Agjërimi, adhurim që është kërkuar edhe prej popujve të tjerë.

April 29, 2016

Njësimi i Allahut është e përbashkëta e profetëve siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Nuk kemi dërguar ndonjë profet para teje veçse i kemi shpallur se nuk ka të adhuruar tjetër veç meje pra më adhuroni!”

Dhe ata përveç njësimit kanë pasur edhe të përbashkëta të tjera në disa punë si namazi dhe agjërimi.
Agjërimi është përmendur në ajetin e agjërimit: “O ju që keni besuar, ju është bërë detyrë agjërimi ashtu siç ishte për ata që ishin para jush në mënyrë që të ruheni (prej zjarrit)” Suretu El-Bekare: 183.
Kurse namazi është përmendur në historinë e Musës alejhi selam kur i Allahu i thotë atij: “Unë të kam zgjedhur ty dhe dëgjo me vëmendje se çdo të shpallim * Unë jam Allahu që nuk ka të adhuruar tjetër veç meje dhe kryeje namazin për përkujtimin tim” suratu Taha: 13-14.
Mirëpo këto të përbashkëta që kanë lidhje me punët edhe mund të ndryshojnë në mënyrën, kohën, numrin dhe në lehtësinë apo vështirësinë e kryerjes. Prandaj dhe profeti alejhi selam thotë: “Profetët janë vëllezër nga babai. Feja e tyre është një dhe nënat janë të ndryshme”.
Fjala e tij [nënat janë të ndryshme] do të thotë: rregullat e adhurimit -jo të besimit- mund të ndryshojnë siç u tha më lart në mënyrë, kohë, numër, vështirësi etj. dhe pikërisht këtë gjë ka dashur të sqarojë Allahu në kuran kur ka thënë: “Secilit prej tyre (profetëve) i kemi bërë ligje dhe rregulla (të veçanta)”.

Ngjasimi në agjërim është siç thonë shumë komentues të kuranit agjërimi i tre ditëve në çdo muaj i cili ka qenë detyrë që nga Ademi e deri te profeti ynë, gjë e cila u anulua me vonë kur u bë detyrë agjërimi i ramazanit por që vazhdon të jetë e pëlqyeshme dhe jo detyrë.
Është thënë gjithashtu se ngjasimi në agjërim është në vetë ramazanin. Es-Sudi (një prej komentuesve të kuranit i vdekur 127 H) thotë: “Ju vështirësua të krishterëve agjërimi i ramazanit sepse binte edhe në dimër edhe në verë dhe kur ndodhi kjo gjë ranë dakord ta fiksojnë agjërimin e tyre në stinën mes dimrit dhe verës dhe vendosën të shtojnë edhe njëzet ditë si shlyerje për ndryshimin” diçka të përafërt me këtë që u tha është treguar edhe nga Shabiu.
Ndërsa prej ndryshimeve në agjërim është syfyri siç thotë profeti alejhi selam: “Nryshimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ehli kitabit është syfyri” e transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Pra agjërimi i tyre ishte pa syfyr nga iftari në iftar gjë e cila ka qenë edhe tek ne në fillim të islamit por që u anulua dhe u bë nga agimi në perëndim ose nga syfyri në iftar.
Po ashtu edhe iftari nuk ka qenë në të njëjtën kohë me ne siç thotë profeti alejhi selam: “Feja do vazhdojë të jetë e dukshme (pjesë e jetës së njerëzve) derisa njerëzit e shpejtojnë iftarin (ta çelin menjëherë pas perëndimit) sepse çifutët dhe të krishterët e vonojnë”.
Sot çifutët dhe të krishterët agjërojnë ndaj disa lloje ushqimesh dhe jo ndalim të plotë nga ngrënia dhe pirja. A është edhe kjo prej ndryshimeve që i ka bërë Allahu në rregulla apo prej ndryshimeve të tyre, këtë vetëm Allahu e di më së miri.

Dr.Abdullah Nabolli
Loading...