Pranimi i Islamit i asgjëson mëkatet që janë bërë para tij!

January 9, 2021

Prej mirësisë dhe mëshirës së Allahut xh.sh. është se ka bërë që Islami t’i asgjësojë mëkatet që njeriu ka bërë më para. Kur një jobesimtar bëhet musliman, Allahu ja fal gjithçka që ka bërë kur ishte jomusliman dhe pastrohet nga mëkatet.

Muslimi në hadithin me nr. 121 transmeton se Amr ibn el-Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Kur Allahu vendosi Islamin në zemrën time unë erdha tek Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), dhe i thashë:  Më jep dorën tënde të djathtë të betohem për besnikëri ndaj teje. Ai e zgjati dorën ndërsa unë e tërhoqa dorën time. Ai më tha: Çfarë ndodhi o Amër? I thashë: Unë dua të vendos një kusht. Ai tha: Çfarë kushti? Unë i thashë: Që të më falen gabimet. Ai tha: A nuk e di se pranimi i Islamit i asgjëson mëkatet që janë bërë para tij?

“Islami i asgjëson mëkatet që janë bërë para tij” do të thotë se ai i rrëzon ato dhe e fshin gjurmët e tyre, siç deklaron Neveviu në komentin e Muslimit.

Shejh Ibn Uthejminit (Allahu e mëshiroftë!) ju bë një pyetje e ngjashme për dikë që kishte fituar para duke u marrë me drogë para se të bëhej musliman, dhe ai u përgjigj: Këtij vëllai të cilin Allahu e ka nderuar me Islam pasiqë ai kishte fituar pasuri haram (të paligjshme), i themi: Qetësohu, sepse kjo pasuri është e lejuar për ty dhe nuk ka mëkat mbi të, pa marrë parasysh nëse e mban atë apo e jep në bamirësi, ose e përdor atë për t’u martuar, sepse Allahu në Librin e Tij të Shenjtë thotë:

“Thuaju atyre që nuk besuan se nëse largohen (nga mosbesimi) e kaluara e tyre do të falet. Por nëse kthehen, atëherë shembujt e atyre (të ndëshkuarve) para tyre tashmë kanë paraprirë (si paralajmërim).” [El-Enfal 8:38]

Pra gjithçka që ka kaluar, në terma të përgjithshëm, është e falur. Ndërsa pasuria që është marrë me forcë nga i zoti i saj duhet të kthehet. Paratë që janë fituar me marrëveshje midis njerëzve dhe me dëshirën e tyre, edhe nëse janë haram, si ato që fitohen përmes ribasë (kamatës) ose duke shitur drogë etj. janë të lejueshme për të kur bëhet musliman. Kjo bazuar në fjalën e Allahut xh.sh. që thotë:  “Thuaju atyre që nuk besuan se nëse largohen (nga mosbesimi) e kaluara e tyre do të falet. ”

Si dhe hadithi i Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) kur i tha Amr ibn el-Asit kur u bë musliman: “A nuk e di se pranimi i Islamit i asgjëson mëkatet që janë bërë para tij?”

Shumë prej jobesimtarëve (në kohën e Profetit dhe më pas) e pranuan Islamin pasiqë kishin vrarë muslimanët, por ata nuk u ndëshkuan për atë që kishin bërë. Prandaj thuaji këtij vëllai se pasuria e tij është e lejuar dhe nuk ka mëkat në të, mundet t’a japë atë për bamirësi dhe t’a përdorë për t’u martuar. Sa i përket asaj që i është thënë që nuk lejohet t’a japë për bamirësi, nuk ka asnjë bazë që e mbështet këtë.

 

Lika Bab el Meftuh 373-374

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...