A e dëmton njeriun syfaqësia?

“Nëse syfaqësia është e pastër (nëse mund t’i thuhet syfaqësisë ‘e pastër’), d.m.th. puna që në origjinë nuk bëhet për Allahun por për një qëllim tjetër që kur e fillon atë punë, kjo gjë nuk imagjinohet që të ndodhë tek muslimani. Dikush p.sh. që nuk falet të ngrihet të falet për ta parë dikush, kjo zakonisht është shenjë e hipokritit siç thotë Allahu i Lartësuar: “Nuk ngrihen për namaz veçse me përtaci dhe falen sa për sy e faqe të njerëzve”.

Por kjo mund t’i ndodhë muslimanit në punët e tjera të dukshme, si tek sadakaja apo haxhi, ku vërtetë sinqeriteti është i vështirë.
Nëse i përzihet nijeti që në fillim të punës kjo do të thotë që nuk e ka për Allahun që në fillim, kjo e prish punën (nuk ka shpërblim madje ka dënim. Ata të tre me të cilët ndizet zjarri Ditën e Gjykimit kishin punuar punë të mira që njerëzit të thoshin për ta; dijetar, trim, bujar). Thotë Allahu i Lartësuar në hadithin kudsij: “Unë jam më i panevojshmi për ortak. Prandaj ai që bën një vepër dhe më shoqëron Mua dikë në të, Unë e lë atë dhe ortakësinë e tij.” (Hadith i saktë.)

Nëse syfaqësia nuk hyn në fillim të punës, që në origjinë (në momentin që fillon ta bësh të ka nxitur për këtë zbatimi i urdhërit të Allahut apo dashuria për Të – të Lartësuarin), por gjatë saj (prishet nijeti). Si p.sh. ai që falet për Allahun por kur vjen dikush ai fillon e zgjat namazin, e zbukuron atë etj. Janë dy mundësi:

a) Nëse është vetëm një mendim kalimtar dhe ai e dëbon atë, nuk e dëmton njeriun (veprën e tij).
b) Ndërsa po qe se nuk e largon por e lë atë mendim të ngulitet, atëherë kjo gjë prish shtesën që nuk ka qenë për Allahun, ndërsa pjesa bazë e punës mbetet shpërblimi për të.
Këtë e ka përcjellë Ibn Rexhebi nga Imam Ahmedi dhe Ibn Xheriri.”

Shejh Halid Ismail, Allahu e ruajtë dhe bëftë dobi me të. (40 hadithet e Neueuiut, hadithi me nr. 1.)