ta ringjallë nga vendi ku është varrosur.[1]
Kur shpirti i besimtarit bashkohet me shpirtrat e besimtarëve të tjerë ai qetësohet nga brengat e dynjasë.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Profeti salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Besimtarit kur i del shpirti (nga vdekja), atij i vijnë engjëjt e mëshirës me mëndafsh të bardhë dhe i thonë: Dil për në mëshirën e Allahut. Kështu (shpirti) del si aroma më e mirë e miskut. Pastaj, engjëjt ia kalojnë shpirtin njëri-tjetrit duke e nuhatur atë, derisa ta çojnë në qiellin (e parë). Banorët e qiellit thonë: Çfarë është kjo erë e mirë që ka ardhur nga toka? Në çdo qiell bëhet e njëjta pyetje derisa ta sjellin dhe ta bashkojnë me shpirtrat e besimtarëve.
Ata do gëzohen më shumë se familja kur takon njeriun që u ka munguar kur kthehet në shtëpi. Ata e pyesin: Çfarë ka ndodhur me filanin? Ata (engjëjt që e sollën) u thonë: Lëreni të pushojë sepse ka vuajtur në dynja. Ai u thotë: (Personi për të cilin pyetët) Ka vdekur, a nuk erdhi tek ju? Ata (engjëjt) thonë: Ai ka shkuar në një vend ku do ta ketë shtëpinë e tij në një gropë.
Sa i përket jobesimtarit, atij do t’i vijnë engjëjt e zemërimit me shumicë dhe do t’i thonë: Dil për në zemërimin e Allahut!
Kështu, (shpirti) del si erë e keqe madje dhe më e keqe se e mishit të ngordhur, dhe ata e çojnë atë në pjesën më të ulët të tokës.”[1]
Marrë nga libri: “Jeta pas vdekjes”
Autor: Husejn el Auajshe
Përktheu: Fatjon Isufi
————————————
[1] E përcjell Ibën Hibani në Sahihun e tij. Hadithi gjithashtu është shënuar tek Ibën Maxhe me sened të saktë. Hadithi gjendet edhe tek “Sahih tergib ue terhib” i shejh Albanit.
[1] Këtë hadith e ka klasifikuar si të mirë shejhu ynë Albani në ”Sahih el Xhami” me nr. 737.
Dosje: Allahu