Besimi në caktimin e Allahut

February 22, 2023

Besimi në caktimin e Allahut konsiston në besimin e prerë se Allahu ka vendosur caktimin e krijesave, dhe se ajo çka do Ai bëhet e ajo që nuk do nuk mund të ndodhë. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Me të vërtetë që Ne e kemi krijuar çdo gjë me kader (paracaktimi hyjnor i të gjitha gjërave para krijimit të tyre, shkruar në librin e ruajtur hyjnor të vendimeve për çdo ndodhi të çdo gjëje – El-leuh el-mahfudh).” |Kamer: 49|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe gjithnjë urdhëri i Allahut është vendim i detyruar.” |Ahzab: 38|

 

Gradët e kaderit (gradët e besimit në caktimin e Allahut) janë katër:

1- Dija:

Ne besojmë se Allahu i Madhëruar është i mirënjohur për çdo gjë. Di atë çfarë ka qenë, atë që është dhe si është me dijen e Tij të përhershme e pafillim. Nuk mëson diçka pas mosdijes dhe nuk harron pas dijes (sepse dija e Tij është e plotë dhe e përhershme – sh.p.).

2- Shkrimi:

Besojmë se Allahu ka shkruar në El-leuhul mahfudh (libri ku janë shkruar të gjitha caktimet e krijesave – sh.p.) çdo gjë deri në ditën e gjykimit. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “A nuk e dini se Allahu di gjithçka që është në qiell dhe në tokë dhe tërë ajo është e shënuar në libër (Leuhel mahfudh). Dhe sigurisht që kjo është e lehtë për Allahun.” |Haxh: 70|

Gjithashtu ka thënë: “(Faraoni) Tha: Po për brezat e parë ç’thoni? (Musai) Tha: Dija për ta është me Zotin tim në shkresën e duhur. Zoti im as nuk është i pavetëdijshëm dhe as nuk harron.” |Ta Ha: 51-52|

Gjithashtu ka thënë: “… gjithçka që Ne kemi shënuar në llogari (si dëshmi) në librin e qartë.” |Ja Sin: 12|

Në këtë caktim hyn:

a) Caktimi i hershëm para se të krijonte qiejt dhe tokën. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaj: Kurrë nuk do të na ndodhë gjë përveçse çfarë Allahu ka përcaktuar për ne.” |Teube: 51|

b) Shkrimi i premtimit (që ka marrë Allahu i Madhëruar nga njerëzit) ditën kur ka thënë: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” |Surja A’raf: 172|

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “(Përkujtoni) Edhe  kohën kur Zoti yt bëri të lindë nga bijtë e Ademit nga  kërbishtja e tyre farën e tyre (ose nga kërbishtja e Ademit sollëm pasardhësit e tij), dhe i bëmë ata të dëshmojnë për veten e tyre (duke u thënë): A nuk jam Unë Zoti juaj? Ata thanë: Po, padyshim që edhe ne dëshmojmë! (Kjo) Që të mos thoni në ditën e ringjalljes: Në të vërtetë ne nuk e kemi ditur këtë.” |A’raf: 172|

c) Caktimi që ndodh një herë në jetë:

Ai ndodh atëherë kur lëngu që del nga burri merr formë në mitër, atëherë dërgohet engjëlli. Ai fryn shpirtin në copën e mishit (në trupin e pashpirt të fëmijës – sh.p.) dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra: furnizimin e tij, jetëgjatësinë e tij, punën e tij dhe se a ka për të qenë prej të gëzuarve apo prej të dëshpëruarve.

d) Caktimi vjetor që ndodh në natën e Kadrit. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Në këtë (natë) vendoset çdo çështje e vullnetit dhe urdhëresave (për vitin tjetër).” |Duhan: 4|

Ka thënë Ibën Abasi: “Shkruhet nga umul kitab (leuhul mahfudhi) në natën e Kadrit çfarë do të ndodhë në atë vit. Shkruhen; vdekja, jeta, furnizimi, shiu, deri edhe haxhinjtë (emrat e tyre). Thuhet: Do të bëjë haxh (pelegrinazhi i përvitshëm për në Mekë) filani e filani.”

e) Caktimi ditor:

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ai në çdo moment është i angazhuar në ndonjë çështje.” |Rrahman: 29|

Caktimi ditor është shtjellim i caktimit vjetor. Caktimi vjetor është shtjellim i caktimit që ndodh një herë në jetë kur merr formë lëngu që del nga burri (në mitrën e gruas). Ky i fundit është shtjellim i caktimit që ndodh një herë në jetë ditën kur merret premtimi. Ky i fundit është shtjellim i caktimit të hershëm të cilin e ka shkruar lapsi në leuhul-mahfudh. Ky libër bën pjesë në dijen e Allahut të Madhëruar.

Gjithashtu, përfundimi i caktimeve (të krijesave) bën pjesë në dijen e Allahut. Dijen e Tij nuk e paraprin asgjë dhe nuk ndodh në të ardhmen asgjë pa dijen e Tij. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe se tek Zoti yt është fundi (kthimi i çdo gjëje).” |Nexhm: 42|

3- Dëshira:

Ne besojmë se Allahu i Madhëruar ka dëshiruar çdo gjë që ndodh në tokë e në qiej. Asgjë nuk ndodh pa dëshirën e Tij. Ndodh ajo çka Ai do kurse ajo që nuk dëshiron Ai nuk realizohet. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Sigurisht që urdhëri i Tij kur dëshiron një gjë është vetëm t’i thotë “Bëhu!” – dhe ajo është e bërë (në çast).” |Ja Sin: 82|

Gjithashtu ka thënë: “Po të kishte dashur Allahu ata nuk do të kishin luftuar kundër njëri-tjetrit, por Allahu bën çfarë dëshiron.” |Bekare: 253|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe po të kishte dashur Allahu, Ai do të mund t’i kishte mbledhur të gjithë bashkë në udhëzim të vërtetë.” |En’am: 35|
Gjithashtu ka thënë: “Po të dëshironte Zoti yt padyshim që do ta kishte bërë njerëzimin një umet (një popull që të ndiqte një fe – Islamin).” |Hud: 118|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe sikur të kishim dashur sigurisht që Ne do t’i kishim dhënë çdo njeriu udhëzimin e tij, por u vendos e do të vërtetohet fjala Ime (për keqbërësit) se Unë do ta mbush Xhehenemin me xhinde e njerëz.” |Sexhde: 13|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe Allahu nuk është i tillë që t’i shpëtojë ndonjë gjë në qiej ose në tokë; padyshim që Ai është kurdoherë i Gjithëdituri, Mbizotëruesi i Gjithëfuqishëm.” |Fatir: 44|

4- Grada e krijimit:

Allahu i Madhëruar ka krijuar çdo veprues dhe veprën e tij, çdo lëvizës dhe lëvizjen e tij, çdo moslëvizës dhe moslëvizjen e tij. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ndërsa Allahu u ka krijuar juve dhe çfarë bëni e veproni!” |Saffat: 96|

Gjithashtu ka thënë: “Allahu është Krijues i çdo sendi dhe Ai është Uekil (Kujdestar, Ruajtës, Rregullues) mbi gjithçka.” |Zumer: 62|

Por ne besojmë gjithashtu që robërit (e Allahut) kanë fuqi për veprat e tyre dhe zgjedhje. Në të njëjtën kohë; besojmë se Allahu i Madhëruar i ka krijuar ata, zgjedhjen e tyre, forcën e tyre, fjalët dhe veprat e tyre. Fjalët dhe veprat e tyre i përngjiten atyre realisht, dhe duke u bazuar mbi këtë gjë ata shpërblehen dhe dënohen në bazë të veprave të tyre. Ata nuk mund të bëjnë gjë tjetër përveç asaj që i ka caktuar Allahu i Madhëruar dhe nuk dëshirojnë (zgjedhin) pa dëshiruar Allahu. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Vërtet që këto (vargje të Kuranit) janë këshillë përkujtuese, kështu që të dojë le të marrë udhë drejt Zotit të tij! Por ju nuk mund të dëshironi pos nëse do Allahu. Vërtet që Allahu është kurdoherë i Gjithëditur, më i Urti Gjykues.” |Insan: 29- 30|

Gjithashtu ka thënë: “Vërtet që ky (Kurani) s’është tjetër pos përkujtues për botët (gjithë njerëzimin dhe xhindet), për këdo prej jush që dëshiron të eci drejt. E ju nuk do të dëshironi po të mos jetë se dëshiron Allahu – Zoti i botëve.” |Tekuir: 27-29|

Gjithashtu ka thënë: “Allahu nuk e rëndon askënd mbi mundësitë që ai ka. Secili merr shpërblim për atë (të mirë) që ka fituar dhe secili merr dënim për atë (të keqe) që ka fituar. Zoti ynë! Mos na ndëshko në qoftë se harrojmë apo biem në gabime; Zoti ynë! Mos na ngarko me barrën e atyre të cilët i detyrove para nesh (jehuditë dhe të krishterët); Zoti ynë! Mos na ngarko me barrë më të rëndë sesa kemi mundësi për të (që ta mbajmë). Na fal neve, na liro nga gjynahet dhe kij mëshirë për ne. Ti je Mbrojtësi ynë, pra na ndihmo dhe na jep fitore mbi popullin mosbesimtar.” |Bekare: 286|

Gjithashtu ka thënë: “Ky është Xheneti që u është dhënënë trashëgim për atë që keni vepruar.” (Zuhruf: 72). Pra, si rrjedhojë e veprave.

Gjithashtu ka thënë: “Dhe shijoni vuajtjet e përhershme për çfarë punuat.” |Sexhde: 14|

Gjithashtu ka thënë: “Kësisoj, kushdo që bën mirësi qoftë sa një thërrmijë do ta shohë atë. Dhe kushdo që bën keq qoftë sa një thërrmijë do ta shohë atë.” |Zelzele: 7-8|

Gjithashtu, besojmë se caktimi që ka paraprirë nuk pengon nga punimi i veprave, ashtu siç nuk çon për tek mbështetja te caktimi. Për këtë shkak iu tha të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kur i njoftoi shokët e tij për paraprirjen e caktimeve, të ndodhurit e tyre dhe tharjen e lapsit (ka për qëllim që caktimet janë shkruar dhe nuk ndryshohen më):

“A të mbështetemi te libri ynë dhe të lëmë veprën? Ai ia ktheu: Jo, punoni. Secilit i lehtësohet (vepra që i është caktuar).

Pastaj lexoi: “Sa i përket atij që jep (për hir të Allahut) dhe plotëson detyrimin ndaj Allahut, i frikësohet Atij, beson dhe e vërteton në më të mirën, atëherë Ne do t’ia bëjmë atij të lehtë rrugën. Por ai i cili është koprrac i etur, e mendon veten të pavarur (nga Zoti) dhe përgënjeshtron më të mirën), atëherë Ne do t’ia bëjmë atij të lehtë udhën për të keqen (të vështirën).” |Lejl: 5-10|

Caktimet kanë shkaqe të cilat të çojnë për tek ta. Vepra e mirë është shkak për hyrjen në Xhenet dhe vepra e keqe për hyrjen në zjarr, ashtu siç është martesa shkak për lindjen e fëmijës dhe plugimi (i tokës – sh.p.) për kultivimin.

 

Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.

Shkroi: Abdus-Selam ibn Berxhes AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...