Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Atë të cilin e udhëzon Allahu nuk ka kush e humbet dhe atë të cilin e humbet Allahu, me drejtësinë e Tij, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Allahut të vetëm e të pa shok dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij.
I dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- na ka treguar në hadithet e tij për mirësinë e agjërimit në muajin e Muharremit, muaji i parë i vitit hixhri, ku ka thënë:
“Agjërimi më i mirë pas agjërimit të muajit të Ramazanit është muaji i Allahut Muharrem, kurse namazi më i mirë pas namazeve të obliguara është namazi i natës” transmeton imam Muslimi në Sahihun e tij me numër: 1163 nga Ebu Hurejra –Allahu qoftë i kënaqur prej tij”.
Kurse në një transmetim tjetër nga Xhundub ibn Sufjan –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se ka thënë: i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- thoshte:
“Me të vërtetë namazi më i mirë pas namazeve të obliguara është namazi në mesin e natës, kurse agjërimi më i mirë pas agjërimit të muajit të ramazanit është muaji i Allahut të cilin e quani Muharrem” e ka saktësuar imam Albani me anë të rrugëve të hadithit tek libri: Tergib we Terhib: 1/437 me përgatitjen e Shejh Meshhur Hasen Al Selman.
Gjithashtu i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- i ka dhënë një rëndësi të veçantë agjërimit ditën e dhjetë të këtij muaji, ditë që quhet dita e Ashura, ku ka thënë për mirësinë e agjërimit të kësaj dite:
Nga Humejd ibn Abdurrahman se ka dëgjuar Muauijetu ibn Ebi Sufjan –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- në kohën e haxhit mbi hutbe duke thënë: O banorët e Medines! Ku janë dijetarët tuaj? Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- duke thënë: “Kjo është dita e Ashura. Allahu nuk jua ka bërë obligim agjërimin e saj, por unë do ta agjëroj, ai i cili dëshiron le të agjërojë e ai i cili dëshiron le të mos agjërojë” transmeton imam Buhari: 2004 dhe imam Muslimi: 1129.
Nga Aishja –Allahu qoftë e kënaqur prej saj- se ka thënë: Dita e Ashura ishte ditë që kurejshët e agjëronin atë në kohën para Islamit, edhe i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- e agjëronte atë para Islamit. Pasi u shpërngul në Medine e agjëroj atë ditë dhe urdhëroj që ta agjëronin atë, pasi u bë obligim agjërimi i muajit të ramazanit ai e la agjërimin e Ashuras, ai i cili dëshironte e agjëronte atë ditë e ai që dëshironte nuk e agjëronte” transmeton imam Buhari: 2002 dhe imam Muslimi: 1125.
Nga Ibn Abasi –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se ka thënë: Kur u shpërngul i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- në Medine vuri re se Jehudët e agjëronin ditën e Ashura dhe u tha atyre: Pse e agjëroni? Ata i thanë: Kjo është një ditë e mirë, kjo është dita që Allahu i shpëtoj Beni Israilët nga armiku i tyre kështu që Musai e agjëroj atë ditë. Ai -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- u tha: “Unë jam më parësor për ta ndjekur Musain se sa ju” kështu që e agjëroj atë ditë dhe urdhëroj që ta agjëronin edhe të tjerët” transmeton imam Buhari: 2004 dhe imam Muslimi: 1130.
Nga Ebi Musa El Esharij –Allahu qoftë i kënaqur prej tyre- se ka thënë: Ditën e Ashura Jehudët e konsideronin festë, i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- tha: “Atëherë agjërojeni ju atë ditë” transmeton imam Buhari: 2005 dhe imam Muslimi: 1131.
Nga Ibn Azasi –Allahu qoftë i kënaqur prej tyre- se ka thënë: Kur i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- agjërojë ditën e Ashura dhe urdhëroj që ta agjëronin edhe të tjerët atë ditë, i thanë atij: O i dërguari i Allahut! Kjo është një ditë që Jehudët dhe të Krishterët e madhërojnë! I dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- tha: “Kur të vijë viti tjetër –me lejen e Allahut- do ta agjërojmë edhe ditën e nëntë”. Thotë Ibn Abasi: “Nuk erdhi viti tjetër derisa ndërroj jetë i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të”.
Kurse në një transmetim tjetër: “Nëse jetoj deri vitin tjetër do ta agjëroj edhe ditën e nëntë” transmeton imam Muslimi: 1134.
Nga Ebi Katade –Allahu qoftë i kënaqur prej tij- se i dërguari i Allahut -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- u pyet për agjërimin e ditës së Ashura? Dhe tha: “Ajo i fal gabimet e vitit që ka kaluar” transmeton imam Muslimi: 1162.
Përgatiti: Ylli Rama