Lëvdatat dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e botërave. Salavatet dhe selamet janë për atë i cili u dërgua si mëshirë për të gjithë njerëzimin, si dhe mbi familjen, shokët dhe vëllezërit e tij(muslimanë) deri në ditën e Gjykimit. E më pas:
Allahu ka pohuar të drejta për secilin nga bashkëshortët kundrejt njëri tjetrit , ashtu sic ka pohuar dhe obligimet që kanë ndërmjet tyre. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Vërtetë ju keni të drejta ndaj grave tuaja ashtu sic edhe ato kanë të drejta ndaj jush1” por bashkëshorti është dalluar me disa vecori, të cilat Allahu ia ka dhënë duke e ngritur në gradë më lart, sic thotë i Lartësuari: “Atyre(grave) u takojnë të drejta ashtu sic kanë obligime,në mënyrë të arsyeshme, ndërsa bashkëshortët kanë një gradë mbi to” (Nisa 228). Fushat e të drejtave bashkëshortore kanë tre rrafshe:
1)Të drejtat e bashkëshortit ndaj bashkëshortes.
2)Të drejtat e bashkëshortes ndaj bashkëshortit.
3) Të drejta të përbashkëta familjare.
Një nga pyetjet që shtrohet shpesh është ajo e cila ka të bëjë me shërbimin e bashkëshortes ndaj bashkëshortit. A konsiderohet kjo një e drejtë e bashkëshortit, duke qenë gruaja e ngarkuar me përgjegjësi nëse nuk e përmbush këtë detyrim apo neglizhon në të? Apo ndoshta kjo nuk konsiderohet obligim për të sepse akti i nikahut nënkupton vetëm lejimin e kënaqësive epshore duke mos e ngarkuar me obligime të tjera?
Kjo cështje ka përjetuar debat mendimesh ndërmjet fukahave, por ajo që duhet theksuar është se shërbimi i saj ndaj burrit dhe fëmijëve, përkujdesja për punët e shtëpisë është nga proceset e natyrshme të gruas, sepse vetë jeta e përbashkët bashkëshortore e kërkon rrjedhimisht dicka të tillë, madje konsiderohet nga gjërat themeltare kryesore që kontribuojnë në mbarëvajtjen e familjes dhe lumturinë e saj, si dhe në formimin e brezit të ri në mënyrë fisnike. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “ Sikur gruaja ta dinte(sic duhet) të drejtën e burrit ndaj saj, do qëndronte në këmbë për të gjatë drekës dhe darkës, derisa ai të mbaronte2”. Këtë mision fisnik madhështor e kishin kuptuar më së miri gratë e sahabëve, duke e përthithur teorikisht dhe duke e vënë në jetë praktikisht. Nga shembujt konkretë të atij brezi të lavdëruar përmendim Fatimen radijallahu anha , vajzën e Profetit salallahu alejhi ue selem , e cila i shërbente burrit të saj, derisa u ankua tek Profeti salallahu alejhi ue selem për shkak të lodhjes dhe lëndimit të duarve si pasojë e mullirit bluarës3. Shembull tjetër është transmetimi i Muslimit në lidhje me Esma bint Ebi Bekr e cila tha: I shërbeja Zubejrit në shtëpi.Ai kishte një kalë për të cilin unë kujdesesha. Nuk kisha gjë më të vështirë nga shërbimi se sa përkujdesja për kalin…4”,po ashtu transmetimi që gjendet tek dy Sahihet ku Esmaja thotë: “Zubejri kur u martua me mua nuk kishte asgjë mbi tokë, as pasuri, as rob dhe asgjë tjetër, përvec kalit të tij. Ajo tha: E ushqeja atë kalë, kujdesesha për të dhe i thërrmoja bërthamat e hurmave për të dhe e ushqeja. Nxirrja ujë dhe e bartja atë me kovë të madhe, bëja bukë megjithëse nuk isha e aftë në gatimin e bukës, sepse bukën na e gatuanin disa fqinje të miat nga ensaret, të cilat ishin gra të ciltëra. Bartja bërthamat e hurmave nga toka e Zubejrit të cilën ia kishte dhënë Profeti salallahu alejhi ue selem , në një largësi prej dy miljesh.5
Nga morali i selefëve ishte se ata e këshillonin femrën e cila sapo martohej që t`i shërbente burrit në formën më të mirë, të përkujdesej për t`i dhënë hakun në të drejtat e tij dhe në edukimin e fëmijëve6.
Pavarësisht se dijetarët kanë pasur debat mes tyre në lidhje me gjykimin e shërbimit të gruas ndaj burrit7 por mendimi më i saktë dhe më i arsyeshëm është ai mendim i cili përputhet dhe me vetë misionin natyral të gruas, ai mendim është: obligueshmëria e shërbimit të gruas ndaj burrit të saj, me shërbimin normal, të njohur në zakonin e popullit si të arsyeshëm për atë lloj niveli kundrejt njëri tjetrit. Ky shërbim kuptohet është në varësi të gjendjes dhe kushteve e mundësive të saj(fizike, shëndetësore, etj) dhe nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për ato gjëra që ajo nuk arrin dot t`i bëjë ose i bën me stërmundim të madh. Në këtë kontekst, Ibnul Kajimi duke pohuar këtë përfundim, e trajton në këtë mënyrë duke thënë: Fukahatë kanë pasur debat mes tyre. Një pjesë e selefëve dhe të mëvonshmëve e konsideronin obligim shërbimin e saj ndaj tij në cështjet e shtëpisë. Ebu Theuri ka thënë: Ajo e ka detyrë t`i shërbejë në cdo gjë që ai kërkon. Një pjesë e dijetarëve e kanë konsiedruar se ajo nuk ka detyrë asgjë nga shërbimi ndaj tij. Të këtij mendimi janë Maliku, Shafiu, Ebu Hanifeja dhe Dhahirijtë. Ata thonë se akti i nikahut nënkupton lejimin e kënaqësive epshore dhe jo shfrytëzimin e saj dhe përfitimin prej saj, sepse hadithet që ju përmendni tregojnë për shërbim vullnetar dhe për moral të lartë nga ana e saj, ndaj nga e nxorrët obligueshmërinë?!
Dijetarët që e konsiderojnë detyrim thonë se: Kjo bën pjesë në sjelljen e natyrshme të njohur dhe të pranuar në mënyrë të arsyeshme nga njerëzit besimtarë që u drejtohet Allahu me ajetet kuranore, sepse nëse gruaja do rrinte pushim rehatues gjithë kohës dhe do i kërkonim burrit që të shërbente, të fshinte, të gatuante, të lante, të shtronte, etj nga shërbimet e shtëpisë, kjo do ishte dicka e shëmtuar, ndërkohë që Allahu thotë: “ Ato kanë të drejta ashtu sic kanë dhe obligime të arsyeshme” (Bekarah 228) dhe thotë: “Bashkëshortët janë mbajtës dhe udhëheqës për gratë” (Nisa 34) e nëse gruaja nuk do i shërbente, përkundrazi do ishte ai shërbëtori i saj, atëherë do shndërrohej gruaja në mbajtësen dhe udhëheqësen e burrit. Argument tjetër është fakti se mehri është kundrejt lejimit të kënaqësive epshore, duke mundësuar që secili të shijojë kënaqësitë fizike nga tjetri, ndërsa obligimi që Allahu i ka bërë burrit për të shpenzuar për gruan e tij, ta veshë, ta ushqejë, ta strehojë është detyra që ai ka kundrejt kënaqësive epshore dhe shërbimit të saj, sipas natyrës së zakonshme që ndodh mes bashkëshortëve.Ka një parim në sheriat i cili thotë se: Termat e cilësuar në mënyrë të përgjithshme në sheriat, të pa specifikuar, do kuptohen sipas zakonit të natyrshëm në mesin e popullit dhe në rastin konkret zakoni i natyrshëm mes njerëzve është shërbimi i gruas ndaj burrit dhe përkujdesja për shtëpinë. Pretendimi i atyre dijetarëve që thonë se shërbimi i Fatimes dhe Esmasë ishin në formë vullnetare dhe moral i lartë nga ana e tyre, refuzohet me faktin se Fatimeja u ankua tek Profeti salallahu alejhi ue selem për vështirësitë që haste në shërbimin e saj ndaj Aliut , por megjithatë Profeti salallahu alejhi ue selem nuk i tha Aliut: Ajo nuk e ka detyrë shërbimin ndaj teje, por është pjesë e përgjegjësive të tua, sepse Profeti salallahu alejhi ue selem nuk favorizonte askënd dhe nuk i mbante hatrin askujt në lidhje me dispozitat e Allahut. Po ashtu kur pa Esmanë e cila mbante tagjinë e kalit mbi kokë dhe sëbashku me të ishte Zubejri, nuk i tha asaj: Nuk e ke detyrë shërbimin ndaj tij, dhe as nuk i tha atij: Kjo është padrejtësi që po i bën asaj, përkundrazi e pohoi shërbimin e saj, ashtu sic ka pohuar dhe miratuar shërbimin e të gjitha grave të sahabëve ndaj bashkëshortëve të tyre, megjithëse e dinte shumë mirë se në mesin e grave mund të ketë të kënaqura dhe të pakënaqura, gjë për të cilën s`ka asnjë dyshim.
Nuk është aspak me vend të bëhet dallim ndërmjet femrës që rrjedh nga familje fisnike dhe asaj jo të tillë, apo të pasur dhe të varfër, sepse kemi Fatimen, femrën më fisnike të gjitha grave të botës dhe megjithatë i shërbente burrit të saj, madje vajti tek ai dhe iu ankua për vështirësitë e shërbimit, por megjithatë Profeti salallahu alejhi ue selem nuk e pranoi ankesën e saj. Profeti salallahu alejhi ue selem në hadithin e saktë e ka emërtuar gruan: robëreshë, duke thënë: “ Kini frikë Allahun në lidhje me bashkëshortet, të cilat janë si robëresha tek ju8” dhe sic dihet roli i robit është t`i shërbejë zotëriut të tij dhe padyshim që martesa është një lloj robërie, sic ka thënë një nga dijetarët e selefëve: Martesa është robërim ndaj shihni me kujdes se kujt ia robëroni të afërmen tuaj9. Kushdo që mban drejtësi dhe tregohet i paanshëm, e ka të qartë se cili është mendimi më i zgjedhur dhe me argument më të fortë10.
Këtë lloj trajtimi e ka shtjelluar dhe më herët shejhu i tij Ibn Tejmijeh i cili tha: Dijetarët kanë pasur debat mes tyre, a e ka detyrë t`i shërbejë si psh në shtrimin e shtëpisë, ofrimin e ushqimit dhe pirjes, gatimin e bukës, bluarjen, ushqyerjen e robërve dhe kafshëve që ka nën posedim, përgatitjen e tagjisë së kafshëve, etj. Disa kanë thënë se nuk e ka detyrë shërbimin. Ky mendim është i dobët njësoj si dobësia e mendimit të atyre që thonë se ajo nuk e ka detyrë marrëdhënien intime. Mendimi tjetër – i cili është ai i sakti- thotë se e ka detyrë shërbimin, sepse bashkëshorti në Kuran konsiderohet zotëri për bashkëshorten11, ndërsa në Sunet është cilësuar robëreshë, dhe sic dihet robëresha e ka për detyrë shërbimin. Ka dijetarë të tjerë që thonë: Është detyrë shërbimi i lehtë. Ka prej tyre që thonë: Është detyrë shërbimi i arsyeshëm sipas zakonit të natyrshëm dhe ky është mendimi i saktë. Pra gruaja e ka detyrë t`i shërbejë me shërbimin e natyrshëm të njohur në zakonet e tyre të përshtatshëm për nivelin e tyre, duke qenë paksa variabël në varësi të situatave dhe gjendjeve, psh shërbimi në fshat ndryshon nga shërbimi në qytet apo shërbimi i gruas së fortë ndryshon nga një grua e dobët(duke iu kërkuar secilës sipas mundësive)12.
Padyshim përmbushja e këtij misioni fisnik nga ana e gruas, e mban familjen të mbledhur, të ruajtur, mbron qëndrueshmërinë dhe lumturinë e familjes, forcon lidhjen e afrimitetit dhe të dashurisë nën ombrellën e bashkëpunimit në të mira dhe devotshmëri. Nga ana tjetër bashkëshorti duhet ta marrë në konsideratë gjendjen e saj dhe të mos i kërkojë më shumë se sa ajo përballon, madje ta ndihmojë në disa nga punët dhe ngarkesat e saj duke plotësuar dhe përkrahur njëri tjetrin, vecanërisht në rast se ajo është e sëmurë apo e pafuqishme për dicka apo është shumë e ngarkuar, duke pasur si shembull Profetin salallahu alejhi ue selem i cili nuk bezdisej nga ndihmesa e bashkëshorteve, sic transmetohet nga el Esuedi i cili ka thënë: E kam pyetur Aishen: Cfarë vepronte Profeti salallahu alejhi ue selem në shtëpinë e tij? Ajo tha: Ishte në shërbim të familjes së tij, ndërsa kur vinte namazi dilte për në namaz13”, dmth shërbente në shtëpi duke fshirë shtëpinë, duke qepur rrobën e tij dhe riparonte kovën e prishur14, riparonte sandalen, milte delen, kryente shërbimet vetjake dhe bënte cdo gjë tjetër sic bëjnë burrat në shtëpi, ndërsa kur vinte koha e namazit, dilte për atje15.
Në lidhje me përgjegjësinë e gruas në raport me fëmijët, qoftë në aspektin e përkujdesjes dhe atë të edukimit, tregon ajeti kuranor: “ Nënat le t`u japin gji fëmijëve të tyre dy vite të plota” (Bekarah 233) dhe fjala e Profetit salallahu alejhi ue selem : “ Gruaja është kujdestare në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse për atë që ka nën kujdestari16”.
Së fundmi theksojmë se gruaja e cila e përmbush obligimin që ka ndaj Zotit të saj, i bindet burrit të saj në të mira, e ruan veten e saj në mungesë të tij, kujdeset për pasurinë e tij, përkujdeset për fëmijët dhe i shërben me shërbimin normal të arsyeshëm të përshtatshëm për nivelin e tyre, në varësi të kushteve dhe gjendjes së saj, tregohet e përkushtuar që t`i ofrojë atij cfarë e bën atë të gëzuar dhe të kënaqur, i largohet cdo gjëje që ai e urren dhe lëndohet prej saj, atëherë kjo është një grua e mirë, e devotshme, edukuese e brezave dhe formuese e burrave të ardhshëm.
Allahu e di më së miri, lutja jonë e fundit është të themi: Elhamdulilahi rabil alemijn.
www.sahab.net/home/?p=165
Përktheu: Shuajb Rexha
1 Transmeton Tirmidhiu nr 1163. Albani e ka konsideruar hasen në librin el Irua 7/96
2 Transmeton Taberaniu në el Muxhemul Kebir 10/260. Albani e ka saktësuar në librin Sahihul Xhami` nr 5259
3 Transmeton Buhariu nr 5361 dhe Muslimi nr 2727
4 Transmeton Muslimi nr 2182
5 Transmeton Buhariu nr 5224 dhe Muslimi nr 2182
6 Meusuatul hutabil minberijeh 1/1429
7 Për më tepër shih librin el Mugnij 7/21 të Ibn Kudames dhe el Mexhmu 18/256.
8 Transmeton Muslimi nr 1218 dhe Tirmidhiu nr 1163.
9 Transmeton Seid bin Mensuri në Sunenin e tij nr 591 si thënie nga Esma bint Ebi Bekr. El hafidh el Irakij në recensimin e haditheve të librit el Ihja nr 479 ka thënë: E ka transmetuar Ebu Umer et-Teukanij në librin Muasheratul ehlijn, si fjalë nga Aisheja dhe Esmaja, dy bijat e Ebu Bekrit. Bejhakiu ka thënë:Kjo thënie është transmetuar si thënie e sahabijeve dhe si thënie nga Profeti salallahu alejhi ue selem , por më e sakta është transmetimi si thënie e sahabijeve.
10 Zadul mead 5/187
11 Duke pasur për qëllim ajetin Kuranor: “ Ata hasën në zotëriun e saj tek porta” (Jusuf 25) dmth zotëriun i cili ishte bashkëshorti i saj. Marrë nga Fet-hul Kadir 3/18 të Sheukanit.
12 Mexhmuul fetaua 34/90
13 Transmeton Buhariu nr 676
14 Transmeton Ibn Hibani nr 5676.
15 Fet-hul Barij 2/163 të Ibn Haxherit
16 Transmeton Buhariu nr 893 dhe Muslimi nr 1829
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve