Ai ishte njeriu më i mirë në moral dhe në fizionomi

… vijon nga pjesa e parë: Cilësitë e Profetit (alejhi selam) dhe prejardhja e tij.

E treta: Ai ishte njeriu më i mirë në moral dhe në fizionomi.

Për moralin e tij të lartë mjafton si dëshmi fjala e Allahut të Madhëruar, që thotë: “Me të vërtetë ti je në një gradë të lartë të moralit.” (Kalem: 4)

Sado që të flasim për moralin e Profetit (alejhi selam) nuk mund t’ia japim peshën që meriton. Kur u pyet Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) për moralin e të dërguarit, ajo u përgjigj duke thënë: “Morali i tij ishte Kurani.” [E përcjell Muslimi me nr. 746.]

Duke studiuar historinë e tij -alejhi selam- si dhe duke lexuar hadithet profetike që flasin për cilësitë e tij morale, para nesh shfaqen fragmente nga; modestia e shoqëruar me madhështi, turpi i shoqëruar me trimëri, bujaria e sinqertë larg dëshirës për t’u dukur, besnikëria e njohur mes njerëzve, sinqeriteti në fjalë dhe vepra, asketizmi ndaj dëshirave të dunjasë kur ajo i vinte, mospreokupim për të kur ajo (dunjaja) largohej, sinqeriteti ndaj Allahut në çdo gjë që vepronte. Pa lënë në harresë gjithashtu; gjuhën e kulluar arabe, zemrën e paluhatur, mendjemprehtësinë, kuptimin e logjikshëm, mëshirën ndaj të madhit dhe të voglit, butësinë, ndjeshmërinë ndaj të tjerëve, dëshirën për ta falur dhe për ta mëshiruar atë që bën vepra të këqija, distancimin nga vrazhdësia, ftohja dhe ngurtësia, durimin në kohët e vështira, si dhe guximin për të folur të vërtetën. [Sira es Sahiha, Ekrem Dija el Umeri fq. 89.]

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Profeti (alejhi selam) ka qenë njeriu me moralin më të mirë.” [E përcjell Muslimi me nr. 2301.]

Enesi përsëri tregon: “Nuk kam prekur as kadife e as mëndafsh më të butë se pëllëmba e të dërguarit të Allahut (alejhi selam). Nuk kam nuhatur asnjëherë aromë më të mirë se aroma e të dërguarit të Allahut. I kam shërbyer atij dhjetë vite dhe nuk më ka thënë kurrë ‘of’. Apo për ndonjë gjë që e bëja; pse e bëre kështu? Apo për gjërat që nuk i bëja; Pse nuk e bëre kështu?” [E përcjell Buhariu me nr. 3561, dhe Muslimi me nr. 2330.]

Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) thotë: “Sa herë që i është dhënë Profetit (alejhi selam) të zgjedhë mes dy çështjeve, gjithmonë ai zgjidhte më të lehtën prej tyre përderisa nuk ishte mëkat. E nëse ishte mëkat ai do të ishte njeriu më i largët prej saj. Kurrë nuk është hakmarrë Profeti (alejhi selam) për veten e tij për asgjë, me përjashtim kur shkeleshin kufijtë e Allahut atëherë ai merrte hak për Allahun e Madhëruar.” [E përcjell Buhariu me nr. 3560 dhe Muslimi me nr. 2327.]

Gjithashtu ajo (Aisha) tregon: “Profeti (alejhi selam) kurrë nuk ka goditur me dorën e tij asnjë grua dhe asnjë shërbëtor, me përjashtim kur ka luftuar në rrugë të Zotit. Nëse i është cënuar diçka ai kurrë nuk është hakmarrë ndaj cënuesit, me përjashtim të rastit kur është shkelur ndonjë nga kufijtë e Allahut i cili është hakmarrë për Allahun e Madhëruar.” [E përcjell Muslimi me nr. 2328.]

Sa u takon cilësive të tij fizionomike (në krijim) mund të flasësh sa të duash. Mjafton fakti se armiqtë e tij nuk arritën të gjejnë në fizionominë e tij qoftë dhe një të metë dhe ta etiketonin me të. Pra, ai me të drejtë ishte njeriu më i mirë në moral dhe në fizionomi.

Ejani të dëgjojmë së bashku sesi shokët e tij e cilësojnë të dërguarin e Allahut (alejhi salatu ues selam).

Në përshkrimin e Profetit (alejhi selam) Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: Ishte njeri mesatar, as i gjatë e as i shkurtër, me ngjyrë të çelur, jo e bardhë e hapur dhe as e bardhë e mbyllur, flokët nuk i kishte kaçurrela por as të drejta. Kurani i është shpallur në moshën dyzet vjeçare. Qëndroi në Meke dhjetë vite duke i zbritur shpallja dhe në Medine qëndroi për dhjetë vite. U nda nga jeta ndërkohë që në kokën dhe mjekrën e tij nuk kishte më shumë se njëzetë qime të thinjura. [E përcjell Buhariu me nr. 3547 dhe Muslimi me nr. 2347.]

Bera bin Azib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: I dërguari i Allahut (alejhi selam) ka qenë njeriu me fytyrën më të bukur dhe fizikun më të mirë, jo i gjatë që bie në sy dhe as i shkurtër. Kur e pyetën Beranë: A ishte fytyra e Profetit me tipare të mprehta (si shpata)? Ai tha: Jo, ajo ishte si hëna. [E përcjell Buhariu me nr. 3552.]

Keab bin Malik kur tregon për mospjesëmarrjen e tij në betejën e Tebukut, thotë: “Kur e përshëndeta të dërguarin e Allahut fytyra e tij shkëlqente nga gëzimi. Kur gëzohej fytyra e Profetit (alejhi selam) shndrinte si të ishte një pjesë e hënës, dhe këtë e kuptonim nga ai.” [E përcjell Buhariu me nr. 3556.]

Ebu Seijd el Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Profeti (alejhi selam) ishte më i turpshëm se virgjëresha në rrobën e saj.” [E përcjell Buhariu me nr. 3562 dhe Muslimi me nr. 2320.]

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: Profeti (alejhi selam) nuk ka qenë as i gjatë e as i shkurtër, kishte pëllëmbë dhe këmbë të forta, kokë dhe gjymtyrë të mëdha (të plota), dhe qimet e kraharorit të gjata. Kur ecte dukej sikur zbriste nga një tatëpjetë. Nuk kam parë as më përpara dhe as më pas njeri të ngjashëm me të! [Muhtesar esh Shemail me nr. 4. E saktësoi shejh Albani.]

E katërta: Emrat e tij (alejhi salatu ues selam).

Profeti i Allahut na tregon duke thënë: “Unë kam pesë emra; unë jam Muhamedi, unë jam Ahmedi, unë jam el Mahi- fshirësi që nëpërmjet meje Allahu shuan mosbesimin, unë jam El Hashir – tubuesi tek i cili do të tubohen njerëzit në këmbët e mia, d.m.th. në gjurmët e mia. Unë jam El Akib. El Akibu është ai pas të cilit nuk do të ketë profet tjetër. [E përcjell Buhariu me nr. 3532 dhe Muslimi me nr. 2354.]

Ebu Musa el Eshari  (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Profeti (alejhi selam) e cilësonte veten e tij me emra, dhe thonte: Unë jam Muhamedi, Ahmedi, El Mukafij – ai pas të cilit nuk ka profet, El Hashir – tubuesi tek i cili do tubohen njerëzit ditën e kijametit, profeti i pendimit dhe profeti i mëshirës.” [E përcjell Muslimi me nr. 2355.]

Bejhakiu ka thënë: Disa dijetarë kanë shtuar dhe kanë thënë: Allahu në Kuran e ka quajtur; i dërguar, lajmëtar, analfabet, dëshmitar, përgëzues, qortues, thirrës për tek Allahu me lejen e Tij, kandil ndriçues, i dhembshur, i mëshirshëm, përkujtues. E ka bërë atë mëshirë, mirësi dhe udhëzim. [Sahih es Sira fq. 9. E transmeton Albani.]

Prej emrave të tij janë: Përkujtues, mëshirë, mirësi, udhëzues, dëshmues, besnik, i mbështjellë, i mbuluar.

Gjithashtu, prej emrave të tij janë; i zgjedhur, el Mustafa, ndërmjetësues që do t’i pranohet ndërmjetësimi, Ai që gjithmonë flet të vërtetën, i besueshëm. [Fet’hul Bari (6/643-644), hadithi me nr. 3533.]

 

“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam.”

“Historia e Profetit (alejhi selam).”

Shkroi: Ebu Islam Salih Taha