Agjërimi, rregulla dhe dispozita (Pjesa e dytë)

Pjesa e dytë

 

  1. A pranohet agjërimi nga jobesimtari?

 

Agjërimi nuk është detyrë për jobesimtarin dhe nuk i pranohet derisa të bëhet musliman.[1]

 

  1. A është detyrë për agjëruesin që ta lexoj të gjithë Kuranin në ramazan?

 

Jo nuk është detyrë, porse kërkohet nga njeriu që në ramazan të lexoj sa më shumë Kuran.[2]

 

  1. A duhet të agjërojë gruaja që pastrohet para agimit?

 

Ajo e agjëron këtë ditë dhe lahet qoftë edhe pas lindjes së agimit, sepse vonimi i larjes deri pas lindjes së agimit nuk ndikon aspak në saktësimin e agjërimit.[3]

 

  1. A prishet agjërimi kur personi gjatë nxehjes shan?

 

Agjërimi nuk prishet, por kjo gjë ia pakëson shpërblimin atij. Prandaj duhet që muslimani ta përmbajë veten dhe ta ruaj gjuhën e tij nga sharja, përgojimi, thashethemet dhe gjërat e ngjashme të cilat Allahu i ka ndaluar si në kohën e agjërimit ashtu dhe jashtë tij.[4]

 

  1. A është e sakta se kur je i agjërueshëm nuk e lan gojën dhe hundën gjatë abdesit?

 

Jo, kjo nuk është e saktë. Larja e gojës dhe futja e ujit në hund është prej obligimeve të abdesit qoftë kjo kur je i agjërueshëm në ramazan apo dhe jashtë tij. Por nuk duhet që njeriu ta teprojë në larjen e gojës dhe hundës gjatë kohës që është i agjërueshëm.[5]

 

  1. A e prish agjërimin prerja e flokëve dhe thonjëve?

 

Këto nuk e prishin agjërimin.[6]

 

  1. A prishet agjërimi nëse lahesh me ujë dhe sapun (apo shampo)? Por nëse bëhesh xhunub në gjumë a prishet agjërimi?

 

I lejohet agjëruesit të lahet gjatë ditës së ramazanit me ujë dhe sapun (apo shampo). Kush bëhet xhunub në gjumë gjatë ditës duke qenë i agjërueshëm, agjërimi i tij është i saktë dhe ai ka detyrë të lahet.[7]

 

  1. A lejohet përdorimi i pastës së dhëmbëve kur je i agjërueshëm?

 

Përdorimi i pastës së dhëmbëve nga ana e agjëruesit nuk përbën problem nëse ajo nuk arrin në stomak. Por më parësore është që ai mos ta përdorë.[8]

 

  1. A lejohet përdorimi i misvakut gjatë agjërimit?

 

Përdorimi i misvakut është i pëlqyeshëm në të gjitha kohërat madje edhe kur je agjërueshëm, ngase i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e ka veçuar agjëruesin nga të tjerët. Shih: “Fet’hul Bari” (4/158), “Sahih Ibën Huzejme” (3/247) dhe “Sherh es Sunneh” (6/298).

 

Shejh Abdulaziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: “A është i njëjtë përdorimi i misvakut si në fillim të ditës ashtu dhe në fundin e saj gjatë ramazanit, apo ka dallim?”

 

Përgjigje: Si fillimi i ditës ashtu dhe fundi i saj është njësoj (për përdorimin e misvakut). Prandaj përdorimi i misvakut është sunet, si në fillim të ditës ashtu dhe në fund të saj.”[9]

 

  1. Agjëruesi kur niset për udhëtim e prish agjërimin para se të niset. Ky është suneti.

 

Muhamed bin Keab thotë: Shkova të Enes bin Malik në Ramazan, i cili do të nisej për udhëtim. I bëra atij gati kafshën e udhëtimit. Ai veshi rrobat e udhëtimit, kërkoi ushqim dhe hëngri. Unë i thashë: A është sunet kjo gjë? Tha: “Po, është sunet”. Pastaj i hipi kafshës së tij.”[10]

 

Ubejd bin Xhubejr thotë: Hipa në anije bashkë me Ebi Busra el Gifari, në Ramazan, nga Fustati. Ai afroi drekën e tij dhe më tha: “Afrohu (të hash)!” Unë i thashë: “A nuk je ende mes shtëpive (pa dalë nga qyteti)?” Ebu Busra tha: “A po i kthen shpinën sunetit të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem?”[11]

 

  1. Kush ka ditë për të agjëruar nëse do i agjëron të ndara ose njëra pas tjetrës.

 

Argument për këtë është hadithi: Ibën Umeri radijAllahu anhu transmeton se i Dërguari i Allahut sal-lAlalhu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që zëvendëson ditët e paagjëruara nga Ramazani, nëse do i agjëron të ndara e nëse do, i agjëron njëra pas tjetrës”.[12]

 

Buhariu thotë:[13] Ibën Abasi radijAlalhu anhu thotë: “Nuk ka problem të agjërohen të ndara, sepse Allahu thotë: “…të agjërojë po aq ditë në ditët e mëvonshme”. El-Bekare, 185.

 

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

[1] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!)

[2] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!)

[3] “El-Lexhneh ed daimeh” vëll. 10

[4] “El-Lexhneh ed daimeh” vëll. 10

[5] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!)

[6] “El-Lexhneh ed daimeh” vëll. 10

[7] “El-Lexhneh ed daimeh” vëll. 10

[8] “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 19 shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!)

[9] “Suvalat Ibën Uehf lishejh Islam el imam el muxhedid Abdulaziz bin Baz”.

[10] Hadith autentik. “Sunenu Tirmidhi” (799).

[11] Hadith autentik. “El Irva” (928) dhe “Sunenu Ebi Daud” (2412)

[12] Hadith autentik. “El Irva” (943)

[13] E përmend këtë thënie të Ibën Abasit pa zinxhir transmetimi – mualak