Çështje që lidhen me dispozitat e haxhit dhe umras

Çështje që lidhen me dispozitat e haxhit dhe umras

Pjesa e dytë

Argumentet që tregojnë për obligueshmërinë e umrës

Transmetohen disa hadithe që tregojnë për obligueshmërinë e kryerjes së umras. Prej tyre përmendim:

  1. Fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në përgjigjen që i ktheu Xhibrilit kur e pyeti në lidhje me Islamin:

الإسلام أن تشهد أن لا إله إلا الله وأن محمدا رسول الله وتقيم الصلاة وتؤتي الزكاة وتحج البيت وتعتمر وتغتسل من الجنابة وتتم الوضوء وتصوم رمضان

Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër i cili meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të kryesh haxhin në Shtëpinë e Shenjtë dhe umran, të lahesh nga xhunubllëku, të plotësosh abdesin (në formën më të mirë) dhe të agjërosh muajin e Ramazanit.”[1]

  1. Hadithi i Aishes radijAllahu anha e cila ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, a ka për gratë xhihad?” Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha:

عليهن جهاد لا قتال فيه: الحج والعمرة

Për to ka xhihad në të cilin nuk ka luftë,që është haxhi dhe umra.”[2]

Haxhi dhe umra janë obligim një here, e bërja sa më shumë e tyre Sunet

Haxhi dhe umra nuk janë obligim përveçse një herë të vetme, bazuar në fjalën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në hadhin autentik:

الحج مرة فمن زاد فهو تطوع

Kryerja e haxhit është detyrë vetëm një herë (në jetë). Kush e bën më tepër, ai e bën vullnetarisht.”[3]

  1. Sunet është bërja sa më shumë e haxhit dhe umras nafile. Bazuar në atë që saktësohet në dy librat e saktë të hadithit nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

العمرة إلى العمرة كفارة لما بينهما والحج المبرور ليس له جزاء إلا الجنة

Nga umra në umra ka falje gjynahesh ndërmjet tyre, ndërsa haxhi i pranuar (i kryer sipas rregullave) nuk ka shpërblim tjetër veçse xhenetin.”[4]

 Obligueshmëria e pendimit ndaj mëkateve

Kur muslimani vendos për të udhëtuar për kryerjen e haxhit apo umras, janë të pëlqyeshme këto veprime:

  1. Ta porosisë familjen dhe shokët e tij për devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar; devotshmëria është kryerja e obligimeve që Allahu i ka urdhëruar dhe largimi nga gjërat që Ai i ka ndaluar.
  1. Të lërë testament për borxhet që ka ose që të tjerët i kanë ndaj tij, në prani të dëshmitarëve.[5]
  1. Është detyrë për të që të shpejtojë për t’u penduar sinqerisht nga të gjitha mëkatet. Bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: “O ju besimtarë, pendohuni të gjithë tek Allahu me qëllim që të jeni të shpëtuar.”[6] Pendimi i vërtetë është lënia e mëkateve,[7] ndjenja e keqardhjes ndaj mëkateve të bëra dhe të vendosësh se nuk do kthehesh më në to.
  1. Nëse ai u ka bërë padrejtësi njerëzve në jetën, pasurinë, apo nderin e tyre, kërkohet që t’ua kthejë dhe t’u kërkojë hallallin para se të niset për udhëtim. Bazuar në atë që saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i cili ka thënë: “Kush i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij në pasuri apo nder, le t’i kërkojë hallallin sot para se të vijë një ditë kur nuk bën dobi dinari e as dërhemi. Por nëse ai ka vepra të mira, do t’i merren në varësi të padrejtësisë që ka bërë. E nëse nuk ka, nga ai që i është bërë padrejtësi do merren veprat e këqija dhe do i jepen atij që ka bërë padrejtësi.”[8]

Kryerja e haxhit dhe umrës duhet të jetë me pasuri hallall

Kërkohet nga personi që për haxhin dhe umrën e tij të zgjedhë pasuri hallall. Saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë:

إن الله تعالى طيب لا يقبل إلا طيبا

Me të vërtetë, Allahu Madhëruar është i mirë dhe nuk pranon veçse të mirën.”[9]

Transmeton Et-Taberani nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

إذا خرج الرجل حاجا بنفقة طيبة ووضع رجله في الغرز فنادى لبيك اللهم لبيك ناداه مناد من السماء لبيك وسعديك زادك حلال وراحلتك حلال وحجك مبرور غير مأزور وإذا خرج الرجل بالنفقة الخبيثة فوضع رجله في الغرز فنادى لبيك اللهم لبيك ناداه مناد من السماء لا لبيك ولا سعديك زادك حرام ونفقتك حرام وحجك غير مبرور

“Kur personi niset për të kryer haxhin me pasuri hallall, sapo vendos këmbën e tij në “El-Garzi”[10] dhe thotë: “Lebbejke Allahumme lebebejk”, një thirrës thërret nga qielli: “Iu përgjigja thirrjes tënde dhe pranë teje jam! Shpenzimi yt është hallall, mjeti i udhëtimit është hallall dhe haxhi yt është i pranuar.” Ndërsa kur niset për kryerjen e haxhit me pasuri të keqe (jo hallall), në momentin kur vendos këmbën e tij në “El-Garzi” dhe thotë: “Lebbejke Allahumme lebbejk”, një thirrës thërret nga qielli: “Nuk i përgjigjem thirrjes tënde dhe nuk jam pranë teje. Mjeti i udhëtimit është haram, shpenzimi yt është haram dhe haxhi yt nuk është i pranuar.”[11]

Haxhiu nuk duhet të lakmojë atë që posedojnë njerëzit

Kërkohet nga haxhiu të jetë i panevojshëm nga ajo që posedojnë njerëzit (mos të jetë lakmues) dhe ta ruajë dinjitetin e tij duke mos u kërkuar atyre, bazuar në argumentet si vijojnë: Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

ومن يستعفف يعفه الله ومن يستغن يغنه الله

Kush e ruan dinjitetin e tij, Allahu ia shton atë e kush nuk e lakmon atë që posedojnë të tjerët, Allahu do e pasurojë atë.”[12]

Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

لا يزال الرجل يسأل الناس حتى يأتي يوم القيامة وليس في وجهه مزعة لحم

Njeriu vazhdon të kërkojë nga të tjerët derisa vjen Ditën e Kiametit duke mos pasur mish në fytyrën e tij.”[13]

Obligueshmëria e të qenit i sinqertë

Është detyrë për haxhiun që me haxhin dhe umran e tij të ketë për qëllim Fytyrën e Allahut dhe botën tjetër.

Po ashtu, të afrohet tek Allahu me gjërat që i pëlqejnë Atij, prej fjalëve dhe veprave, në këto vende të shenjta.

Po ashtu, të bëjë kujdes të madh që me haxhin dhe umran e tij mos të ketë për qëllim dynjanë dhe llumin e saj,[14] syefaqësinë, famën dhe mburrjen, sepse kjo është prej qëllimeve më të këqija dhe shkak për asgjësimin e veprave e mospranimin e tyre.

Thotë i Madhëruari:

مَنْ كَانَ يُرِيدُ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا وَزِينَتَهَا نُوَفِّ إِلَيْهِمْ أَعْمَالَهُمْ فِيهَا وَهُمْ فِيهَا لَا يُبْخَسُونَ (15) أُولَئِكَ الَّذِينَ لَيْسَ لَهُمْ فِي الْآَخِرَةِ إِلَّا النَّارُ وَحَبِطَ مَا صَنَعُوا فِيهَا وَبَاطِلٌ مَا كَانُوا يَعْمَلُونَ (16)

Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.”[15]

Dhe thotë:

مَنْ كَانَ يُرِيدُ الْعَاجِلَةَ عَجَّلْنَا لَهُ فِيهَا مَا نَشَاءُ لِمَنْ نُرِيدُ ثُمَّ جَعَلْنَا لَهُ جَهَنَّمَ يَصْلَاهَا مَذْمُومًا مَدْحُورًا (18) وَمَنْ أَرَادَ الْآَخِرَةَ وَسَعَى لَهَا سَعْيَهَا وَهُوَ مُؤْمِنٌ فَأُولَئِكَ كَانَ سَعْيُهُمْ مَشْكُورًا (19)

Sa për atë që dëshiron këtë botë, Ne shpejtojmë që t’i japim çfarë të dëshirojmë atij që duam. Pastaj ia caktojmë atij Xhehenemin, në të cilin ai do të përvëlohet, duke qenë i turpëruar dhe i dëbuar. Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet.”[16]

Saktësohet nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Allahu i Madhëruar thotë:

أنا أغنى الشركاء عن الشرك من عمل عملا أشرك معي فيه غيري تركته وشركه

Unë jam i panevojshëm të më shoqërohet diçka. Kush vepron një vepër duke më shoqëruar edhe të tjerë në të, e braktis atë me shirkun (shokvënien) e tij.”[17]

Vijon..

Burimi: “Et-Tahkik uel-Ijdah likethir min mesail el-haxh uel-umra uez-zijarah

Autor: Shejh Abdulaziz bin Abdullah bin Baz (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Ibën Huzejme dhe Ed-Darakutni prej hadithit të Umer bin Hatabit radijAllahu anhu. Ed-Daraktuni ka thënë: “Ky zinxhir është autentik.”

[2] Ahmedi dhe Ibën Maxhe me zinxhir autentik. Hadith e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!). Ibën Maxheh (2901) dhe “Irvaul Galil” (981).

[3] Ahmedi në “El-Musned” nr. 2304, Ebu Daudi në “Sunenin” e tij nr. 1721, En-Nesai me tekst të përafërt me nr. 2620 etj. Hadith e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu Sunneni Ebi Daud” (1/483).

[4] Buhariu me nr. 1773 dhe Muslimi me nr. 1349.

[5] Transmetohet nga Abdullah bin Umer radijAllahu anhuma se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Është e drejta e muslimanit që nëse ka diçka për të lënë amanet (uasijeh), mos të kalojnë dy net (në një transmetim: tri net) vetëm se ta ketë të shkruar testamentin.” Nafiu ka thënë: “Kam dëgjuar Abdullah bin Umer radijAllahu anhuma të thotë: “Nuk kaloi një natë pas asaj që dëgjova nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, veçse testamentin e kisha gati.” Buhariu (2738) dhe Muslimi (1627).

[6] En-Nur, 31.

[7] Ky është kushti bazë për pendimin.

[8] Buhariu dhe Ahmedi.

[9] Muslimi me nr. 1015.

[10] Është pjesa e lidhur me samarin e kafshës ku njeriu vendos këmbën për të hipur mbi kafshë.

[11] Hadithn e ka bërë daif (të dobët) shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Daifu et-Tergib uet-Terhib”, ku thotë: “Daif xhiden (shumë i dobët).” Shih. (1/352) nr. 711.

[12] Buhariu (1469) dhe Muslimi (1053).

[13] Buhariu me nr. 1475 dhe Muslimi me nr. 1040.

[14] Transmetohet nga Prijësi i besimtarëve, Ebu Hafsa (Umer bin el Hatabi) radijAllahu anhu, se ka thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Me të vërtetë, veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdo njeri do të marrë atë që ka pasur për qëllim. Kush emigron tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, emigrimi e tij do të jetë tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Ndërsa kush emigron për ndonjë interes të kësaj bote, apo për ndonjë grua që të martohet me të, emigrimi e tij do të jetë tek ajo që ai ka synuar.” Buhariu dhe Muslimi.

[15] El-Hud, 15-16.

[16] El-Isra, 18-19.

[17] Muslimi me nr. 2985.