A mund të justifikohet njeriu me kaderin e Allahut?

October 8, 2023

JUSTIFIKIMI ME KADERIN

Pyetje: A lejohet justifikimi me kaderin?

Përgjigje: Lejohet justifikimi me kaderin në lidhje me fatkeqësitë, sepse ato ndodhin me vendimin dhe caktimin e Allahut. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Asnjë fatkeqësi nuk godet pa lejen e Allahut’’ (Tegabun 11)

Ibën Abasi ka thënë: “Me lejen e Allahut”,d.m.th. me caktimin dhe vendimin e Tij.

Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “ Përpiqu për atë që të sjell dobi, mbështetju Allahut dhe mos u bëj i paaftë. Nëse të godet diçka mos thuaj: Sikur të kisha vepruar kështu do të kishte ndodhur ashtu e kështu, por thuaj: Allahu e ka caktuar dhe Ai bën çfarë të dojë. Sepse shprehja “Sikur” i hap rrugën veprimit të shejtanit ’’ (Muslimi)

Ndërsa justifikimi me kaderin në lidhje me mëkatet është prej vetive të jobesimtarëve për të cilët Allahu i Madhëruar ka thënë: “E ata që i shoqëruan shokë Zotit, do të thoshin: “Sikur të donte All-llahu nuk do t’i bënim shok (nuk do të ishim idhujtarë) as ne, as prindërit tanë, e as nuk do të ndalonim asnjë send.” (En’am 148)

Justifikuesi me kaderin për mëkatet që bën ose është injorant që imiton të tjerët ose është heretik arrogant. Mirëpo ai është kontradiktor në pretendimin e tij, sepse ai nuk pranon që dikush t’i bëjë padrejtësi, por kur dikush i bën padrejtësi, ai thotë: Ky është caktimi dhe vendimi i Allahut!

Allahu dërgoi profetët dhe shpalli librat që ata t’i sqarojnë njerëzimit rrugën e lumturisë dhe rrugën e mjerimit. Ai i fali njeriut intelektin dhe aftësinë e meditimit. I mundësoi atij të dallojë humbjen dhe udhëzimin. Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës.” (Insan 3)

“Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.”(Shems 8-10)

Nëse njeriu e lë namazin apo konsumon alkool, ai meriton të ndëshkohet për shkeljen e urdhrit të Allahut dhe Profetit të Tij. Në këtë rast atij i nevojitet që të pendohet e jo të justifikohet me kaderin sepse kjo nuk i sjell atij asnjë të mirë.

Pyetje: A ta lëmë punën dhe të mbështetemi te kaderi?

Përgjigje: Nuk lihet puna ngaqë Allahu i Madhëruar ka thënë: “E, sa i përket atij që jep dhe ruhet, Dhe vërteton bindshëm për më të mirën Ne do ta përgatitim atë për më të lehtën.”(Lejl 5-7)

Profeti,sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Punoni sepse secilit do t’i lehtësohet ajo për të cilën ai është krijuar!” (Buhariu dhe Muslimi)

Dobitë e përfituara nga ky hadith:

Besimtari, të cilin e do Allahu është ai i cili është i fortë dhe që punon dhe interesohet për atë çka i bën dobi atij. Ai mbështetet vetëm tek Allahu i Madhëruar dhe merr masat e duhura. Nëse pas kësaj goditet nga diçka që e urren, ai nuk bëhet pishman por e pranon atë që Allahu ka caktuar për të duke përkujtuar fjalët e Allahut të Madhëruar: “….Ndonëse ju e urreni atë. Por mundet që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mundet që ju ta doni një send, e ai është i dëmshëm për ju. All-llahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.”(Bekareh 216)

Pyetje: Cila është urtësia e sprovave dhe brengave?

Përgjigje: Kur njeriu ndihet i fortë, ai bëhet arrogant dhe agresiv dhe mendon se nuk ka gjë që mund ta mposhtë atë. Por kur sheh që fuqia e tij po pakësohet dhe ai po bëhet i pafuqishëm dhe sheh që brengat po i shtohen dhe ai po bëhet i pafuqishëm përballë tyre, atëherë ai e kupton se si është ai në të vërtetë dhe në këtë mënyrë zhduken mendjemadhësia, agresiviteti dhe orroganca dhe ai bindet se ka nevojë vetëm për Allahun që ta shpëtojë prej kësaj situate dhe se çdo gjë tjetër është thjesht një iluzion. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne kur e begatojmë njeriun, ai nuk falënderon dhe largohet, e kur e godet e keqja, ai përulet dhe lutet shumë.” (Fussilet 51)

“Orientimi i Muslimanëve” Xhemil Zejno

Përktheu: Rexhep Milaqi

 

 

Dosje: ,

Loading...