Adhurime që i përkasin vetëm Allahut!  

Adhurime që i përkasin vetëm Allahut! 

Pyetja e 7-të: A mund të kërkojmë shpëtim prej të vdekurve apo prej atyre që nuk janë prezent?

Përgjigja: Jo, kurrsesi nuk lejohet kërkimi i shpëtimit prej tyre. Në lidhje me këtë Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿وَالَّذِينَ يَدْعُونَ مِنْ دُونِ اللَّهِ لَا يَخْلُقُونَ شَيْئًا وَهُمْ يُخْلَقُونَ أَمْوَاتٌ غَيْرُ أَحْيَاءٍ  وَمَا يَشْعُرُونَ أَيَّانَ يُبْعَثُونَ [النحل: 20-21]

“(Le ta dinë) ata që lusin të tjerë përveç Allahut se ata (që u luten) nuk mund të krijojnë asgjë, e madje ata vetë janë të krijuar. Janë të vdekur dhe jo të gjallë, dhe as që e dinë se kur do të  ringjallen.” (En-Nahl:20-21)

Gjithashtu ka thënë:

﴿إِذْ تَسْتَغِيثُون رَبَّكُمْ فَاسْتَجَابَ لَكُمْ ﴾ [الأنفال: 9]

(Kujtojeni) Kur ju i kërkuat shpëtim Zotit tuaj dhe Ai ju përgjigj juve.” (El-Enfal: 9)

Ndërsa i Dërguari i Allahut – Paqja dhe bekimi  i Allahut qofshin mbi të! – lutej duke thënë:

«ياحي ياقيوم برحمتك استغيث »

«O i Gjallë e i Përjetshëm, në mëshirën Tënde kërkoj shpëtim!» (Tirmidhiu: Hasen)

 

Pyetja e 8-të: A është e lejuar që të kërkohet ndihmë prej dikujt tjetër përveç Allahut? 

Përgjigja: Jo, nuk është e lejuar. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar në Kuran ku thotë:

﴿إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ﴾ [الفاتحة: 5]

“Vetëm Ty (o Allah) të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!” (El-Fatiha: 5).

Ndërsa i Dërguari i Allahut – Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të! – ka thënë:

«إذا سألتَ فاسأل اللهَ، وإذا استعنتَ فاستعن بالله»

«Kur të lutesh, lutju vetëm Allahut, dhe kur të kërkosh ndihmë kërko vetëm prej Allahut!»  (Tirmidhiu: Hasenun-Sahih)

Pyetja e 9-të: Po në qoftë se u kërkojmë ndihmë të gjallëve që janë të pranishëm?
Përgjigja: Nëse ata që janë të pranishëm janë në gjendje dhe kanë mundësi t’a bëjnë diçka të tillë, kjo gjë lejohet. Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartmadhërishëm në Kuran:

﴿ وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَى وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ  [المائدة: 2]

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri, dhe mos e ndihmoni njëri-tjetrin në gjynahe dhe armiqësi.” (El-Maide: 2)

Ndërsa i Dërguari i Allahut – Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të! – ka thënë:

«والله في عون العبد ماكان العبد في عون اخيه »

«Allahu është në ndihmë të robit, për aq kohë sa robi është në ndihmë të vëllait të vet.» (Muslimi)

 

Pyetja e 10-të: A lejohet të bësh nedhr (dedikim) ndaj dikujt tjetër përveç Allahut?

Përgjigja: Jo, nuk lejohet të bësh nedhr (dedikim) ndaj dikujt tjetër përveç Allahut, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë:

﴿إِذْ قَالَتِ امْرَأَتُ عِمْرَانَ رَبِّ إِنِّي نَذَرْتُ لَكَ مَا فِي بَطْنِي مُحَرَّرًا فَتَقَبَّلْ مِنِّي  إِنَّكَ أَنْتَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ﴾ [آل عمران: 35]

(tregoju) Kur gruaja e Imranit pati thënë: Zoti im, këtë që unë e kam në barkun tim po e bëj nedhr (po e dedikoj) për Ty, që të jetë vetëm në shërbimin Tënd.” (Ali Imran: 35)

Ndërsa i Dërguari i Allahut – Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të! – ka thënë:

« من نذر أن يطيع الله فليطعه، ومن نذر أن يعصيه فلا يعصه »

«Kush bën nedhr (zotohet) për (ndonjë gjë dhe ajo rezulton) bindje ndaj Allahut (le ta kryejë atë dhe) duhet t’i bindet Atij. Ndërsa kush bën nedhr për (ndonjë gjë dhe ajo rezulton) kundërshtim i Tij (le ta lërë zotimin e bërë dhe) të mos e kundërshtojë Atë.» (Buhariu)

Pyetja e 11-të: A lejohet të bëhet kurban për dikë tjetër përveç Allahut?

Përgjigja: Nuk lejohet që kurbani të bëhet për asnjë tjetër përveç Allahut, dhe argumenti për këtë është fjala e Allahut:

﴿فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ﴾ [الكوثر: 2]

“Dhe ti falu dhe bëj kurban vetëm për Zotin tënd.” (Keuther: 2)

Fjala “bëj kurban” nënkupton “ther në emër të Allahut dhe vetëm për Allahun”.

Ndërsa i Dërguari i Allahut – Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të! – ka thënë:

«Allahu e ka mallkuar atë i cili ther për dikë tjetër përveç Allahut.» (Muslimi)
Pyetja e 12-të: A mund të bëjmë tavaf (rrotullohemi) rreth varreve (në formë adhurimi), me qëllim që të begatohemi me to?

Përgjigja: Ne nuk bëjmë tavaf (rrotullim) askund tjetër përveçse rreth Qabes, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

﴿ وَلْيَطَّوَّفُوا بِالْبَيْتِ الْعَتِيقِ [الحج: 29]

“E ata le të bëjnë tavaf (rrotullim) vetëm rreth Shtëpisë së Lashtë (Qabes)!” (El-Haxh: 29)

Ndërsa i Dërguari i Allahut – Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të! –  ka thënë:

«من طاف بالبيت سبعاً وصلى ركعتين كان كعتق رقبة »

«Kush bën tavaf (rrotullohet) rreth Qabes shtatë herë dhe pastaj fal dy rekate, i llogaritet sikur ka liruar një skllav.» (Ibn Maxheh: Sahih)

 

Marrë nga Libri: Mesoje Akiden nga Kurani dhe Suneti

Autor: Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Bashkim Selmani