Besimtarët kanë për ta parë Zotin e tyre në botën e amshueshme

Pasuesit e sunetit dhe xhematit (ehlus-sunneh uel-xhemah) besojnë se kënaqësia më e madhe që do përjetojnë banorët e Xhenetit, është shikimi te Zoti i tyre në botën Tjetër me sytë e tyre. Ata e vizitojnë Atë, Ai do u flasë atyre dhe ata do i flasin Atij. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë disa fytyra do të shkëlqejnë dhe Zotin e tyre do ta shohin.” El-Kijjameh: 22-23.

Ata do e shohin të Lartmadhëruarin ashtu siç shohin hënën e plotë duke mos u shtyrë në shikimin e Tij, sshtu siç ka njoftuar Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) për këtë gjë. Ai ka thënë: “Ju do ta shihni Zotin tuaj ashtu siç shihni hënën kur është e plotë, dhe nuk do të shtyheni në shikimin e Tij.” Mutefekun alejhi.

Pasuesit e sunetit dhe xhematit (ehlus-sunneh uel-xhemah) besojnë se Allahu i Lartmadhëruar zbret në qiellin e dynjasë kur ka mbetur një e treta e fundit të natës. Ai zbret ashtu siç i përshtatet Krenarisë dhe Madhështisë së Tij, duke mos pyetur për formën dhe mënyrën se si zbret. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Zoti ynë zbret çdo natë në qiellin e dynjasë kur ka mbetur një e treta e fundit të saj (natës), dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet që Unë t’i përgjigjem atij? A ka ndonjë që kërkon prej Meje që Unë t’i jap? A ka ndonjë që më kërkon falje që Unë ta fal atë?” Mutefekun alejhi.

Pasuesit e sunetit dhe xhematit (ehlus-sunneh uel-xhemah) besojnë se Allahu i Lartësuar vjen ditën e Kiametit dhe engjëjt radhë pas radhe, për të ndarë mes robëve dhe për të gjykuar mes tyre. Ai vjen ashtu si i përshtatet Krenarisë dhe Madhështisë së Tij, duke mos pyetur për formën dhe mënyrën se si vjen. Ashtu siç e ka përshkruar Ai veten e Tij në Librin e Tij duke thënë: “Kur Toka të bëhet copë e thërrime, kur të vijë Zoti yt me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe.” El-Fexhr: 21-22.

Dhe fjala e të Madhëruarit: “Apo mos presin[1] që t’u vijë Allahu përmes hijeve të reve bashkë me engjëjt,[2] dhe të përfundojë gjithçka?![3]” El-Bekare: 210.

 

“El-Uexhiz fi akideh es-selefis-salih ehlus-sunneh uel-xhemah”.

Abdullah bin Abdulhamid el-Etherij

Përktheu: Unejs Sheme

—————————————————-

[1] Ata të cilët përgënjeshtrojnë Muhamedin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe fenë e tij, që bëjnë prishje në tokë, që ndjekin rrugët e shejtanit.

[2] Ky është një kërcënim i fortë dhe i ashpër nga i cili zemrat dalin nga gjoksi. Allahu thotë: “A mos presin ata të cilët përgënjeshtrojnë Muhamedin dhe bëjnë prishje në tokë që t’u vijë dita e shpërblimit për veprat e tyre?! Ditë në të cilën Allahu i palos qiejt dhe tokën, shpërndan planetet dhe yjet, rrumbullakos diellin dhe hënën së bashku, zbresin engjëjt dhe rrethojnë të gjitha krijesat, dhe zbret Krijuesi i Lartëmadhëruar “përmes hijeve të reve” për të gjykuar mes robërve të Tij me gjykim të drejtë.” Ky ajet dhe të tjerë si ai janë argument për rrugën e pasuesve të sunetit dhe xhematit, të cilët i pohojnë të gjitha atributet vullnetare të Allahut, siç është; qëndrimi mbi Arsh, zbritja, ardhja, e të tjera cilësi të Allahut për të cilat ka njoftuar Ai dhe i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Pasuesit e sunetit i pohojnë këto cilësi dhe atribute të Allahut ashtu si i përshtatet Madhështisë dhe Përsosmërisë së Tij, pa i krahasuar e ngjasuar me ato të krijesave dhe pa i devijuar nga domethënia e tyre. Kjo në kundërshtim me mohuesit dhe sakatuesit e tyre të rrymave të ndryshme, siç janë; xhehmijet, mutezilitë, esharitë etj.

Shejh Abdurrahman es-Sadi (Allahu e mëshiroftë).

[3] Ka përfunduar llogaria mes krijesave me drejtësi.