Pyetje: Shpeshherë vërejmë se në Kuranin Famëlartë përmenden shembuj, por uam të dimë në thelb të këtij fenomeni çfarë nxjerrin si dobi?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!
Shejhu i nderuar Shenkiti e ka komentuar fjalën e Allahut:
“Dhe në këtë Kuran Ne kemi sjellë për njerëzit nga çdo shembull, por njeriu shpeshherë ngel duke polemizuar.”
Në brendësi të këtyre shembujve përfitohen mësime, përkujtime dhe qortime të shumta ku në to gjendet e vërteta.
Kuptimin thelbësor të këtyre shejmbujve e arrijnë vetëm ata që kanë logjikë të shëndoshë, siç e përshkruan Allahu në fjalën e Tij: “Dhe këto janë shembuj të cilat nuk arrin t’i kuptojnë vetëm se të dijshmit.”
Prej urtësive kryesore të shembujve në Kuran është fakti se njeriu duhet të marrë mësim prej tyre, siç e përmend Allahu i Madhëruar: “Dhe këta janë shembuj të cilët ua sjellim njerëzve në mënyrë që ata të meditojnë.”
Gjithashtu, Allahu i madhëruar ka sqaruar në Kuran në vende të ndryshme, se me anë të disa shembujve të qartë udhëzon disa njerëz dhe me anë të tyre gjithashtu mund të devijojë disa të tjerë.
Siç është përmendur në fjalën e Tij: “Allahu kurrsesi nuk druhet të sjellë shembuj si puna e mushkonjës apo më lart saj. Ata që besuan e kuptojnë (se këta shembuj) janë pjesë e së vërtetës nga Zoti i tyre. Kurse përsa u përket atyre që mohuan, pyesin: ‘Çfarë ka patur Allahu për qëllim?’ Me anë (të këtyre shembujve) Allahu devijon shumë prej tyre dhe po me anën e tyre udhëzon plot të tjerë. Pa dyshim se nuk devijojnë vetëm se të shthururit.”
Pa dyshim! Ata të cilët iu përgjigjën Zotit të tyre janë të logjikshëm dhe i kuptuan më së miri shembujt që ka sjellë Ai, dhe përfituan thelbin e tyre. Nga ana tjetër, ata të cilët e refuzuan besimin nuk kuptuan thelbin e atyre shembujve të cilat mbartin plot të vërteta.
Pra, grupi i parë ishin ata të cilët Allahu i përshkruan: “Udhëzon me anë të shembujve plot njerëz”. Dhe grupi i dytë janë ata për të cilët tha: “Devijon me anë të tyre plot njerëz”, si dhe “… dhe s’ka mundësi të devijojnë vetëm se të shthururit”.
Marrë nga libri: “Edvaul bejan”.
Autor: Muhamed Emin esh Shenkijti
Përktheu: Edison Dukaj
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi