Dikush bën mëkate dhe thotë: “Besimi është në zemër”!
Këto fjalë shpesh shqiptohen dhe i dëgjojmë nga disa njerëz të paditur që gabojnë. Fjalët janë të vërteta por përdoren në mënyrë të gabuar, sepse ai që e thotë këtë përpiqet të justifikojë mëkatin që po bën. Ai pohon se besimi në zemër është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë të bëhen vepra të mira apo të heqësh dorë nga veprimet e ndaluara. Ky është një gabim i dukshëm sepse besimi nuk është vetëm në zemër. Besimi, siç përkufizohet nga ehli suneti dhe xhemati është fjalë që thuhet me gojë, besim me zemër dhe veprim me anë të gjymtyrëve.
Imam Hasen el Basri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Besimi nuk është shfaqje e jashtme apo dëshirë e mirë. Përkundrazi, besimi është diçka që vendoset në zemër dhe vërtetohet përmes veprimeve.
Kryerja e mëkateve dhe moskryerja e detyrimeve është tregues se nuk ka besim në zemë, ose besimi që ekziston aty është i mangët. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, mos e hani kamatën!” |Al Imran: 130|
“O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe kërkoni mjetet për t’iu afruar Atij, dhe luftoni në rrugën e Tij që të shpëtoni.” |El-Maide: 35|
“Ata [prej tyre] që besuan Allahun dhe ditën e fundit dhe bënë vepra të mira.” |El-Maide: 69|
“Vërtet, ata që besuan dhe bënë vepra të mira.” |El-Bekare: 277|
“Ata [prej tyre] që besuan Allahun dhe ditën e fundit dhe bënë vepra të mira.” |El-Bekare: 52|
Pra, besimi nuk mund të quhet besim i plotë nëse nuk shoqërohet me zbatimin e detyrave dhe heqjen dorë nga të ndaluarat. Allahu i Lartësuar thotë: “Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën dhe i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” |El-Asr: 1-3|
“O ju që besuat, bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit.” |En-Nisa: 59|
“O ju që besuat, përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ai ju thërret në atë që u jep jetë.” |El-Enfal: 24|
Nga kjo kuptojmë se nuk mjaftojnë vetëm veprimet fizike pa patur besim në zemër, sepse kjo është karakteristikë e hipokritëve të cilët do jenë në nivelin më të ulët në zjarrin e xhehenemit.
Po ashtu, edhe besimi në zemër nuk është i mjaftueshëm pa u shoqëruar me fjalë dhe veprime fizike, përndryshe kjo do ishte rruga e Murxhive prej Xhehmive dhe të tjerëve e cila është rrugë e devijuar. Pra, është thelbësore të kesh besim në zemër, fjalë me gojë dhe veprime fizike. Kryerja e mëkatit tregon se besimi i cili është në zemër është i dobët dhe i mangët, sepse besimi shtohet duke bërë ibadet dhe bindje (vepra të mira) dhe zvogëlohet me kryerjen e mëkatit.” “El Muntaka min fetaua esh shejh el Feuzan” 1/19.
Ndërsa hadithi: “… Ai shikon zemrat tuaja” që transmetohet në Sahih Muslim me nr. 2564, sqarohet me versionin që vijon: “Allahu nuk shikon fizionominë tuaj (të jashtme) dhe pasurinë tuaj, përkundrazi, Ai shikon zemrat dhe veprat tuaja.”
Pra është një tekst i cili tregon qartë se ajo që kërkohet është korrigjimi i zemrës dhe korrigjimi i veprave të njeriut, dhe se njeriu është i urdhëruar t’i bëjë të dyja. Pra, nuk i lejohet muslimanit të dështojë në kryerjen e veprave të mira apo të bëjë vepra haram, dhe pastaj të thotë se Allahu shikon vetëm në zemrat e njerëzve. Ai i shikon zemrat dhe veprat e tyre, ndërsa njeriu do t’ë japë llogari për atë që ka në zemër dhe për veprat që bën.
Allahu e di më së miri!
Përktheu: Fatjon Isufi
Dosje: Durimi, Hipokrizia, Syfaqësia
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli