Falënderimet i takojnë vetëm Allahut! Paqja dhe nderimet e Tij qofshin mbi Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, mbi shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit!
Së pari: Novruzi është fjalë persiane e arabizuar, dhe në origjinën e saj ka kuptimin “Një ditë e re”.
Kjo ditë është nga festat më të mëdha persiane. Thuhet se i pari që e ka festuar ishte Xhemshidi, njëri nga mbretërit e hershëm persian që ndryshe e kanë quajtur edhe Xhemshad.
Novruzi është dita e parë e vitit persian dhe si e tillë kremtohet edhe pesë ditë më pas. Është fakt se Novruzin e festojnë edhe koptët (kristianët) e Egjiptit, dhe ajo konsiderohet si dita e parë e vitit të tyre. Kjo ditë tek ata njihet me emrin Festa e pashkëve (kopte).
Imam Dhehebiu në librin e tij me titull “Teshebuh el hasijs” fq. 46, thotë: “Përsa i përket Novruzit duhet ditur se egjiptianët i kalojnë kufijtë dhe e festojnë atë, edhe pse ajo është dita e parë e vitit të koptëve. Ata e kosiderojnë si festë dhe muslimanët i imitojnë në këtë kremtim.” [Marrë nga revista e Universitetit Islamik të Medines, me nr. 103-104.]
Së dyti: Muslimanët nuk kanë festa të tjera pos festës së Kurban Bajramit dhe Fitër Bajramit. Festat e tjera konsiderohen të shpikura dhe nuk lejohet kremtimi i tyre.
Ebu Daudi 1134 dhe Nesaiu 1556 përcjellin nga Enesi, i cili tregon: “Kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem mbërriti në Medine, banorët e saj festonin dy ditë në të cilat loznin dhe dëfreheshin. Ai u tha: Çfarë janë këto dy ditë? – Ata thanë: Janë ditë në të cilat loznim dhe dëfreheshin në kohën e injorancës (para Islamit). I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem u tha: Vërtet Allahu ua ka zëvendësuar ato dy ditë me dy ditë të tjera më të mira, me ditën e Kurban Bajramit dhe ditën e Fitër Bajramit.” Këtë hadith e saktëson Albani në “Vargu i haditheve të sakta” me nr. 2021.
Në festat e shpikura përfshihen: Festa e Novruzit, festa e nënës, ditëlindja, dita e pavarësisë etj. Nëse një festë në origjinë rrjedh nga festat e mohuesve – siç është në rastin tonë Novruzi -, atëherë çështja është më e rrezikshme dhe më madhore.
Festa e Novruzit është festë injorance të cilën e kremtonin persët para se t’iu vinte Islami. Është ditë që e festojnë edhe të krishterët, prandaj ndalimi bëhet edhe më i fortë për shkak të imitimit që mund tu bëjmë atyre.
Imam Dhehebiu në librin me titull “Et-temesuk bis-sunen” (Të kapurit pas traditës profetike), thotë: “Sa i përket imitimit të të krishterëve në festën e krishtlindjeve, ditës së enjte apo Novruzit, të gjitha këto janë festa të shpikura dhe të shëmtuara.
Nëse një besimtar e feston Novruzin me idenë se është festë fetare (islame), atëherë ai konsiderohet injorant dhe duhet t’i tërheqim vërejtje dhe ta mësojmë. Nëse feston nga dashuria që ka për të krishterët që jetojnë në vendin e tij dhe për të treguar gëzim para tyre, edhe kjo vepër është e nënçmuar. E nëse feston nga zakoni, apo për tu dëfryer, për të kënaqur familjen e tij, apo për të gëzuar fëmijët, kjo duhet parë sepse veprat vlerësohen sipas nijeteve (qëllimeve). Injoranti justifikohet dhe i sqarohet çështja me butësi. Allahu e di më së miri!” [Marrë nga revista e Universitetit Islamik të Medines me nr. 103-104.]
Në enciklopedinë e jurisprudencës Islame thuhet: “Imitimi i mohuesve në festat e tyre nuk lejohet, kjo bazuar në hadithin e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem që thotë: “Kush imiton një popull, ai është prej tyre.” Nga kjo kuptojmë largimin që muslimanët duhet të kenë nga aprovimi i atyre gjërave me të cilat janë veçuar jobesimtarët. [“El Meusuatul fikhije” 7/12.]
Përcillet nga Abdullah bin Umeri se ka thënë: “Kush shkon në vendet e të huajve (jobesimtarëve) dhe kremton festën e Novruzit të tyre apo festa të tjera, dhe i imiton ata derisa vdes duke qenë në këtë gjendje, ai do të ringjallet bashkë me ta në ditën e gjykimit.” Allahu na ruajt!
Shejh ibën Xhibrini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk lejohet kremtimi i festave të shpikura si p.sh.: Festa e krishtlindjeve, Novruzi, apo disa festa që i kanë shpikur muslimanët për ditëlindjen e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në muajin Rabiul Euel, Israja dhe Miraxhi etj. Nuk lejohet të konsumohet ushqimi që kanë përrgatitur të krishterët apo idhujtarët për festat e tyre. Nuk lejohet tu përgjigjemi ftesave të tyre kur i kremtojnë, sepse përgjigja i inkurajon ata dhe është miratim i veprimeve të shpikura që bëjnë. Gjithashtu, kjo bëhet shkak që injorantët të mashtrohen dhe të mendojnë se këto festa nuk kanë ndonjë problem. Allahu e di më së miri.” [“El lu’lu el mekijn” fq. 27.]
Si përfundim themi: Muslimanit nuk i lejohet të festojë ditën e Novruzit e as ta veçojë atë me kremtime, ushqime apo dhurata. Allahu e di më mirë!
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Dita e Gjykimit
Të Ngjashme
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Gjykimi i magjisë dhe fallit Udha e Besimtarëve
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen
- A lejohet të merret rroga nëpërmjet bankës? Shejh Alij ibn Hasen el-Halebij