Muavije bin Ebi Sufjan thotë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ues selam) duke thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, i mundëson fikhun (kuptimin) e fesë.” [Buhariu dhe Muslimi].
Në gjuhën arabe, “Fikh” do të thotë: “Kuptim” por më vonë kjo fjalë (fikh) u përdor veçanërisht për kuptimin e fesë dhe legjislacionit.
Ajni (Allahu e mëshiroftë) thotë: “I mundëson fikhun” dmth e bën të kuptojë, sepse fikhu në gjuhën arabe është: Kuptimi! Allahu i Lartësuar thotë: “Që ata të kuptojnë fjalën time!” [Taha 28]. [Umdetu el Karrij 2/42].
Kuptimi (fikhu) në fe është: Njohja e dispozitave fetare me argumentet përkatëse, njohja e kuptimeve të urdhërave dhe ndalesave dhe praktikimi i tyre e që trashëgon tek ky fakih frikën nga Allahu i Lartësuar dhe ndjenjën e mbikqyrjes së Tij në vetmi dhe para krijesave.
Shejhul Islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Kuptimi (fikhu) në fe është: Njohja e kuptimeve që vijnë për urdhërat dhe ndalesat me qëllim që njeriu të jetë syçelë në çështjet e fesë së tij. A nuk e ke lexuar fjalën e Allahut që thotë: “Që të thellohet në KUPTIMIN e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut.” [Teube 122].
Në këtë ajet, Allahu e shoqëroi këshillimin (e popullit) me kuptimin (e fesë) dhe kjo pohon se fikhu (kuptimi i fesë) në realitet është ai që e pengon (largon) njeriun nga harami, fton në zbatimin e obligimeve dhe frikëson shpirtin që të bjerë në gjërat e ndaluara. [El Fetaua el Kubra 6/171].
Imam Neveviu ka thënë: “Në këtë hadith vihet re vlera e dijes, nxitja për ta kërkuar atë, sepse dija është ajo që: Udhëheq drejt devoshmërisë ndaj Allahut! [Sherh Nevevi ala Sahih Muslim 7/128].
Shejhul Islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: Atij që Zoti i do të mirën patjetër i mundëson kuptimin e fesë dhe anasjelltas, atij që nuk i jep kuptim në fe, nuk ia ka dëshiruar hajrin (të mirën). Fe, është ajo me të cilën Allahu dërgoi Pejgamberin (alejhi selam) e që njeriu duhet ta besojë dhe ta praktikojë atë. Cdokujt i kërkohet që të besojë atë që solli Muhamedi (alejhi salatu ues selam) dhe të bindet në atë që urdhëron. Të besojë dhe të bindet në mënyrë të përgjithshme. [Mexhmu el Fetaua 28/80].
Shejh Abdul Aziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ky hadith madhështorë na mëson vlerën e kuptimit të fesë!
Kuptimi në fe është: Kuptimi i librit të Allahut dhe sunetit të Profetit (alejhi salatu ues selam). Është kuptimi i islamit sa i takon bazave të legjislacionit, dispozitave që Allahu na ka urdhëruar dhe ndalesave që ai na ka ndaluar. Gjithashtu, sa i takon njohjes së detyrimeve që njeriu ka ndaj Zotit dhe krijesave, frikës ndaj Allahut, madhërimit dhe ndjenjës së mbikqyrjes së Tij, sepse kreu i dijes është frika ndaj Allahut të Madhëruar, madhërimi i ndalesave të Tij dhe ndjenja e mbikqyrjes në gjërat që robi vepron dhe lë (braktis).
Ai që e humbet frikën ndaj Zotit dhe ndjenjën e mbikqyrjes së Tij, dija e këtij njeriu nuk ka vlerë, ajo që ka vlerë në realitet është dija e dobishme.
Dija në fe, e që konsiderohet shenjë e lumturisë, është ajo që lë si gjurmë frikën ndaj Zotit, madhërimin e ndalesave dhe ndjenjën e mbikqyrjes së Tij. Më pas, kjo e shtyn në zbatimin e obligimeve dhe braktisjen e ndalesave të Zotit. E nxit të thërrasë për tek Allahu dhe tu sqarojë njerëzve legjislacionin e Tij.
Atij që i jepet një dije e tillë, kjo për të është shenjë dhe argument se Allahu i do të mirën. Ai që privohet nga kjo dhe shkon me injorantët dhe të humburit, me ata që i kthejnë shpinën kuptimit të fesë dhe praktimkimit të saj, apo njohjes së atyre gjërave që Ai ka ndaluar, ky është tregues se Allahu këtij njeriu nuk ia deshi hajrin (të mirën).
Besimtari e kërkon dijen, mësyn njohjen e kuptimeve në fe, mundohet të jetë syçelë duke i kushtuar rëndësi librit të Allahut dhe meditimit të ajeteve me qëllim që të përfitojë prej tij. Ashtu sikurse i kushton vëmendjen e duhur sunetit të Profetit (alejhi selam) kuptimeve të tij, praktikimit dhe mësimit përmendësh sa të ketë mundësi. Ai që u largohet këtyre dy bazave dhe shkujdeset, kjo është shenjë se Allahu nuk ia deshi hajrin këtij njeriu, është shenjë e shkatërrimit, shenjë e prishjes së zemrës dhe shashtisjes së saj nga rruga e drejtë. [Mexhmu Fetaua ibn Baz 9/129-130].
Përshtati Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve
- Në cilën anë të imamit është më mirë të falemi? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin