Allahu e ruan Kuranin

January 20, 2015

Prej fakteve që pohojnë vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është ruajtja e librit (Kuranit) të cilin Allahu e shpalli tek njerëzit. Ky libër është ruajtur në atë formë që nuk është parë ndonjëherë më parë të ketë ndodhur tek librat qiellorë.

Kjo për faktin se vet Allahu e mori përsipër ruajtjen e tij dhe vuri në dispozicion çfarë deshi prej shkaqeve të ndryshme. E ruajti atë nëpërmjet imamllarëve që e lexojnë në mihrabe dhe përmes të rinjve që e memorizojnë në mejtepe. Sa herë që pyet për mënyrën e pikësimit apo llojin e shkrimit, mënyrën si është kopjuar dhe është shkruar, do të gjesh shumëllojshmërinë e arteve që muslimanët i kanë kushtuar kësaj fushe.

Lexuesit vazhdimisht e kanë lexuar brenda xhamive, dijetarët pareshtur e kanë komentuar nëpër shkolla duke u dhënë nxënësve titujt më të lartë dhe me zinxhirë leximi të pandërprerë (deri tek Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem). Sa herë që dikush është munduar të ndryshojë një shkronjë është zbuluar çështja e tij.

El Baxhij ka thënë: “Libri ynë i ruajtur  (Kurani) është memorizuar nga i vogli dhe i rrituri, askush nuk mundet të shtojë apo të paksojë prej tij. Ai që e lexon (librin) në lindjen më të largët është i njëjti (libër) që e lexon një tjetër në perëndimin më të largët, pa shtuar qoftë dhe një shkronjë apo një fjalë dhe pa u kundërshtuar në zanore apo pika.” “Fusul el ahkam” fq. 62.

Në tefsirin e Kurtubiut  10/5, 6 nga Jahja bin Ekthem thotë: Memuni i cili ishte prijës në atë kohë mblidhte njerëz në tubime diskutimesh dhe mes të pranishmëve hyri një person jehudi, me rroba të mira, me paraqitje të këndshme dhe me aromë të mirë. Ai e mori fjalën dhe foli në formë perfekte dhe me fjalë të zgjedhura. Pasi mbaroi tubimin, Memuni e thirri dhe i tha:

-Jehudi?

Po, – iu përgjigj ai.

Memuni i tha: Bëhu musliman dhe do të jap këtë e atë, – dhe i premtoi.

Por ai i tha: Do të qëndroj në fenë time dhe të baballarëve të mi, – dhe u largua.

Pas një viti ai (jehudiu) erdhi tek ne si musliman, filloi të fliste në lëminë e fikhut dhe foli shumë bukur. Pasi mbaroi tubimin, Memuni e thirri dhe i tha: A nuk je i njëjti ai që takova para një viti?

Ai i tha: Patjetër që unë isha!

Si u bëre musliman, – e pyeti Memuni?

Ai tha: Pasi që u largova prej teje desha t’i vë në provë të gjitha fetë dhe ti e di shkrimin tim të bukur. Iu ktheva Teuratit dhe shkruajta tri kopje, shtova dhe pakësova prej tij pastaj e çova në sinagogë dhe ata i blenë kopjet e mia!! Pastaj mora Ungjillin dhe shkruajta tri kopje, shtova gjëra dhe pakësova e pastaj i nisa për t’i shitur dhe ata i blenë. Pastaj mora Kuranin dhe bëra tri kopje duke shtuar dhe pakësuar gjëra, dhe ua dhashë atyre (muslimanëve) që kopjojnë librat. Ata e shfletuan, dhe kur panë që kishte shtesa dhe mangësi i hodhën tutje dhe nuk i blenë. Aty kuptova se ky është libër i ruajtur dhe kjo ishte arsyeja e islamit tim.

Më tej Jahja bin Ekthem thotë: Atë vit shkova në haxh dhe takova Sufjan bin Ujejnen, i tregova ngjarjen dhe ai më tha: Vërtetësia e kësaj gjëndet në librin e Allahut të Lartësuar. E pyeta: Në cilin ajet? Ai më tha: Në fjalën e Allahut të Lartësuar kur flet për Teuratin dhe Ungjilin duke thënë: Sepse atyre u qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut.” | Maide: 44. Ai ua besoi atyre ruajtjen e librit por ata e humbën. Ndërsa në anën tjetër Allahu i Madhëruar tha: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe sigurisht Ne do ta ruajmë atë.” | El Hixhr: 9. Allahu e ruajti për ne prandaj nuk humbi.”

Shkëputur nga libri: “Min kuli ajetin faideh” fq. 6.

Autor: Abdulmalik Ramadani

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...