A takohen shpirtrat e të gjallëve me shpirtrat e të vdekurve?

April 27, 2015

Pyetje: Kam lexuar në librin “Zadul mead” se shpirtrat e të vdekurve afrohen pranë varreve dhe i njohin vizitorët e tyre, ata që kalojnë pranë tyre apo ata që i përshëndesin ata me selam. Në këtë ditë takohen të gjallët me të vdekurit dhe kjo është e posaçme për ditën e Xhuma. A janë të sakta këto fjalë?
Përgjigje: Fjalë si këto imam Ibën Kajimi i ka përmendur edhe në librin e tij “Er Ruuh” (Shpirti). Disa prej vëllezërve tanë pretendojnë apo mendojnë se këtë libër imam Ibën Kajimi e ka shkruar në fillimet e dijes së tij, dhe se e ka shkruar para se të takohej me shejhun e tij Ibën Tejmijen. Ky është mendim i gabuar dhe nuk është i saktë, sepse Ibën Kajimi e ka përmendur shejhun e tij Ibën Tejmijen dhjetë herë. Allahu i mëshiroftë të dy! Kështu që libri (Shpirti) është prej librave të tij të fundit dhe jo prej të parëve që ai ka shkruar.
Në këtë libër dhe në të gjitha vendet ku Ibën Kajimi ka trajtuar temën e shpirtit, ka cituar (përcjellë) prej librit “Er ruuh uen nefs” (Shpirti dhe nefsi) të dijetarit Ibën Mendeh i cili është libër musned (me hadithe dhe transmetime me zinxhiret e tyre), dhe aty ka shumë lajme.
Ky libër i Ibën Mendeh nuk dimë të ekzistojë, pra është prej librave të humbur me aq sa dimë. Sidoqoftë, ditët janë përpara nesh dhe nuk e dimë se çfarë do na zbulojnë. Ndoshta Allahu i Lartmadhëruar e lehtëson gjetjen e tij.
Ka pak zgjerim tek shejhhul islami dhe tek nxënësi i tij Ibën Kajimi në çështjen e shpirtit.
Shpirtrat e të gjallëve takohen me të vdekurit në ëndërr dhe kjo saktësohet prej Ibën Abasit. Në ëndrra, siç ka thënë Ibën Abasi, takohen të gjallët me të vdekurit. Ndërsa pohimi i takimit (mes të gjallëve dhe të vdekurve) në vend tjetër, për këtë nuk kemi dije.
A takohen të vdekurit mes tyre? Po. Shejhu ynë (Albani) ka saktësuar dy hadithe për këtë në “Es sahihah”. Në njërin prej tyre Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Zgjidhini të mirë qefinët e të vdekurve tuaj, sepse ata takohen mes tyre.” Kështu që ne mund ta pohojmë takimin mes të vdekurve. Ndërsa përsa i përket lidhjes mes të gjallit dhe të vdekurit ata (të vdekurit) janë në Berzah (dhe Allahu i Lartësuar thotë): “Dhe pas tyre ka një berzah (perde) deri në ditën kur të ringjallen.”
Berzah d.m.th. pengesë mes jetës së dynjasë dhe ahiretit (botës tjetër), që është ose Xhenet ose zjarr. Lus Allahun të na bëjë të gjithëve prej banorëve të Xhenetit!
Pra mes të gjallit dhe të vdekurit ka një pengesë (perde), dhe nëse ne e pohojmë takimin mes të gjallit dhe të vdekurit kemi nevojë për argumente të drejtpërdrejta dhe të sakta. Imam Ibën Kajimi u përpoq të sillte disa të tilla duke u mbështetur në ëndrra, për të cilat tha se kanë ardhur me shumicë (muteuatirah) nga njerëz të ndryshëm të devotshëm. Por sipas fjalës më të saktë kjo është temë që lidhet me të fshehtën (gajbin) dhe nuk mund të pohohet bazuar mbi ëndrra.
Ne pohojmë atë që ka ardhur në argument, pra takimin mes të vdekurve, si dhe pohojmë takimin e të gjallëve me të vdekurit në ëndrra. Ndërsa të tjerat veç tyre si p.sh. shpëtimi në çështjet e gajbit është që të heshtim prej tyre. I shpëtuar në çështjet e gajbit është ai që hesht prej tyre (kur nuk ka argument).

Dosje:

Loading...