Besimi ynë në lidhje me të dërguarit

July 19, 2022

Besimi ynë në lidhje me gjithë të dërguarit është se ata:

-e përcollën mesazhin me të cilin u dërguan,

-e përmbushën amanetin me të cilin u ngarkuan,

-e këshilluan popullin e tyre,

-i larguan errësirat e shirkut,

-dhe u përpoqën në maksimum në rrugën e përcjelljes së fesë derisa u erdhi vdekja.

Allahu i dërgoi të dërguarit për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat për në dritë; nga errësirat e kufrit për në dritën e besimit; nga errësirat e shirkut për në dritën e teuhidit; nga errësirat e injorancës për në dritën e dijes. Allahu në librin e Tij thotë: “Ne e dërguam Musain me shenjat Tona (dhe i thamë): Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut! Vërtet, në këtë ka shenja për çdo njeri që është i durueshëm dhe falënderues.” [1]
I Madhëruari i thotë të Dërguarit tonë (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed) për t’i nxjerrë njerëzit me lejen e Zotit të tyre nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd.” [2]
I Madhëruari në përshkrimin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Juve u erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe që fal shumë. Juve u erdhi prej Allahut dritë dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” [3]
Zoti i plotfuqishëm me mirësinë, bujarinë dhe mëshirën e Tij, dërgoi të dërguarit dhe u zbriti shpalljen atyre për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë. I Madhëruari thotë: “Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë dhe Ai i nxjerr nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr nga drita dhe i shpie në errësirë. Këta janë banorët e zjarrit (të Xhehenemit) ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” [4]

“Pasqyrimi i historive Kuranore; mësime, këshilla dhe dobi.”

Shejh Ebu Islami (Allahu e mëshiroftë).

Përktheu: Unejs Sheme

———————————————–

[1] Surja Ibrahim: 5.
[2] Surja Ibrahim: 1.
[3] Surja El-Maideh: 15-16.
[4] Surja El-Bekare: 257.

Loading...