A keni dëgjuar për historinë e floktares së vajzës së Faraonit?

A keni dëgjuar për historinë e floktares së vajzës së Faraonit?

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Në natën në të cilën unë u morra në udhëtimin e Natës (Isra) ndjeva një aromë të këndshme. Unë thashë: O Xhibril, nga vjen  kjo aromë e këndshme? Ai më tha: Kjo është aroma e floktares së vajzës së Faraonit dhe fëmijëve të saj. Unë i thashë: Cila është historia e tyre? Ai më tha: Një ditë kur ajo po krehte flokët e vajzës së Faraonit, krehëri hekurt ra nga dora e saj dhe ajo tha: Bismilah (në emër të Allahut). Vajza e Faraonit i tha: Babai im? Ajo tha: Jo. Zoti im dhe Zoti i babait tënd është Allahu. Ajo i tha: Unë do t’i tregoj babait tim për këtë. Në rregull, – ia ktheu ajo. Vajza i tregoi babait dhe ai e thirri floktaren dhe i tha: O filane, a ke Zot tjetër përveç meje? Ajo i tha: Po, Zoti im dhe Zoti yt është Allahu. Ai urdhëroi të nxehej një enë e madhe e punuar prej bakri, dhe urdhëroi që ajo bashkë me fëmijët e saj të hidhen në të. Ajo i tha: Unë kam një kërkesë për të të bërë. Ai tha: Cila është kërkesa jote? Ajo tha: Unë kërkoj që kockat e mia dhe kockat e fëmijëve të mi të mblidhen bashkë në një rrobë dhe të varrosen. Ai tha : Kjo do të plotësohet. Ai urdhëroi që fëmijët e saj të hidheshin para saj një e nga një, derisa arritën tek i fundit që ishte foshnje e mitur që ende ushqehej me gji. Ajo sikur u lëkund për shkak të foshnjës, por i vogli foli dhe i tha: Oj nënë, hidhu, sepse dënimi i kësaj bote është më i lehtë për t’u duruar sesa dënimi i ahiretit (botës tjetër). Kështu që ajo o hodh brenda. ”

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha: Katër foshnje kanë folur qysh në djep: Isai i biri i Merjemes (paqja qoftë mbi të), shoqëruesi i Xhurejxhit, dëshmitari i Jusufit dhe djali i floktares së vajzës së Faraonit.

Transmeton Imam Ahmedi në Musned (1/309), Tabarani (12280), Ibn Hibani (2903) dhe Hakimi (2/496).

Dhehebiu në librin e tij El-Ulu (84) ka thënë: Ky hadith ka zinxhir të mirë transmetuesish. Ibn Kethiri në tefsirin e Kuranit (3/15) ka thënë: Nuk ka asgjë të keqe në zinxhirin e tij. Senedi i këtij hadithi u klasifikua si i saktë nga dijetari Ahmed Shakir në shënimet e tij mbi Musnedin e imam Ahmedit (4/295). Ndërsa Shuajb Arnauti në klasifikimin e haditheve të Musnedit (5 / 30-31, nr. 2821) ka thënë: Zinxhiri i këtij hadithi është hasen (i mirë).

Nga kjo kuptojmë se kjo histori është e saktë dhe e provuar nga Profeti ynë (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), dhe nuk është marrë nga burimet hebraike apo të krishtera.

Përshtati: Fatjon Isufi