E ardhmja i takon Islamit

Shejh Ebu Islam Salih bin Taha Abduluahid, Allahu e ruajtë, ka thënë: O robër të Allahut!

Ndihma, fitorja dhe ardhmëria janë për Islamin – në dashtë Allahu i Lartësuar -, sepse ky është premtimi i të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E si jo, ky është premtimi i Allahut në Librin e Tij për robërit besimtarë, vepërmirë dhe të devotshëm.

Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besojnë dhe bëjnë vepra të mira se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre. Dhe do t’ua forcojë fenë e tyre me të cilën Ai është i kënaqur, dhe frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim).” [En-Nur: 55]

I Lartësuari thotë: “Ne shënuam në Zebur pas Teuratit, që tokën (e Xhenetit) do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” [El-Enbija: 105]

I Lartësuari thotë: “Sigurisht, Ne do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe besimtarët, si në jetën e kësaj bote ashtu dhe në ditën kur do të sillen dëshmitarët.” [El-Gafir: 51]

I Lartësuari thotë: “Shumë kohë më parë Ne u premtuam robërve Tanë të dërguar se ata do të ndihmohen (prej Nesh), dhe se ushtritë Tona do të jenë me siguri fitimtare!” [Es-Safat: 171-173]

Dhe thotë: “Ai do t’ju falë edhe dhunti të tjera që i dëshironi; ndihmën e Tij dhe një fitore të afërt! Andaj, gëzoji besimtarët!” [Saff: 13]

Robër të Allahut!

Allahu i Lartësuar në Librin e Tij thotë: “(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë.” [Et-Teube: 33]

Në këtë ajet Zoti ynë na përgëzon se ardhmëria i takon vetëm Islamit. Gjithashtu, na ka përgëzuar i Dërguari ynë, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në sunetin e tij se ardhmëria është për këtë fe. Fitorja është për Islamin dhe muslimanët edhe sikur jobesimtarët ta urrejnë këtë gjë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë, edhe sikur munafikët ta urrejnë këtë gjë.

 

“Hajatus-Saudai”

Përktheu: Unejs Sheme