Çfarë nënkuptojmë me besimin në të dërguarit e Zotit?

March 8, 2021

Çfarë nënkuptojmë me besimin në të dërguarit e Zotit?

Falënderimi i takon Allahut!

Besimi në të dërguarit e Zotit nënkupton katër gjëra:

1 – Besimi i rrënjosur se Allahu i dërgoi çdo kombi një të dërguar nga mesi i tyre, për t’i ftuar ata që të adhurojnë Allahun e vetëm dhe të mos besojnë asgjë që adhurohet në vend të Tij. Ata (të dërguarit) ishin të gjithë të sinqertë, të vërtetë në fjalë, të drejtë, të mençur, të devotshëm dhe të ndershëm, dhe ata përcollën gjithçka me të cilën Allahu i dërgoi duke mos fshehur dhe ndryshuar asgjë. Ata nuk shtuan as edhe një shkronjë nga vetja e tyre si dhe nuk lanë mangut asgjë.

“Për të dërguarit s’ka tjetër detyrë veçse të shpallin qartë. “ |En-Nahl: 35|

Mesazhi i tyre ishte i njëjtë, nga i pari deri tek i fundit. Ai ishte i bazuar në parimin e teuhidit, d.m.th. që të gjitha llojet e adhurimeve duhet t’i kushtohen vetëm Allahut; besimet, fjalët, veprat, dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut duhet të refuzohet. Argument për këtë janë ajetet Kuranore ku Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne nuk kemi dërguar asnjë të dërguar para teje që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” |El-Enbija: 25|

“Pyeti të dërguarit Tanë që i kemi dërguar para teje, a mos kemi urdhëruar Ne që të adhurohen zota të tjerë përveç të Gjithëmëshirshmit?! ” |Az-Zuhruf: 45|

Në lidhje me detyrat (legjislacionet) me të cilat adhurohet Allahu dhe hollësitë e vogla të legjislacionit, lutjet apo agjërimi, ato mund të jenë urdhëruar për disa kombe dhe jo për të tjerë. Disa gjëra mund të jenë ndaluar për disa dhe janë lejuar për disa të tjerë si një provë nga Allahu i Lartësuar.

“Ai ka krijuar jetën dhe vdekjen për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë. Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” |El-Mulk: 2|

Argument është dhe fjala e Allahut ku thotë: “Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë.” |El-Maide: 48|

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “(Do të thotë) Një rrugë dhe një sunet (traditë).” Muxhahidi, Ikrima dhe shumë nga komentuesit kanë thënë të njëjtën gjë.

Në Sahihun e Buhariut me nr. 3443 dhe Sahihun e Muslimit me nr. 2365 transmetohet se Ebu Hurejra ka thënë: I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Profetët janë si vëllezër nga një baba, ku nënat janë të ndryshme por feja e tyre është një.”  Domethënë se Profetët janë të bashkuar në parimin e teuhidit, mesazhin me të cilin Allahu dërgoi çdo të dërguar dhe të cilin e përfshiu në çdo libër që solli, por ligjet e tyre ndryshojnë sa i përket urdhrave dhe ndalesave, çfarë lejohej dhe çfarë ishte e ndaluar.

Kush nuk beson në mesazhin e njërit prej tyre ai i ka mohuar të gjithë ata, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Populli i Nuhut i përgënjeshtroi të dërguarit.” |Shuara: 105|

Allahu i quajti ata si përgënjeshtrues të të gjithë pejgamberëve, edhe pse nuk kishte të dërguar tjetër përveç Nuhut në kohën kur ata e përgënjeshtruan.

2 – Besimi në ata pejgamberë emrat e të cilëve i njohim, si p.sh.; Muhamedi, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Nuhu (bekimet dhe paqja qoftë mbi të gjithë ata). Ndërsa ata që janë përmendur në përgjithësi emrat e të cilëve nuk i dimë, jemi të detyruar t’i besojmë në  përgjithësi siç thotë Allahu i Lartësuar:

“I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu edhe besimtarët. Të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij. Ata thonë: Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë o Zoti Ynë dhe tek Ti do të kthehemi!” |El-Bekare: 285|

“Edhe para teje (o Muhamed) Ne kemi nisur të dërguar. Për disa prej tyre të kemi treguar e për disa të tjerë nuk të kemi treguar.” |Gafir: 78|

Gjithashtu, ne besojmë se i dërguari i fundit ishte Profeti ynë Muhamedi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, dhe se nuk do të ketë asnjë profet pas tij, siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” |Ahzab: 40|

Buhariu me nr. 4416 dhe Muslimi me nr. 2404 transmetojnë nga Sad bin Ebi Uekasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, doli për në Tebuk dhe caktoi Aliun si zëvendës të tij (në Medine). Aliu tha: A po më le në krye të fëmijëve dhe grave? Profeti, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, i tha: A nuk të pëlqen të jesh për mua si Haruni për Musain, vetëm se nuk do të ketë më profet pas meje?

Allahu e favorizoi atë dhe e veçoi me mirësi të mëdha të cilat nuk ja ka dhënë asnjë profeti tjetër, p.sh.:

1 – Allahu e dërgoi atë tek xhinët dhe njerëzit, ndërsa profetët që erdhën para tij u dërguan vetëm tek njerëzit.

2 – Allahu e ndihmoi kundër armiqve duke futur frikë në zemrat e tyre përgjatë udhëtimit të një muaji.

3 – Toka u bë vend faljeje dhe mjet pastrimi për të.

4 – Preja e luftës u bë e lejuar për të, ndërkohë që nuk ishte e lejuar për asnjë profet para tij.

5 – Atij do t’i jepet grada dhe vendi i nderit dhe i ndërmjetësimit më të madh.

3 – Besimi në lajmet e sakta që janë transmetuar rreth tyre.

4 – Ndjekja e urdhrave të Profetit që na është dërguar dhe përkatësisht profetit të fundit Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, i cili u dërgua për të gjithë njerëzimin. Allahu i Lartësuar thotë:

“Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre. E pastaj të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden plotësisht.” |Nisa: 65|

Duhet të kemi parasysh se besimi në profetët e Zotit sjell fryte të mëdha, e ato janë:

1 – Njohja e mëshirës së Allahut ndaj robërve të Tij dhe kujdesi për ta, pasi Ai u dërgoi të dërguarit për t’i udhëzuar në rrugën e Allahut dhe për t’u treguar se si t’a adhurojnë Atë, pasiqë arsyeja nuk mjafton për t’a ditur.

2 – Falënderimi i Zotit për këtë mirësi të madhe.

3 – Dashuria ndaj tyre dhe ngritja e pozitës në mënyrën që u takon, sepse ata janë të Dërguar të Allahut, e adhuruan Atë, përcollën mesazhin e Tij dhe ishin të sinqertë ndaj robërve të Tij .

Allahu e di më së miri!

Shiko librin “E’alam es-sunetil menshurah” fq. 97-102, si dhe “Sherh usul eth-thelatheh” nga shejh Ibën Uthejmini fq. 95-96.

 

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...