Çfarë është shkenca e synimeve të sheriatit dhe përse shërben ajo?
Synimet e fesë së Allahut, dhe të rregullave që Ai ka vendosur i kanë sqaruar dijetarët më të mëdhenj të fesë. Prej tyre, Izzuddin ibn Abdisselam – Allahu e mëshiroftë – i cili ka shkruar një libër të mrekullueshëm me titull: “El kauaidul kubra” (Rregullat e mëdha të fesë) ose “Kauaidul ahkam li islahil enam” (Parimet e mëdha për rregullimin e jetës së njerëzve), vet titulli i librit të fut në këtë temë.
Thotë në të: “Qëllimi me përpilimin e këtij libri është: bërja e qartë e përfitimit që sjellin adhurimet për njeriun, dhe dobitë që vijnë prej dispozitave fetare që rregullojnë marrëdhëniet mes njerëzve (qofshin ato shkëmbim i të mirave materiale apo, martesa e ç’ka lidhet me të, normat e mirësjelljes mes të gjithë njerëzve, duke filluar nga prindërit dhe fëmijët, e deri tek fqinjët, e deri edhe atë që njeriu nuk e njeh fare por ka mbetur në mes të rrugëve e s’arrin dot në shtëpinë e tij). Dhe dobitë që vijnë prej të gjitha veprimeve fetare të kërkuara nga njeriu, në mënyrë që ai të përpiqet për realizimin e tyre.
Dhe sqarimin e dëmeve që vijnë prej ndalesave fetare (harameve) në mënyrë që njerëzit tu shmangen atyre, dhe sqarimin e të mirave që vijnë prej gjërave të lejuara, në mënyrë që njerëzit të jenë të lirë të zgjedhin prej tyre çfarë të duan.
Dhe sqarimin e asaj se kujt i jepet përparësi prej përfitimeve (kur nuk i bën dot të gjitha, apo duhet të zgjedhësh njërën prej tyre) dhe cilën prej të këqijave duhen shmangur më së pari (nëse nuk i shmang dot të gjitha), të gjitha këta në suazat e asaj që është e mundshme për njerëzit, e jo ato që s’janë të mundshme për ta e nuk i arrijnë dot.”
Pastaj tregon natyrën e kësaj feje me gjithë rregullat e saj duke thënë: “I gjithë sheriati është këshilla, ose për të shmangur gjërat e dëmshme ose për të arritur gjërat e dobishme.”
Pra të gjitha synimet e fesë autori i ktheu në dy gjëra: shtimin e përfitimeve për njerëzit dhe largimin e gjërave që i dëmtojnë ata. Madje tek e para futet edhe e dyta, prandaj mund të thuhet se e gjithë feja është në të mirë të njeriut.
Dhe e shtjelloi më shumë këtë edhe dijetari i madh që është angazhuar me këtë shkencë, Alal el Fasij duke thënë: “Synimi i përgjithshëm i sheriatit islam është: gjallërimi (ndërtimi) i tokës dhe ruajtja e sistemit të jetesës së përbashkët në të, dhe vazhdimësia e jetesës në tokë nëpërmjet vazhdimësisë së llojit njerëzor (mbrojtjes së njeriut nga shkatërrimi që mund t’i bëjë tokës apo vetes së tij), dhe zbatimi nga ana e tyre e përgjegjësive që u janë ngarkuar (nga Allahu) si: drejtësia, dhe ecja në rrugën e drejtë që Allahu ua ka përcaktuar.
Ashtu siç synon edhe ruajtjen e logjikës së njeriut (duke ja ndaluar alkoolin, drogën dhe çdo gjë që ja merr mendjen, duke e nxitur për tu marrë me dituri të dobishme etj) dhe përmirësimin e veprave, dhe përmirësimin e tokës, nxjerrjen e të mirave të saj, dhe menaxhimin e të mirave të përbashkëta në dobi të të gjithëve (njerëzve, kafshëve, natyrës).
Dhe ajetet kuranore si një tërësi sqarojnë qartas se synimi i dërgimit të të dërguarve dhe profetëve, dhe zbritja e legjislacioneve fetare është: orientimi i krijesave drejt asaj që u bën dobi atyre, dhe që ata të realizojnë detyrën që u është ngarkuar dhe përgjegjësinë (e të qenit robër të vërtetë të Allahut aty ku Ai i ka lënë të lirë).”
Prandaj, nga këtu mund të themi se një nga synimet e sqarimit të dobive të fesë është që njeriu t’i përmbahet asaj me plotë dëshirë, e me kënaqësi, e me bindje intelektuale të plotë, siç thotë Siddik el Kinneuxhij: “Ndërsa synimi i tij (final i sheriatit) është: që njeriu të mos ndjejë siklet për ato gjëra që Allahu dhe i Dërguari i tij kanë gjykuar (kanë urdhëruar) dhe tu dorëzohen plotësisht dispozitave hyjnore, dhe të kenë besim të plotë dhe të jenë të bindur dhe të qetë ndaj tyre tërësisht, dhe t’i ruajnë ato vazhdimisht (tu përmbahen), ashtu që shpirtrat e tyre të tërhiqen drejt tyre totalisht, e të mos shikojnë diçka tjetër si metodologji, apo sistem jetese.”
Shiko: parathënien që i kanë bërë dr. Nezih Kemal dhe dr. Uthman Damirijeh librit “El Kauaidul kubra” të Izzud din bin Abdisselam.
Emin Bilali
Dosje: Çfarë është shkenca e synimeve të sheriatit dhe përse shërben ajo?
Të Ngjashme
- “Do të vdisni ashtu siç flini, dhe do të ringjalleni ashtu siç zgjoheni” Udha e Besimtarëve
- Pse surja “el Bekare” (lopa) mori këtë emër? Udha e Besimtarëve
- Si kthehet selami kur je në namaz? Udha e Besimtarëve
- Renditja e shenjave të mëdha të Ditës së Kijametit Udha e Besimtarëve
- Si e përshkroi Profetin kjo grua beduine Udha e Besimtarëve