Pyetje: A është e vërtetë se gjurmët e anijes së Nuhut janë gjetur para disa kohësh?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!
Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë thotë: “Para tyre i ka përgënjeshtruar (shenjat Tona) populli i Nuhut. Ata e quanin gënjeshtar robin Tonë (Nuhun), i thoshin “i çmendur”, e pengonin dhe e kërcënonin. Kështu, ai i’u lut Zotit të vet: Unë jam i mundur, andaj më ndihmo! Dhe Ne i hapëm dyert e qiellit me ujë të rrëmbyeshëm dhe i shpërthyem burimet e tokës, e ujërat u takuan për një qëllim të paracaktuar. Ndërsa Nuhun e bartëm në një barkë (të ndërtuar) prej dërrasash dhe gozhdësh e cila lundronte nën Sytë Tanë, si shpërblim për atë (Nuhun a.s.) i cili u mohua. Ne e kemi bërë atë si shenjë, por a ka kush që i’a vë veshin? Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi pas paralajmërimeve të Mia!” [El-Kamer 54: 9-16]
Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në tefsirin e fjalës së Allahut: “Ne e kemi bërë atë si shenjë, por a ka kush që i’a vë veshin?” tregon se kjo (shenjë) i referohet kësaj historie e cila shërben si mësim. Por mund t’i referohet edhe vetë anijes e cila ka mbetur si mësim dhe këshillë, në mënyrë që ata që do të vinin pas popullit të Nuhut të mund të merrnin mësim prej saj dhe të mos i refuzonin të Dërguarit.
Katade ka thënë: Allahu e la atë (anijen) në Bakirdi në Gadishullin Arabik (një vend në Irak) si mësim dhe shenjë në mënyrë që brezat e parë të këtij umeti t’a shihnin atë. Sa e sa anije ka pasur pas tij që janë kthyer në pluhur dhe nuk kanë lënë gjurmë!
Kuptimi i dukshëm është se kjo i referohet anijeve në përgjithësi, si në ajetet: “Një shenjë tjetër për ata është që paraardhësit e tyre Ne i ngarkuam në anijen e mbushur plot (të Nuhut), dhe për ata Ne krijuam mjete të ngjashme me atë anije në të cilat hipin.” [Jasin 36: 41-42]
“Kur vërshoi uji i madh Ne u ngarkuam juve në anije për, t’a bërë atë një paralajmërim që t’a dëgjojë çdo vesh i vëmendshëm.” [El-Hakka 69: 11-12]
Allahu në ajetin që përmend më lart thotë: “Por a ka kush që i’a vë veshin?” d.m.th. a ka ndonjë që do të kujtojë dhe mësojë?
Në fjalën e Allahut që thotë: “Ne e kemi bërë atë si shenjë.” Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) përmend tre mendime:
- Allahu e ka lënë këtë histori si mësim për ata që vijnë pas njerëzve të Nuhut;
- Allahu e ka lënë si shenjë anijen e Nuhut në mënyrë që popujt e mëvonshëm t’a shohin atë, dhe të mësojnë prej saj se si Allahu i shpëtoi besimtarët dhe i shkatërroi mohuesit.
- Allahu e la llojin e saj (të anijes) që njerëzit të mësojnë si të ndërtojnë anijet, dhe e la këtë shpikje si një kujtesë për mirësitë e Tij dhe për të treguar se si pasardhësit e Nuhut dhe besimtarët u shpëtuan pikërisht me anë të këtyre anijeve të cilat tashmë i njohin.
E megjithatë, nuk ka asgjë që do të shkonte kundër mësimit Islam ose arsyes nëse anija e Nuhut do të zbulohej dhe nëse brezat e njerëzimit pas Nuhut do t’a shihnin atë, sepse kjo do të ishte një shenjë dhe mësim për ta. Çështja do të ishte se si do të vërtetohej se anija e zbuluar është me të vërtetë anija e Nuhut, sepse jo të gjithë atyre që gjejnë një anije të lashtë dhe pretendojnë se është anija e Nuhut u duhet besuar. Allahu e di më së miri!
Përktheu: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Rënia e Granadas (2 Janar 1492) Udha e Besimtarëve
- Disa popuj që i ka lavdëruar Profeti Udha e Besimtarëve
- Çfarë na mëson historia e Jusufit? Emin Bilali
- Cila ishte xhamia e parë që ndërtoi i Dërguari i Allahut? Udha e Besimtarëve
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve